Perimet e këtij sezoni shfrytëzojini për një recetë të shijshme siç është ajo e turlisë. Mjafton të siguroni përbërësit e mëposhtëm dhe duke ndjekur me kujdes hapat, do ta realizoni po aq mirë sa dhe Zonja Vjollca e cila gatuan çdo ditë në emisionin "Rreze Dielli" që transmetohet në Report Tv. 

Përbërësit:

  • 500 gr tul viçi
  • 50 gr pançetë
  • 1 qepë e madhe
  • 2-3 karrota
  • 200 gr rrënjë selinoje
  • 2 presh
  • 1 kg patate
  • 1 lugë gjelle gjalp
  • 1 filxhan pure domate
  • 750 ml lëng perimesh
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

  • Fillimisht ndezim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius. Më pas presim mishin në kubikë të vegjël, grijmë imët qepën, karrotën e presim në feta të holla, rrënjën e selinosë e presim në kubikë të vegjël, preshin e pastrojmë dhe e presim në unaza, ndërsa patatet i qërojmë dhe i presim në feta të holla.
  • Vendosim tiganin në zjarr,shtojmë në të pançetën pa yndyrë dhe e kaurdisim deri sa të bëhet krokante, shtojmë qepën dhe e kaurdisim atë me një lugë vaj dhe një lugë gjalpë dhe sapo qepa të zbutet shtojmë mishin.
  • Sapo mishi të ndryshojë ngjyrë dhe të fillojë të zverdhet pak shtojmë preshin, karrotat dhe rrënjën e selinosë. Vendosim kapakun dhe i lemë perimet të ziejnë për 5 minuta dhe më pas e rregullojmë shijen me kripë, piper dhe me pak salcë domate.
  • Lyejmë tavën me vaj, shtrojmë në të një rresht me feta patate duke mbuluar komplet shtresën e poshtme të tavës. Mbi patate vendosim mishin me perime gjysëm të gatuara.
  • Vendosim përsëri një shtresë me patate, një shtresë me perime dhe në fund përsëri një shtresë me patate. Në fund shtojmë lëngun e perimeve, i spërkasim patatet me pak kripë e vaj dhe e vendosim tavën në furrë për 45-50 minuta.

Receta realizuar nga Zonja Vjollca. Marrë nga shqiptarja.com