Pula me krem është një pjatë e dytë e shijshme e përgatitur me kërpudha e gjoks pule të zhytura në një krem delikat. Realizohet thjesht dhe mund të shoqërohet me pilaf ose perime sipas shijes suaj.

Përbërësit:

  • 600 gr gjoks pule
  • 400 gr kërpudha
  • 250 ml pana
  • 70 gr gjalpë
  • 2 lugë vaj ulliri e.v
  • 20 gr miell 00
  • kripë
  • piper i zi
  • 1 thelpi hudhër
  • 1 gotë verë e bardhë e thatë
  • 500 ml brodo pule
  • 2 lugë të vogla mustardë
  • trumëz
  • 1 qepë e bardhë

Përgatitja:

  • Si fillim prisni pulën në kube, më pas qëroni e grini qepën e hudhrën. Në një tigan ku keni ngrohur 30 gr gjalpë dhe dy lugë vaj ulliri e.v shtoni qepën dhe hudhrën dhe lërini në zjarr të ulët për të paktën 10-15 minuta. Më pas shtoni copat e pulës, skuqini për 10 minuta nga të gjitha anët, më pas rregullojini me kripë e piper.
  • Pastroni kërpudhat, pritini përgjysmë, shtojini te pula dhe lërini për 5 minuta duke i rrotulluar herë pas here. Shtoni verën e bardhë dhe lërini të gatuhen në zjarr të ulët.
  • Në një tigan tjetër, ngrohni 40 gr gjalpë, shtoni miellin dhe përziejini derisa përbërja të marrë ngjyrë bezhë, shtoni brodon e pulës dhe lëreni të trashët në zjarr të ulët.
  • Shtojani këtë përbërje më pas pulës me kërpudha, përziejini mirë përbërësit, pastaj shtoni mustardën, panën e freskët dhe lërini për 1-2 minuta derisa kremi të trashet. Fikni zjarrin, shtoni gjethe trumëze të freskët dhe servireni pulën me krem të ngrohtë.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit