Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare doktor Flamur Tartari, kirurg. Lajmin e konfirmojnë miqtë dhe familjarët e doktorit i cili 52 vite të jetës së tij, ia dedikoi mjekësisë.

Ai njihet si “bisturia e artë” e mjekësisë shqiptare. Punoi si pedagog ne fakultetin e Mjekësise dhe është autor i disa botimeve shkencore.

Kush ishte Flamur Tartari?

Lindur në Tiranë më 1943, nga një familje qytetare intelektuale me tradita mjekësore, Tartari nuk mund të bënte ndryshe nga paraardhësit. Dëshira e tij për të ndihmuar dhe shpëtuar njerëzit, lindi që në fëmijëri. I vogël ai u bë dëshmitar okular i një aksidenti tragjik. I tronditur, ato pamje, nuk iu hoqën nga mendja, madje ato ushqyen ëndrrën që një ditë, Tartari të bëhej mjek. Natyrë ëndërrimtare, që prej asaj dite, ai mendonte çdo mbrëmje se si një ditë do mund të vishej me bluzë të bardhë dhe të shpëtonte jetë njerëzish. Dhe ëndrra iu bë realitet, kur xhaxhai tij, dr. Ismail Tartari, themelues i Radiologjisë Shqiptare, e regjistroi nipin në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas përfundimit të studimeve të përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, doktor Tartarit iu kërkua të shërbente në Durrës, si kirurg, qytet që ruan një lidhje të veçantë. Dashuria për këtë qytet nuk ka si burim vetëm prejardhjen e prindërve, por dhe përvojën e parë që ai mori si kirurg për t’i hapur rrugë formimit të tij profesional.

Shumë prej sekreteve të mjekësisë, Tartari i mësoi gjatë këtyre viteve. “Shërbimi në Durrës, ka qenë shkollë e dytë. Kam mësuar shumë atje. Përveç anës profesionale, atje kam mësuar të përmbushem moralisht. Bashkëpunimi, mirënjohja dhe përgjegjësia ishin ndër ato ç’kam përftuar nga ajo eksperiencë”, shprehej doktor Flamuri.

Gjatë shërbimit në Spitalin e Durrësit, ai kujton me nostalgji mikpritjen dhe këshillat e kolegëve të rinj, që për të do të bëheshin miqtë e tij më të ngushtë. Ndër ta veçoi dr. Paskal Prodanin, dr.Fiqiri Këlliçin, dr. Miri Hotin dhe idhullin e tij, profesorin e mëvonshëm, Ferdinand Papariston.

“Ishte mikpritja prej tyre, ajo që më bëri t’i vija qëllim vetes që të punoja dhe të mësoja sa më shumë për t’i shërbyer popullit, sepse tashmë isha mjek dhe kisha nevojë për të mësuar”.

Pas shërbimit në qytetin e Durrësit, fort të dashur për të, Tartari u zhvendos në Tiranë për t’u specializuar në kirurgji të përgjithshme./Marrë nga Newsbomb.al