Këto ditë prag festash të gjithëve na pëlqen të gatuajmë më shumë dhe të ftojmë më shumë njerëz në shtëpi. Një ide e mirë për të pritur mysafirët tuaj janë këto brusketa të bukura e të shijshme, por që nuk ju marrin kohë fare kur vjen puna për t’i përgatitur. Na ndiqni më poshtë:

Përbërësit:

  • 5 hurma arabe
  • 3 kajsi të thata
  • 200 gr djathë dhie i butë
  • 20 gr rrush i thatë
  • 20 gr fistikë
  • 4 feta bukë të zezë
  • kripë
  • piper

 

Përgatitja:

  • Punoni djathin në mënyrë që të bëhet më kremoz. Hiquni bërthamat hurmave arabe dhe grijini së bashku me kajsitë. Vendosni rrushin e thatë në ujë të ngrohtë për 10 minuta. Hidhni fistikët në një tenxhere me ujë që vlon. Pas një minuti, qërojini, hiquni lëkurën dhe grijini, duke i ruajtur disa mënjanë.
  • Shtoni djathin e dhisë në një tas, shtoni frutat e grira, pak kripë e piper, më pas përziejini mirë. Hidheni përzierjen në disa forma ‘muffin’ ose tasa të vegjël për t’u dhënë formën si në foto. Lërini në frigorifer për 3-4 orë.
  • Prisni në forma katrore fetat e bukës. Mbi to vendosni me kujdes përzierjet e djathit. Në qendër të secilës spërkatni disa nga fistikët e grirë që kishim hequr mënjanë.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit​