Nga Lira Gjika/ “Po as të gënjesh një fëmijë nuk di ti?”, i drejtohen shpesh nënës se re, duke filluar që nga nëna e saj, kur nuk arrin të qetësojë fëmijën menjëherë. Kjo shprehje që vazhdon të mbretërojë në trajtimin e nënave të reja, që i ngatërron ato në fillimet e mëmësisë për të bërë më të mirën, është një nga problemet më serioze të edukimit tonë. Trusnia e rëndë që i ushtrohet nënës së re, duke e bërë të ndihet e paaftë, si dhe nxitja për të mos bërë më të mirë, është një problem që duhet marrë shumë seriozisht. Asnjë njeri nuk i shpëton dot fëmijërisë thonë shkencëtarët. Sot shkenca argumenton me fakte të shumta se çfarë efekti të fuqishëm ka fëmijëria te njeriu dhe sa e vështirë është të shpëtosh nga një rritje e keqe. Emocionet zhvillohen përpara vetëdijes. Ato organizohen e zhvillohen në fëmijëri dhe kur nëna gënjen fëmija, zhvillon ndjesitë e dyshimit dhe të mosbesimit, të cilat instalohen dhe pengojnë rrugët e zhvillimit dhe të menaxhimit të psikikës, mendjes dhe vetëdijes. Ne të gjithë mund të kujtojmë situata të ndryshme ku kemi reaguar emocionalisht. Kujtoni shprehjen “mu errën sytë”, nuk pyes unë kur nxehem”, “më iku mëndja”. Në situate të tilla na është dashur kohë të mbledhim veten dhe të bëjmë gjënë e duhur.

Të nxitësh një nënë që të gënjejë fëmijën e vet dhe për më keq, ta fyesh atë, kur nuk e bën, kjo është në gjë shumë e keqe që mund të bëjë një njeri ndaj një njeriu. Kjo mënyrë të sjelli e njerëzve të ndryshëm ndaj një nëne, le pasoja, pengon nënën në mëmësi dhe fëmijës i ndrydhet zhvillimi dhe fuqizimi i vetëdijes dhe njerëzores. Nëse nëna gënjen fëmijën, ajo padashur i ka mësuar se e vetja nuk ekziston. Do të thoni “pse” sepse është nëna që me dashurinë e saj e nxit fëmijën të besojë te vetja dhe se vetja është gjëja më e rëndësishme. Kur gënjen nëna, fëmija kupton që ai nuk vlen, se edhe nëna e ka bezdi dhe, e vërteta nuk ka vlerë. Nëna, mos dëgjoni ata që ju flasin në këtë mënyrë, qoftë kjo edhe nëna juaj. Sa harxhoni kohën duke sajuar gënjeshtra, harxhojeni kohën duke gjetur mënyrën si të thoni sa më qartë për fëmijën të vërtetën.