Kollitja është një mënyrë e trupit për të njerrë jashtë çdo gjë që nuk supozohet të qëndrojë në traktin e sipërm respirator, si p.sh mukusi i tepërt apo objekte të vogla të huaja si ndotësit dhe irrituesit. Pra, me fjalë të tjera, është një mekanizëm mbrojtës.

Gjithsesi, kollitja e cila fillon që nga momenti që shkoni në shtrat për të vazhduar gjatë gjithë natës mund të jetë shumë shqetësuese dhe të bëhet shkak që ta kaloni gjithë natën pothuajse zgjuar.

Nëse edhe ju keni një problem të tillë, lexoni këtë artikull i cili propozon disa zgjidhje kundra kollës shqetësuese që fillon në mbrëmje.

Megjithatë, nëse kolla juaj nuk është larguar brenda dy javësh, sigurohuni që të vizitoheni tek mjeku juaj.

Ujë i ngrohtë me kripë

Në darkë shkrini një lugë gjelle kripë në një gotë me ujë të ngrohtë. Bëni gargarë me të për të qetësuar inflamacionin dhe irritimin e fytit si dhe për të larguar mukusin e tepërt i cili provokon kollitjen. Mos e kaloni solucionin poshtë, por pështyjeni.

Çaj xhinxheri

Është ide shumë e mirë të pini një filxhan me çaj xhinxheri para se të shkoni në shtrat. Xhinxheri ka vetinë e mrekullueshme e të qetësuarit fytin e ënjtur e të irrituar duke ju ndihmuar të flini gjumë më mirë.

Nuk jeni fans i shijes së xhinxherit? Mund ta ëmbëlsoni me pak mjaltë për ta përmriësuar atë.

Mjaltë

E dinit që një veprim kaq i thjeshtë sa konsumimi i një luge çaji me mjaltë mund ta largojë kollitjen e natës. Ka një natyrë shumë të ngjashme me shurupin e kollës. Gjithashtu mund ta shtoni në çajra të ndryshëm për të përmirësuar shijen e tyre dhe për të përmirësuar gjumin.

Lëng limoni

Për shkak të sasisë së lartë të vitaminës C tek lëngu i limonit, konsumi i tij mund t’ju ndihmojë në qetësimin e kollës. Përzierja e tij me mjaltë mund t’i shumëfishojë benefitet. Megjithatë, mos e konsumoni atë nëse keni probleme me acidin refluks.

Menaxhoni acidin refluks

Meqë po flasim për acidin refluks, e dinit që ai mund të shkaktojë kollë gjatë natës? Kjo sepse acidi i stomakut mund të shkaktojë irritim të fytit dhe për pasojë kollë. Sigurohuni të shkoni tek mjeku nëse keni acid refluks.

Ngrini kokën

Fjetja e rrafshët pa jastëk bën që mukusi të mblidhet në fyt dhe të shkaktojë kollitje gjatë natës, prandaj mbajeni kokën të ngritur. Kjo funksionon edhe për të menaxhuar acidin refluks.

Rregulloni lagështinë

Nëse ajri në dhomën ku flini është i thatë, ndoshta kjo është arsyeja pse kolliteni gjatë gjithë natës. Instaloni një aparat që rregullon lagështinë e ajrit.

Një gotë ujë

Përveç përdorimit të një aparati lagështie, është një ide e mirë për ju të mbani një gotë uji te koka e krevatit në mënyrë që të pini ndonjë gllënjkë herë pas here dhe të mbani fytin të hidratuar.

Lini cigaren

Është pirja e cigares një prej veseve tuaja? Atëherë mos u habisni nëse ju nget kolla natën. Lënia e duhanit do t’ju shpëtojë nga ky problem dhe nga shumë të tilla në lidhje me shëndetin.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit