E imagjinoni pak shijen e pulës kombinuar me hudhra? Falë recetës që Shije ju sjell më poshtë, do të keni mundësi ta provoni në pak kohë. Dhe ku i dihet ndoshta mund t'i riktheheni sërish e sërish. 

Kjo recetë është një version disi më ndryshe i tavës tradicionale të kosit. 

Përbërësit:

  • 1 kg  mish pule miks
  •  500 ml ujë
  •  4-5 lugë gjelle miell
  • 4 kokrra vezë
  •  1 kg kos
  •  6 thelpinj hudhër
  •  kripë, piper i zi
  •  3 lugë gjelle gjalpë ose 2 lugë gjelle vaj ulliri
  •  1 lugë kafe piper të kuq

Përgatitja: 

  • Pasi ti kemi larë dhe tharë mirë copat e mishit të pulës i kaurdisim me pak yndyrë sa të zverdhen pak. Më pas shtojmë 500 ml ujë dhe e lemë mishin të ziejë për 20 minuta.
  • Në një tenxhere kaurdisim me yndyrën e mbetur 4 lugë miell. Sa të shohim që mielli fillon të ziejë pa i dhënë ngjyrë, e shuajmë me lëngun e mishit dhe e largojmë nga zjarri duke shtuar gradualisht kosin dhe duke e trazuar me tel dore.
  • Grijmë hudhrat imët dhe i shtojmë në kos. Rrahim më pas vezët, i shtojmë tek kosi me miell dhe në fund rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi.
  • Vendosim thelat e mishit në një tavë, shtojmë kosin duke i mbuluar copat e mishit. Shkrijmë 1 lugë gjalpë me pak piper të kuq dhe spërkasim sipërfaqen e tavës. E vendosim më pas mishin e pulës me kos dhe hudhra në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 25 minuta.

Receta realizuar nga Zonja Vjollca/Marrë nga shqiptarja.com