Biznesi i veshjeve shihet gjithnjë e më shumë me zgjerim në Shqipëri, që ndonëse një treg i vogël, janë të pranishëm emra ndërkombëtarë. Sa blenë shqiptarët? Nga ‘gabi’ deri te firmat më të shtrenjta ka klientelë për çdo segment. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 janë importuar në total 33.7 mln lekë veshje të reja. Dyqanet e vogla ankohen për tkurrje, ndërsa qendrat tregtare përfaqësohen çdo vit nga marka të reja. Blerjet online po ‘lëngojnë’ pas ditëve të tyre të arta, ndërsa dyqanet ‘gabi’, të formalizuara, po shtohen dita-ditës.


Mania e shqiptarëve për të shpenzuar për veshje nuk dëshmohet vetëm nëpërmjet statistikave. Numri i dyqaneve ende në këmbë, markat ekzistuese dhe planet për ardhjen e të tjerë emrave ndërkombëtarë, fuqizimi i disa grupeve që tregtojnë veshje për të cilat shqiptarët shpenzojnë shumë, janë veçse disa nga treguesit që dëshmojnë këtë zgjerim.

Sektori i blerjeve online është ridimensionuar në disa forma. Në treg ka tregtarë informalë, të cilët e kryejnë aktivitetin nëpërmjet rrjeteve sociale; dyqane të formalizuara online, të cilat raportojnë tkurrje në aktivitet. Nga ana tjetër, statistikat e transportit tregojnë për një rënie të ndjeshme të mallrave nëpërmjet postës vitin e shkuar. Dyqanet e vogla të tregtisë së veshjeve të përdorura kanë shënuar zgjerim dy vitet e fundit, ashtu sikurse edhe importi i veshjeve, duke dëshmuar edhe për një tendencë të vjetër të shqiptarëve për ‘gabin’. Mirë se erdhët në Shqipëri, vendi ku shpenzimet për veshje janë në nivele europiane.

Një individ shpenzon në muaj rreth 3100 lekë për artikuj veshjeje (ose këpucë). Edhe pse renditemi ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë, kur vjen puna te veshjet shpenzojmë po aq se europianët. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes 2017, pesha e shpenzimeve për veshje dhe këpucë zinte 4.3% të totalit, nga 4.8% një vit më parë. Këto shpenzime janë shumë pranë nivelit mesatar në Europë. Sipas Eurostat, në vitin 2016, shpenzimet për veshje në Europë zinin 4.9% të të ardhurave.

 

Tregu i veshjeve, në zgjerim

Në Shqipëri, bizneset që tregtojnë veshje janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Por, të paktë janë ata që zënë pjesën më të madhe të tortës.
Të ardhurat e ITX Albania, në pronësi të kompanisë Zara Holding B.V, që përfaqësohet ,e markat Zara, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius etj., arritën në 3.07 miliardë lekë në 2017-n (rreth 23 milionë euro), me një rritje prej gati 20% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Tatimet. Që kur hyri në Shqipëri në vitin 2013, ITX Albania ka parë rritje dyshifrore të të ardhurave vit pas viti, e ndihmuar dhe nga preferenca e shqiptarëve për këtë markë të njohur, madje që përpara se ajo të hynte zyrtarisht në vendin tonë.

Një tjetër markë me rritje të shpejtë është LC WAIKIKI Retail AL, me origjinë nga Turqia, që ka hyrë në vitin 2010. Të ardhurat e saj ishin 3.06 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro), në vitin 2017, me një zgjerim të fortë prej 43% në krahasim me një vit më parë. E përqendruar në segmentin e tregtimit të veshjeve me çmime të lira, LC WAIKIKI ka rezultuar e suksesshme në Shqipëri dhe është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Ndryshe nga Zara, që segmenton shtesën e mesme dhe të rinjtë, dyqanet e Waikiki tregtojnë veshje më të lira dhe për të gjitha moshat.
Rritja e ITX Albania dhe LC Waikiki, si dhe zgjerimi i biznesit të rrobave të përdorura, ka goditur dyqanet e vogla, të cilat tregtojnë veshje relativisht të lira.
Një tjetër grup, i cili përfaqësohet me një numër markash të preferuara për shqiptarët dhe që synon grupmosha të ndryshme, është Fashion Group Albania.

 

Importet, në 2017 arritën 34 mld lekë

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në total, vitin e shkuar në Shqipëri janë importuar veshje të gatshme me vlerë totale prej thuajse 34 mld lekë. Të dy zërat e importuar, nën emërtimet sipas nomenklaturës së Doganave, përkatësisht ‘artikuj veshjesh dhe plotësues veshjesh jo të thurura’, si dhe ‘artikuj veshjesh dhe rroba plotësuese të thurura’ përbëjnë në total 33.7 mld lekë.

Krahasuar me një vit më parë, totali i të cilave është 30.2 mld lekë, dëshmon një tendencë të lehtë në rritje të importeve të veshjeve, me thuajse 11%. Sipas tregtarëve të vjetër të dyqaneve me pakicë në kryeqytet, këtë vit ‘guxuan’ të merrnin më tepër furnizime, kryesisht nga Turqia, për shkak të rënies së lirës turke në verë. Ata deklarojnë se kjo rënie u reflektua me porosi më të shpeshta, duke qenë se leverdia e blerjes së mallrave ishte e lartë.

/Burimi: Monitor.al/