Nëse edhe ju keni bërë pjesë në grupin e atyre njerëzve të cilët e keni nënvlerësuar gjizën, pas pikave që ka renditur dietologia Blerina Bombaj me siguri do të ndryshoni mendim.

Edhe pse vërtet gjiza kushton 6 herë më lirë sesa djathi, përmban një sërë të mirash për organizmin e njëriut. Prandaj është koha mos t’i paragjykojmë më ushqimet!

Postimi i plotë i Bombaj:

"Shpesh has në një përçmim të këtij nënprodukti të qumështit, i cili ka qenë gjithmonë pjesë e ushqimit tonë si shqiptar, duke na siguruar një burim shumë të lirë të kalçiumit dhe proteinave të shkëlqyera. Dhe të them të drejtën kam mbetur gjithmonë pa fjalë, kurrë nuk e kam kuptuar ku bazohen këta persona kur shprehen plot ironi dhe nënvlerësim!

Gjiza e njomë (quhet e njomë sepse flasim për atë që konsumohet brenda pak ditëve pasi nuk ka kripë për konservim), siç e dimë prodhohet nga hirra e djathit, e cila përmban një proteinë me vlerë të rrallë për njeriun. “Whay protein”, e cila ushqen muskujt mrekullisht dhe është shumë më e asimilueshme se kazeina që përmbajnë me shumicë djathërat e tjerë. 
 

Gjiza përmban në sasi më të mëdha se djathi i bardhë të gjithë aminoacidet e nevojshme për prodhimin e antioksidantit më të rëndësishëm në organizmin tonë, glutathionit. Kjo është arsyeja përse në fabrikat ku prodhoheshin gazra toksik, jepej qumësht për punonjësit!
 

Gjiza nuk ka kripë ndryshe nga djathi i bardhë që e përmban me tepricë, e cila nuk nevojitet aspak, tek fëmijët e vegjël veçanërisht.  Gjiza përmban më pak kolesterol dhe yndyrna të ngurta nga djathi i bardhë. 
 

Gjiza është një ushqim që shkon edhe me të kripura edhe me të ëmbla dhe me të mund të krijosh plot receta. Gjiza është 6 herë më e lirë se djathi i bardhë. Gjiza nuk mund të manipulohet me niseshte!

Fakti që gjizën, sikurse fasulet apo trahananë, i kemi ngrënë në kohët e varfërisë, nuk do të thotë se janë ushqime të varfra, por përkundrazi, na kane ushqyer në ato kohë kur lëndët ushqyese gjendeshin me vështirësi.

Mos paragjykoni ushqimet, veçanërisht ato që na kanë mbajtur gjallë"! 

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit