Keni dëgjuar për gliko nga më të ndryshmet, por kjo është një recetë e veçantë dhe tepër e shijshme. Glikoja me domate nuk ka nevojë për shpenzime të tepërta, por për një teknikë që jo çdokush e di. Ndiqni hapat si më poshtë për ta përgatitur siç duhet:

Përbërësit:

  • 2 kg domate të vogla (jo pomodorini)
  • 2 kg sheqer
  • 2  bustina vanilje
  • 2 lugë me lëng limoni
  • 4 filxhan caji me ujë
  • 3 fara karafili
  • Bajame po aq sa numri i kokrrave të domateve
  • Ujë gëlqereje

Përgatitja:

  • Zgjedhim domatet të vogla, të pjekura, por të jenë të forta.
  • Vendosim ujin të nxehet në një tenxhere dhe pastaj vendosim brenda domatet dhe i lemë vetëm 1 minutë. I nxjerrim me një lugë me vrima, i vendosim në pjatë dhe u heqim lëkurën.
  • Marrim një thikë të hollë e të mprehtë dhe u hapim një vrimë nga poshtë (jo tejpërtej) deri tek pjesa e bishtit.
  • I shtrydhim që të dalin farat, i vendosim në ujin e gëlqeres dhe i lëmë për 3 orë.
  • I nxjerrim i shpëlajmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim mbi një letër kuzhine të kullojnë mirë nga lëngjet që kanë.
  • Në çdo domate fusim në vendin e hapur nga një bajame pa cipë.
  • Për të përftuar bajamet pa cipë i vendosim ato në ujë të valuar, i lëmë të zbuten për pak dhe i fërkojmë deri sa tu ikë lëkura.
  • Vendosim në një tenxhere ujin dhe sheqerin dhe i ziejmë për 10 minuta.
  • Marrim një nga një domatet dhe i vendosim në shërbet, i lemë të valojnë 5 minuta.
  • Më pas i lëmë të qëndrojnë 24 orë dhe shtojmë vaniljet, karafilin, lëngun e limonit. I ziejmë deri sa të lidhet mirë sherbeti.
  • Vendosini në vazo qelqi të pastra dhe të sterilizuara. 

Shënim: Për të përgatitur lëngun e gëlqeres vendosim në një legen plastik dy lugë me gëlqere pluhur ose një copë guri gëlqere të pashuar dhe hedhim 3 litra ujë. Trazojmë mirë (të valojë brenda gëlqerja) dhe pastaj e kullojmë me garzë. Uji që përfitojmë është i përshtatshëm për gliko.

 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit