Ky fillim vjeshte, Arbër Çepanin, djalin nga Skrapari, e gjeti shtigjeve të vendlindjes. Është tamam koha kur banorët e kësaj krahine vënë kazanët e rakisë, gratë ziejnë pekmezin, rehanitë e kumbullës, rrushit e thanave dhe duhma e bërsive deh gjithkënd që kalon atyre anëve, ku vërtet rruga është ca e vështirë, po panorama në dy anët e saj është mahnitëse. E kjo duhmë dehu padyshim edhe Arbrin, e lezeton një çikë rakia atë, kush ka qenë tek bar Komiteti ka provuar lloj- lloj rakish të frymëzuara nga traditat e lashta të Skraparit, Korçës, etj. Nga fotot që na ka treguar në facebook e Instagram, kjo vjeshtë në Skrapar qenka e begatë e me bereqet, por ne shpesh na tërheqin vëmendjen trendet e jashtme e destinacionet që ca të famshëm e bloggerë i kthejnë në ‘in’, prandaj Arbri bëri mirë që me këto foto e me këto që shkroi na ktheu kokën nga shijet tona, nga vendi ynë, nga aromat tona:

“Resurset më të mëdha të Shqipërisë duhet të jenë turizmi, bujqësia dhe kultura! Nëse do investonim vetëm në këta tre sektorë, nuk do të dëgjonim më për varfëri as në zonat më të thella të Shqipërisë! Shqipëria është e jashtëzakonshme për gjithçka Zoti i ka falur! Duhet që ne njerëzit ta ruajmë, zhvillojmë dhe promovojmë veprën e tij! Ky ishte një reflektim nga udhëtimi i fundit në Skrapar! Rakia e Skraparit duhet të promovohet sa vera e Toscanës! Skrapari duhet të promovohet sa Toskana! Keq ti vijë Toscanës që nuk ka Kanionet, për këtë është edhe më i bukur Skrapari

O.Zh

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit