Tiranën ky fillim vjeshte e zuri me diell e me temperatura për plazh, por në Theth është një panoramë krejt tjetër. Mjegulla ka zbritur nga malet në rrugë dhe i ka veshur këtij vendi vellon e vjeshtës. Megjithëse dielli shkëlqen, përsëri, sapo zbresim në qendër të fshatit, natyrshëm duart mbyllin deri në grykë zinxhirin e trikos. Të zotët e bujtinës na presin. Na kanë bërë dhomën gati dhe drekën. Edhe pse zonja e shtëpisë kujdeset që dreka të jetë në nivelin e një restoranti sqimatar, ne nuk kemi ardhur për salltanete. Duam të ndiejmë shijen e domateve të fushës, djathit të lopës e mollëve të degës.

 

Pas drekës nisemi për tek ujëvara e bukur e Thethit. Rrugës ndalojmë për të ngrënë manaferra, për të mbledhur trëndafil të egër e ndonjë kokërr dardhë tek tuk. Rrugës ndeshim vetëm të huaj. Na përshëndesin, madje dhe na tregojnë se ku është ujëvara. Se dimë se si, por orientohen më mirë se ne. Para ujëvarës mbetesh pa fjalë. Do vetëm të qëndrosh para asaj bukurie e të meditosh nën zhurmën e ujit që rrjedh, por ç’e do që duhen bërë foto.

 

Në kthim ka rënë muzgu. Në të afruar tek bujtinat, nga oxhakët del tym. Zonjat e bujtinave po pjekin bukët për mysafirët që kanë për darkë. Nuk përshkruhet dot me fjalë aroma që bashkon bukët që piqen, mishin, pishat. Ulemi në oborrin e bujtinës për të shijuar edhe pak këtë mrekulli dhe i kërkojmë zonjës së shtëpisë një kafe.

 

‘Për zotin, ekspres s’ua bëj dot se s’ka drita. Turke po’, thotë e zonja e bujtinës ‘Flodisa’. Problemet me energjinë elektrike në Theth vazhdojnë të jenë të mëdha. Hidrocentrali në syrin e kaltër punon vetëm me një turbinë dhe i furnizon fshatrat me radhë siç na thonë. Qendra e fshatit është plot me njerëz. 2 baret në qendër janë plot. Kryesisht janë djemtë e fshatit dhe familje shqiptare që kanë ardhur të kalojnë fundjavën. Ka dhe të huaj plot, por ata e kanë mendjen veç të eksplorojnë, të ngjiten majave dhe e kanë ditën të planifikuar më së miri.

Ndërkohë shkojmë t’i paguajmë kafenë turke zonjës së bujtinës sepse është jashtë shërbimit të paketës. ‘A je e marrë?’, thotë ajo. ‘Nuk marr pare për kafe turke’.

 

Pasi kemi lëpirë gishtat nga darka me patate e perime të pjekura në prush, djathë e kos shtëpie, frutat e bahçes dhe një byrek me kungull të ëmbël e arra, s’na mbetet gjë tjetër veçse të mbyllemi në dhomën me mure të gurta të bujtinës. Në fshat s’pipëtin asgjë. Por ora ende s’ka shkuar 21.00 dhe me orën e Tiranës mbrëmja sapo ka filluar. Drita s’ka. Djali i shtëpisë na ndez një zjarr për të qëndruar edhe ca jashtë. Kështu shtyjmë edhe ca orë të tjera duke bërë muhabet, duke përtypur arra, lajthi e fiq të thatë derisa na topit gjumi pranë zjarrit.

 

Dita e dytë nuk nis me alarmin e telefonit, por me këngën e gjelit. Megjithatë prapë jemi vonë. Të zotët e bujtinave i kanë vënë punët në vijë me natë. U themi që nuk duam të hamë mëngjes, pasi nuk na hapet goja aq herët, por nuk pranojnë. Pa u ulur mirë, zonja e shtëpisë na vë përpara petullat, mjaltin, reçelrat, djathin, na sjell dhe kafetë. Mbarojmë së ngrëni dhe shkojmë t’i përshëndesim të zotët e bujtinës, por na thonë të presim. Pas dy minutash vjen e zonja e shtëpisë me ca petulla dhe dy tufa çaj nga malet e Thethit që na i jep me vete. Mahnitemi. Ndoshta do të vijë dita që t’i vlerësojmë më shumë bukuritë e natyrës dhe do të kemi mundësinë të ushqehemi me ushqime organike, por si kjo mikpritje zor se gjen të dytë.

/O.Zh/

*Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit