Një supë e shijshme me presh dhe kos. Futjuni punës amvisa të Shijes! 
Ja tek e keni recetën.

Ndajeni edhe me miqtë tuaj!

Përbërësit:

  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 presh mesatar
  • 1 thelpi hudhër
  • 3 lugë gjelle pure patateje ose 2 patate
  • 1 litër lëng perimesh
  • 400 ml kos
  • 2 të verdha veze
  • 3 lugë gjelle lëng limoni
  • 2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri
  • 1 lugë kafe piper i kuq
  • Koper

Përgatitja:

  • Pastrojmë preshin, e presim horizontalisht në ¼ dhe më pas e grijmë shumë hollë.
  • Vendosim në tenxhere 2 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim preshin së bashku me 1 thelpi hudhër. Më pas shtojmë ujë, 2 dado perimesh dhe e lemë preshin të ziejë për 12-15 minuta. Nëse kemi zgjedhur patate dhe jo pure patateje i presim patatet në ¼ dhe i vendosim të ziejnë së bashku me preshin.
  • Pasi preshi me patatet të kenë zierë, largojmë copat e patateve dhe së bashku me një garuzhde supë i kalojmë në blender duke i kthyer në pure. E shtojmë më pas purenë tek supa dhe i lemë të marrin përsëri një valë sa të trashet lëngu. Nëse dëshironi mund t’a kaloni të gjithë supën në krem, sipas preferencës tuaj.
  • Shtojmë tek tasi me kos pak lëng limoni dhe 2 të verdha veze. E trazojmë mirë, largojmë tenxheren e supës nga zjarri që t’i bjerë pak vala dhe lugë-lugë shtojmë pak nga pak tek tasi me kos. E shtojmë më pas kosin me vezë në tenxheren e supës dhe e trazojmë mirë shumë avash.
  • Në fund mund ta servirim me 1 lugë çaji vaj ulliri të freskët duke e spërkatur me koper ose mund t’a servirim me pak gjalpë të tretur me piper të kuq spërkatur me koper të freskët.

Receta realizuar nga Zonja Vjollca/Marrë nga shqiptarja.com