Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, i pranishëm në komisionin parlamentar për Ekonominë e Financat, tha se në fund të vitit pensionistët do të përfitojnë 5 mijë lekë shpërblim.

Në aktin normativ që ndryshon buxhetin e vitit 2018, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm 3 miliardë lekë adresuar pensionistëve, që është rezultat nga skema e kursimeve të sigurime shoqërore dhe parashikimi i rritjes së të ardhurave nga këto skema.

Ministri duke i u referuar të dhënave statistikore theksoi se: “në mënyrën se si e afrojmë paketën e solidaritetit nuk ka asnjë lidhje me vitin elektoral”.

“Akti normativ mundëson një shpërblim për pensionistët në fund të vitit. Në të bëhen rialokime të burimeve gjithmonë duke ruajtur parametrat e nevojshëm të buxhetit fillestar siç është edhe deficiti.

Nga një krahasim që kemi bërë midis qeverisjes 8 vjeçare të PD dhe 4 vjeçare të PS totali rezulton 10.5 miliardë lekë shpërblim për pensionistët në kohën e qeverisjes së djathtë ndërkohë që për qeverinë tonë në 4 vite për pensionistët kanë shkuar 11.3 miliardë lekë. paketa e solidaritetit është dhënë e ndarë nga efekti i vitit elektoral e kemi kthyer në standard”, deklaroi Ahmetaj./Marrë nga Gazeta Shqip