Vajrat aromatikë janë vërtet të thjeshtë për t’u përgatitur në shtëpi, duke nisur që nga bimët aromatike dhe tek erëzat e ndryshme. Mund të përdorni dhe perime si speci i kuq djegës dhe hudhra. Për të përgatitur këto vajra është e rëndësishme që vaji të jetë ekstra i virgjër dhe shumë cilësor.

Për përgatitjen e vajrave të aromatizuar duhet të keni në dispozicion kavanoza qelqi me kapakë të mbyllur hermetikisht. Sterilizojini kavanozat përpara se t’i përdorni. Mjafton që të vendosni erëzat aromatikë (sipas recetave më poshtë) dhe më pas të hidhni vajin e ullirit, aq sa ëshë e nevojshme dhe sa e kërkon receta.

Duhet t’i mbyllni mirë kavanozat dhe t’i lini për 1 deri në 3 javë në errësirë. Më pas duhet të filtroni vajin dhe ta vendosni atë në një shishe të pastër, por duke e mbajtur gjithnjë larg nga drita dhe nxehtësia.

Për këtë arsye, shishen me vaj ju mund ta mblidhni me një letër alumini.

Ja disa receta që mund t’i bëni vetë në shtëpi:

 

1- Vaj i aromatizuar me spec djegës
Për të përgatitur vajin e aromatizuar me spec djegës ju duhen 1 litër vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 8-10 speca djegës të thatë.

2- Vaj i aromatizuar me hudhër
Për këtë recetë ju duhen 500 ml vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 7 thelpinj hudhër. Vaji i aromatizuar me hudhër mund të përdoret për shije tek brusketat, makaronat, picat, sallatat por dhe në gatime të tjera të ndryshme.

3- Vaj i aromatizuar me xhinxher
Për këtë recetë ju duhet 500 ml vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 30-40 gr rrënjë xhinxheri, por mund të vendosni edhe më pak nëse nuk dëshironi aromë të fortë. Xhinxheri do të tretet për një javë tek vaji i ullirit.

4- Vaj i aromatizuar me kurkuma
Për këtë recetë ju duhet 500 ml vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 3 lugë kurkuma pluhur. Vaji duhet të qëndrojë 1 javë në errësirë por ju duhet ta shkundni kavanozin herë pas here.

5- Vaj i aromatizuar me rozmarinë
Për këtë recetë ju duhet 1 litër vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 3 degëza rozmarinë. Në këtë rast duhet ta lini kavanozin në errësirë për 3 javë.

6- Vaj i aromatizuar me borzilok
Për këtë recetë ju duhet 1 litër vaj ulliri ekstra i virgjër dhe 10 gjethe borzilok dhe disa lule nga kjo bimë. Duhet ta lini kavanozin me vajin e aromatizuar me borzilok për 3 javë në errësirë.

 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit