Që kur iu desh të largohej nga Prishtina në moshë të hershme, Lorik Cana ka punuar e jetuar kryq e tërthor Europës. Madje, seriozisht ose jo, e kanë quajtur dhe “patrioti me tre pasaporta”. Prej gushtit të vitit 2017, ai dhe familja e tij jetojnë në Tiranë. Por pse?
Siç tregoi vetë mbrëmë në “Opinion,” Loriku është tejet i përkushtuar me fondacionin e tij “Lorik Cana 5” dhe që ta vërë në binarë, duhet t’i qëndrojë vetë mbi kokë, duhet të kujdeset vetë. Është e vërtetë. Nëse do që të bëhet mirë, bëje vetë.

Duke marrë parasysh se Cana është imazhi i sportistit shqiptar, influencues dhe frymëzues, presioni është edhe më i lartë që fondacioni të ketë sukses. Fondacioni operon në Shqipëri dhe prandaj Cana po banon në Tiranë.


 
Shpeshherë, prindër të konfuzuar e telefonojnë që t'u marrë nën kujdes fëmijët. Një keqkuptim i madh. Ai nuk është trajner dhe as nuk mund t’i kthejë në sportistë fëmijët e tyre. Fondacioni “Lorik Cana 5” synon t’i edukojë fëmijët që në vegjëli mbi sportin. Fondacioni ka ndërtuar fusha multisportive në disa kopshte të Tiranës e ka punuar me edukatorët për t’u dhënë formimin e duhur që rrjedhimisht do t’u mësohet fëmijëve.

"Vitin e  ardhshëm shpresoj për një karrierë të re. Unë kam dëshirë të filloj një karrierë drejtuesi, si Igli Tare në Itali. Dua të provoj diçka të re në botën e sportit,” tha Cana në “Opinion.”

/Anabel.al/