Viti i Ri po afron dhe një ndër shpenzimet më të konsiderueshme është padyshim blerja e pulës apo gjelit të detit, për të gjithë “fansat” e këtij shpendi.

Duke qenë se kushtojnë jo pak para, konkretisht duke filluar nga 700-800 lek kilogrami në peshë e gjallë, Shije mendoi t’ju japë disa këshilla sesi të zgjidhni një pulë apo gjel të shëndetshëm dhe të rritur me misër e jo hormone.

Stina më e mirë për këta shpendë është dimri, pasi durojnë të ftohtit dhe ngricat, kohë e cila i ndihmon të vendosin edhe dhjamë. Koha më e përshtatshme për shitjen e tyre është java e fundit dhe e parafundit e muajit dhjetor ku ka edhe një bum të këtyre shpendëve.

Si blerës ju duhet të kini kujdes edhe nga tregtarët mashtrues, që i rrisin këta shpende me koncentrat.

Për të mos rënë pre e këtij mashtrimi të rëndomtë ju këshillojmë të udhëtoni personalisht drejt vendit të shitjes. Pazari i Ri dhe Baldushku janë dy nga destinacionet kryesore në të tilla raste. Në Baldushk do të keni mundësi të shikoni nga afër rritjes e gjelit apo pulës së detit si edhe ta merrni direkt nga fusha.

Kështu nuk bëni blerje të gabuara të shpendëve të cilët tregtarët i marrin një muaj përpara se të dalin në treg, i ushqejnë me hormone duke shtuar kështu 6 kg mish brenda një muaji. Kjo është e pamundur nëse gjeli apo pula rritet me misër të pastër.

Nga tregtarët mësohet se kilogrami i gjelit kushton 700 lek kg, ndërsa ajo e pulës 800 lek kg. Kjo pasi pula është më e vogël dhe mishi i saj është më i shijshëm.

Ju e keni bërë zgjedhjen tuaj këtë vit? 
 

Copyright shije.al / Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit