‘Kuzhina e djallit’, formati i cili ka tërhequr me mijëra ndjekës në më shumë se 40 vendet ku është shfaqur, po transmetohet këtë sezon edhe në Top Channel.

Dje ishte nata e dytë, por pjesa e parë dhe sidomos java e parë, për shef Renaton nuk paska qenë edhe aq fatlume sa ç’mendonim. Në fakt, reagimi i ashpër i Renatos me pothuaj të gjithë konkurrentët në garë u komentua gjatë në rrjet, madje, me gjithë njohjen e kësaj formule, fansat kanë bindjen se Renato është një shef që ‘nuk bëhet’, një shef i ashpër që ngre zërin edhe për gabimin më të vogël.

Por, në të vërtetë, nuk është kështu. Në një prononcim të fundit për revistën Class, shef Renatos i erdhi radha të mbrohet. Ai thotë se “Kuzhina e Djallit” është një format i cili e lejon këtë lloj komunikimi me publikun. Sepse, që të jemi të sinqertë, flitet edhe ashpër në kuzhinën e vërtetë, në të mirë të klientëve që të kanë besuar shijen e tyre. Edhe Renato, të gjithë energjinë e çliron për të lënë të kënaqur klientët me gatimet e konkurrentëve.

 

Megjithatë, siç tha ai, e gjithë java ka qenë masakër: “Masakrim komplet… “ – thotë Renato pas pyetjes si ishte pritja e programit të parë: “Një javë ka kaluar dhe çdo ditë në media shkruhet, gjithsesi unë jam i qetë dhe jam shumë mirë”,– shton pa të keq.

 

Por gjatë gjithë javës, në rrjet ka pasur komente pa fund për shefin, i cili u kishte munguar shumë njerëzve në ekran: “E dua publikun, sepse më mbështet dhe më ka mbështetur çdo herë”, – shton Renato. 

Renato sqaron se formati dhe televizioni, shpeshherë diktojnë te publiku një profil “të rremë” të personazhit, por duhet të dimë ta ndajmë, thekson ai, atë që përfaqësojmë në ekran dhe atë që jemi në të vërtetë: “Unë jam shumë kërkues në punë, nuk toleroj, sado që mund ta tejkaloj ndonjëherë limitin. Ndërsa jashtë pune jam njeri shumë normal dhe i qetë.”

“Ky është një format i blerë në të cilin zbatohet gjithçka, ndërsa sa i përket shefit – çdo shef është pak i çmendur dhe patjetër që reagon në kuzhinë, por në mënyra të ndryshme” – thotë shefi. /Burimi: Revista Class/