Edhe pse së fundmi ajo është bërë nënë e të voglit Raiden, Jona gjen kohën për të gatuar ëmbëlsira dhe për t’i ndarë ato me ndjekësit e saj në Instagram. 

Kjo kurrsesi s’mund t’i shpëtonte lupës së Shijes, e sidomos kur bëhet fjalë për tiramisunë, një ëmbëlsirë klasike e tepër praktike në përgatitje. Pak frymëzim nga moderatorja e "Pa Filtër", na mjaftoi për ta vënë në qendër të vëmendjes këtë recetë. 

Hidhini dhe një sy dhe mos nguroni ta realizoni edhe ju, amvisa të Shijes: 

Përbërësit:

  • 500 gram Mascarpone
  •  6 vezë (të verdhat veç nga të bardhat)
  •  120 gram sheqer
  •  5-6 filxhanë kafeje ekspres të vakët ku kemi tretur 2 lugë sheqer
  •  300-400 gram biskota Savoiardi
  • pak kakao pluhur 

Përgatitja:

  •  Rrahim me rrahësin elektrik të verdhat e vezëve dhe sheqerin derisa të bëhen si shkumë kompakte.
  • Mascarponen e punojmë pak me pirun ose me lugë që të bëhet si krem dhe e shtojmë në tasin me të verdhat e vezëve. Vazhdojmë ta përziejmë me rrahësin elektrik.
  •  Bëjmë marengë me të bardhat e vezëve, i shtojmë te tasi i kremit dhe i përziejmë me kujdes.
  • Biskotat i lagim te kafeja e vakët (nuk duhet të qullen shumë) dhe i vendosim në tavë pranë njëra-tjetrës duke krijuar një shtresë. Hedhim sipër një shtresë me krem, vazhdojmë me një shtresë tjetër biskotash me kafe dhe përsëri një shtresë kremi.
  • E spërkasim me kakao të hidhur, e mbulojmë me letër alumini dhe e lëmë në frigorifer për një natë. Në momentin që e shërbejmë mund ta zbukurojmë me çokollatë të zezë të copëtuar.

Tava këshillohet të jetë drejtkëndëshe me përmasa 30x20 cm. Ju bëftë mirë! 

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit