Festa e Brumit që u organizua për dy ditë në Gjirokastër risolli në vëmendjen e shefave, amvisave dhe vizitoreve shijet e thjeshta e të munguara të brumit me përbërës bazikë dhe aroma shtëpie.

Petullat, petët, pitet, mumuliga, kulaçi, bobollaqet dhe shume receta të harruara u prezantuan nga shefat e ftuar nga disa rajone të vendit. Organizimit nuk i munguan ritet e kënduara të brumit, enët qindravjeçare të zënies së brumit dhe ceremonitë ku produktet e brumit mbanin peshë qendrore. Matriona Shahini nga Permeti tha se zbulimi i shijeve autentike dhe ruajtja e tyre mbetet një vlerë origjinale e kuzhinës së Jugut.

Ndërsa Armando Kikino që gatoi brombullat e famshme mbi 200 vjeçare të Gjirokastrës thotë se recetën e ka huazuar nga familja.

Edhe ballokumet e Elbasanit u gatuan dhe u poqën tek furra e njohur qindravjeçare e Premtos në pazarin e Gjirokastrës.

Ilir Lluri tha se qëllimi i organizimit është ndërgjegjësimi për këtë traditë të rrallë gatimi me bazë grurin, misrin dhe miellin. Ideja që do ta pasojë organizimin është ajo e çeljes se një dyqani online ku amvisat mund të shesin në kohë rekord prodhimet e brumit brenda ditës.

Festa e Brumit do të vijojë të jetë pjesë e kalendarit të aktiviteteve kulturore edhe për vitin e ardhshëm. Profesionistet e brumit ranë dakord se një listë recetash historike duhen njohur zyrtarish, regjistruar dhe mbrojtur për t’u përcjellë më tej me origjinalitet./Marrë nga Top Channel