Kë e ka marrë malli të shijojë një shqeto përmeti si qëmoti? Jeni në vendin e duhur. 

Ndiqni hapat e përgatitjes dhe shijojeni këtë pjatë tradicionale. Ndajeni edhe me miqtë tuaj. 

Përbërësit:

  • 700 gram mish qingji
  • 2 lugë gjelle miell
  • 300 ml qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 1 limon
  • Gjalp
  • Kripë, Piper
  • Majdanoz

Përgatitja:

  • Pasi e presim mishin në porcione, e shpëlajmë dhe e kaurdisim pak sa të përthithë lëngun e tij. Shtojmë ujin sa të mbulojë mishin dhe e lëmë të ziejë në temperaturë mesatare duke shtuar dhe pak kripë.
  • Në pak gjalp kaurdisim 2 lugë gjelle miell si për beshamel, pa i dhënë ngjyrë dhe shtojmë qumështin. Sa të fillojë të marrë valë shtojmë dhe lëng mishi dhe e lëmë të marrë përsëri pak valë dhe më pas e shtojmë në tenxhere. E lëmë të marrë valë së bashku me mishin për 5 minuta dhe e largojmë.
  • Rrahim 2 kokrra vezë dhe shtojmë gjysmën e limonit të shtrydhur. Pasi të ketë rënë vala në tenxhere (të jetë ftohur pak), shtojmë në tasin me vezë pak nga lëngu i mishit.
  • E trazojmë e më pas e shtojmë gradualisht në tenxhere. Shkrijmë pak gjalp, e përvëlojmë shqeton , e spërkasim me pak majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë duke i shtuar pak piper të zi nga mulliri.

Receta realizuar nga Zonja Vjollca/Teksti dhe foto marrë nga shqiptarja.com