Në një intervistë dhënë për Renamour (një faqe në Instagram e cila i dedikohet lidhjes së personazheve publike më ushqimin), aktori i njohur i "Portokallisë", Florjan Binaj rrëfen troç disa të “pathëna” lidhur me marrëdhënien që ka me ushqimin.

Për shembull a e dinit se gatimi i preferuar nga duart e mamasë së tij është fërgesa? Për të mjafton të mos jenë bamje dhe çdo pjatë tjetër do ta fshinte me çapë buke. Flori shprehet se edhe bashkëshortja e tij është një kuzhiniere e  mirë dhe do të veçonte nga ajo gjellën me mish e qepujka.

Si një djalë Vlore peshku është i pandarë në shtëpinë e Florit, ku të preferuar ka kocën e egër. Ushqimet me yndyrë preferon t’i shmangë. Frikasenë, fërgesën me bukë misri dhe pula e mbushur do të ishin tri pjatat që ai do t’ia sugjeronte një të huaji që vjen në Shqipëri.

Pyetur se çfarë hanë politikanët tanë që kanë këtë fuqi Flori i përgjigjet kështu:

“Politikanët tanë marrin fuqi nga neglizhenca dhe durimi ynë. Faji është i  yni që kemi zgjedhur ata si “shefa kuzhine” të vendit ndërkohë që ata gatuajnë mirë për vete dhe çfarë mbetet ose kalbet, ua japin popullit”.

Copyright shije.al/ Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit