Në shtëpinë e aktores dhe regjisores Suela Bako dhe aktorit Romir Zalla duket se ka një shefe të vërtetë kuzhine. Suela duket se ka qenë e tillë që kur ishte fëmijë fare e vogël dhe i duhej të përgatiste jo rrallë drekën për të gjithë familjen. Fëmija i vogël i një familjeje të madhe me katër fëmijë, kuzhina ishte për të një vend “eksperimentimi”, ku futej shpesh në gjurmët e së ëmës për të gatuar receta nga më të ndryshmet.
“Më pëlqen shumë kuzhina. Më ka pëlqyer gjithmonë dhe kam gatuar që e vogël. Kemi qenë katër fëmijë në shtëpi. Jam fëmija më i vogël dhe më është dashur edhe t’u bëj drekën gati pjesëtarëve të familjes. Kam gatuar se e kam pasur shumë qejf dhe që atëherë gatuaja siç gatuhet tani rëndom nëpër ekrane: vendosja të gjithë ingredientët në tasa para meje dhe pastaj filloja të përgatisja ushqimin”, kujton duke qeshur Suela, ndërsa gatuan byrek dhe biskota për ne dhe familjen e saj.

Të gatuash me fëmijët
Tashmë nënë e dy fëmijëve, Kaltrinës dhe Hermesit, duket se pasionin për kuzhinën ia ka transmetuar lehtësisht edhe së bijës.
Çdo fundjavë, Suela dhe Kaltra dhe me raste edhe më i vogli i familjes, bëhen shefa të vërtetë kuzhine, duke gatuar dhe duke u argëtuar.
Është një atmosferë vërtet e këndshme kjo në shtëpinë e tyre, ku mes batutave gjithë humor të Romirit (prej shumëkujt të njohur si ish aktor i “Portokallisë”, apo tani si një ndër drejtuesit e emisionit “Fiks Fare”) dhe notave muzikore në piano të Hermesit, Kaltra dhe Suela përgatisin biskota në formën e fustaneve dhe takave dhe duket se, ndërsa presin brumin bëhen gati të shkojnë në ndonjë ballo përrallash.
E si dikur, kur Suela ishte fëmijë, rituali i gatimit vazhdon, duke nxjerrë në kuzhinë shumë tasa dhe enë gatimi.
“Kjo është e tmerrshme se të bëhen tre apo katër herë më shumë enë për t’u larë, por unë e shijoja dhe atëherë dhe e shijoj edhe tani”, thotë Suela.

Kuzhina, pjesa më e rëndësishme e shtëpisë
Shtëpia e Suelës dhe Romirit është një shtëpi e madhe dhe e gjerë, por pjesa më e rëndësishme është padyshim kuzhina, që zë jo pak vend, por 6 metra linearë.
“Kur kemi hyrë në shtëpinë tonë, një vit pasi u martuam, mobilja e parë që bëmë ishte kuzhina. Vazhdoj të mendoj që është është një kuzhinë e stërmadhe. Gjithmonë e kam vrarë mendjen pse duhet kaq e madhe. Por ndër të tjera, kuzhina e madhe na është dashr se Suela, pasionin me kuzhinën do që ta ndajë me shumë njerëz dhe e kemi bërë tashmë si zakon, që e kemi kthyer apartamentin edhe në shtëpi pritëse për të tjerë. Ne bëjmë shpesh dreka dhe darka me familjarë dhe miq, ku Suela është shefja e kuzhinës”, rrëfen Romiri. Vetë Suela e pranon se ka pasion të blejë më shumë tasa kuzhine sesa fustanë dhe “fiksimi” i fundit i saj janë tasat prej balte.
“Kur dalim jashtë, gjithmonë e blejmë një tas balte, sepse, siç thotë Suela, ata u japin më shumë shije gatimeve”, pranon duke qeshur Romiri.

Pjata e preferuar, sallata
Nëse ka diçka ku ajo mund ta quajë veten “specialiste” gatimi, përveç gatimeve të brumit, që di t’i bëjë shumë mirë, janë sallatat e ndryshme.
Si specialist i të shijuarit dhe i të ngrënit, Romiri e thotë me gojën plot se sallatat janë pika kyçe e tryezave të përgatitura nga e shoqja.
“Është shumë e dhënë pas sallaturinave. Edhe unë kam të njëjtin mendim si Suela, se sallaturinat e bëjnë tavolinën më të shumëllojshme dhe të kënaqet syri”, thotë ai.

Dashuria (s)kalon nga stomaku
Aktori i njohur pohon se në rastin e tij, është e vërtetë që dashuria kalon edhe nga stomaku.
 “Besoj se njeriu kur ha mirë është më i lumtur. Jo vetëm dashuria, por dhe qetësia e duhur në jetën bashkëshortore kalon nga stomaku dhe gatimi i mirë është një element shumë pozitiv.”, thotë Romiri. Ndërsa Suela shton me humor se, në fakt për të nuk është kështu. “Asnjë pikë dashurie nuk ka kaluar nga stomaku m, pasi Romiri nuk di të gatuajë asnjë vezë”.

Regjimi ushqimor  
Për Romirin, baza e një dreke a darke të mirë është mishi ose peshku, por kjo është e kuptueshme edhe për faktin se ai e ka mishin “pikë të dobët”. Edhe Suela ka shijet e veta të ushqimit, e përveç se kuzhiniere e zonja, e shijon edhe shumë atë çfarë i serviret për të ngrënë. Së fundi, mendon se “nuk i ka dhe aq mirë punët” me peshën, ndaj përpiqet t’i imponjojë vetes një regjim më të shëndetshëm ushqimor, pasi “vdes” për brumërat dhe ëmbëlsirat. Megjithatë, këto të fundit nuk mund t’ua privojë fëmijëve, të cilët sipas saj kanë nevojë të shijojnë pak nga të gjitha. Përtej shijeve personale, si Suela edhe Romiri janë dy prindër të kujdesshëm, të cilët përpiqen që fëmijët e tyre të ushqehen shëndetshëm dhe të mos u mungojë asnjë ushqyes. “Ne konsumojmë shumë, edhe për hatër të fëmijëve, gjellërat verore, perime, thjerrëza, bizele, barbunja, bamje. Nuk jemi shumë dakord në këtë pjesë, se vajza nuk pëlqen disa perime, megjithatë i konsumojmë. Jemi përpjekur dhe përpiqemi vazhdimisht në lidhje me fëmijët. Ngulim këmbë që t’i provojnë dhe t’i shijojnë të gjitha ushqimet, mundësisht ndonjë gjë të re përherë, qoftë ndonjë lloj peshku, qoftë ndonjë lloj ushqimi a produkt që nuk e kanë provuar”, pohojnë që të dy. Janë nga ata lloj prindërish, që nuk u pëlqejnë zgjedhjet e ushqimit të shpejtë kur vjen fjala te ushqyerja e fëmijëve, ndaj përpiqen që t’u blejnë sa më rrallë produkte të tillë. Ndërkohë që edhe nga kuzhina e familjes kanë përjashtuar produkte të tillë, si: ketchup-i apo mustarda. Ndërsa dreka duhet të jetë një vakt i plotë, që nuk duhet të mungojë në familje dhe një element i domosdoshëm ushqimor janë frutat. Peshku është “detyrim” që të konsumohet të paktën njëherë në javë. Pijet?! Pavarësisht se, si Suela edhe Romiri pëlqejnë herë pas here të kthejnë ndonjë gotë verë apo birrë (vera, rakia e mirë dhe birra nuk mungojnë kurrë në shtëpi) kur janë me miq, asnjëri nuk e ka alkoolin pjesë të menusë, e po ashtu, as pijet me gaz apo me ëmbëlsues artificialë. Pija që konsumojnë tepër në familje është uji apo lëngje frutash të shtrydhur vetë dhe për fëmijët edhe ndonjë gotë qumësht.

Ndikimi i origjinës dhe kuzhina e mamit
Kuzhina e zonës së Kolonjës, por edhe disa gatime të zonës së Çamërisë janë ato që kanë ndikuar tek shijet e Suelës në gatim, por edhe ato që i shijon më shumë. “Mami im është nga Kolonja. Ajo ka bërë shumë dasma. Nuk është kuzhiniere, por iniciativa, shpirti i saj, energjia e kanë bërë të jetë e spikatur përsa u përket gatimeve”, tregon Suela, ndërsa të dy me Romirin thonë me të qeshur, se mami i Suelës është gjithmonë “e prenotuar” për të bërë bakllava një javë deri në dy javë para Vitit të Ri. Duke folur për gatimet e së ëmës, Suela thotë se ndikimi nga gatimet e saj vazhdon të jetë i madh edhe sot. “Ajo ka ndikuar shumë në mënyrën se si i gatuaj brumërat. Mënyra si përdor yndyrën po ashtu. Përshembull, edhe pse përpiqem të mos përdor shumë yndyrë, kur vjen puna te byreku, më është mbushur mendja nga ime më, që yndyra e ha gjellën, e ha byrekun. Kështu që mbase e teproj me yndyrën”.  Pohon se thuajse gjithë ndikimin përsa i përket mënyrës së gatimit e ka nga e ëma dhe nga zona e Kolonjës, por ka pak ndikim edhe nga kuzhina çame, pasi babai i saj është çam. “Disa gjëra delikate dhe të këndshme, që kam marrë në mënyrën e gatimit janë të gjyshes sime. Për fat të keq, unë pak jetova me të dhe nuk e njoha mirë në kuzhinë gjyshen, për të cilën thoshin se gatuante shumë mirë. Por recetat çame janë shumë elegante dhe shumë të mira e mbi të gjitha të ushqyeshme, ku mbizotëron bulmeti dhe çdo gjë është me qumësht dhe me vezë. Pak kam parë nga gatimet e gjyshes, por ato pak gjëra i kam si copëza shumë të bukura nga fëmijëria”, kujton Suela.

Regjimi i një aktori
Deri tani Romirit nuk i është dashur të ulë kilogramë për ndonjë shfaqje apo film.  Duket se metabolizmi i tij funksionon në mënyrë të tillë që e bën të jetë në formë, por edhe mënyra e të ushqyerit. Megjithatë shton se nëse mund t’i ndodhë që të shtojë ndonjë kilogram që i prish punë, e di teorikisht se si mund të ruajë peshën e duhur. “E di teorikisht si mund ta mbaj veten në formë, që të mos shëndoshem dhe të mos vë bark, por tjetër gjë është praktikisht. Nuk kam durim ta bëj, por një formulë e mirë është që të konsumosh sa më shumë ujë gjatë ditës, se uji ndihmon në të gjithë kuptimet. Duhet të hash mëngjesin me zor, të mos dalësh nga shtëpia pa mëngjes dhe të shmangësh darkën”, thotë ai, ndërsa pohojnë se, në fakt në shtëpinë e tyre nuk ekziston “rituali” i të ngrënit mëngjes dhe Romiri është një prej atyre njerëzve, që i pëlqen shumë brumërat.

Shefe kuzhine edhe në film
Ndërkohë që filmi i saj i fundit, “Mëngë këmishe” ka nisur rrugëtimin e vet nëpër festivale, filmi i diplomës së Suelës, i titulluar “Darka”, kishte si element të fuqishëm ushqimin. I gjithë filmi zhvillohet në tavolinë. Siç vëren Suela, “ka qenë pak impenjative pjesa e shtrimit të tavolinës”.  Xhirimet e filmit ajo zgjodhi t’i bëjë në shtëpinë e dajës së saj dhe nusja e dajës i vuri në dispozicion të gjithë enët dhe setet e kuzhinës. “E xhirova te shtëpia e dajës, se ata kanë kuzhinë të shkëlqyer dhe enë e pjata shumë të bukura, të cilat kishin thjeshtësinë aristokratike që doja për filmin. Nusja e dajës më ka ndihmuar edhe që të ishte menuja e duhur për një darkë si në film: supë me shkronja (kishim një personzh që ishte fëmijë), sallatat për ngjyrat dhe shije etj”.
Thekson se pjesa e kuzhinës në film ka qenë sa impenjative, aq edhe çlodhëse. “Jam marrë vetë dhe e kisha edhe antistres në të njëjtën kohë. Sabina Kodra, që e kisha producente ekzekutive në film, më thoshte: A ka mundësi të mos e prekësh ti këtë?! Ndërsa unë i thosha: -Më lerë, se kjo punë më çliron! Dhe vërtet, të gatuarit më çliron. Në momente kur nuk jam mirë apo jam shumë e ngarkuar emocionalisht, të bërit e diçkaje në kuzhinë, si kek apo byrek, më ndihmon shumë që ta kaloj gjendjen.” 

Recetat e Suelës…

1. Biskota (kullurre)

Përbërësit
Një gotë kos
Një gotë yndyrë (gjalpë të përzier me vaj)
Një gotë sheqer
Një pako pudër pjekjeje
Një lugë çaji sodë buke
Një lugë çaji vanilje
Një ose dy portokallë, të cilëve u grijmë imët lëkurën
Pak kripë
1 kg miell
Kanellë sipas dëshirës

Përgatitja
Rrahim me rrahëse yndyrën me sheqerin, deri sa të bëhet një masë homogjene me ngjyrë të bardhë.
Shtojmë kosin, vaniljen, lëkurën e portokallit. Shtojmë miellin dhe mbi të, pa e përzier ende, shtojmë sodën e bukës dhe pudrën pjekëse.
Fillojmë ta përziejmë me lugë, duke hequr dorë nga rrahësja.
Më pas, brumin e punojmë me duar deri sa të lidhet dhe e shtrojmë mbi tavolinë, nga ku eksperimentojmë me format sipas dëshirës apo mundësive.

2. Byrek me spinaq

Përbërësit
Gjysmë kg miell
Rreth 400 gr spinaq
2 kokrra vezë
150 gr gjizë
200 ml kos
100 ml qumësht
Pak piper të zi
Një lugë çaji kripë                                              


Përgatitja
Zemë brumin me rreth një gotë ujë në të cilën kemi hedhur rreth një lugë kripë. E punojmë dhe e lemë të pushojë ndërkohë që përgatisim gjellën për byrekun.
Fërkojmë spinaqin me kripë derisa t’i ulet volume. Shtojmë vezët e rrahura më parë me një pirun. Shtojmë gjizën, piperin, kosin dhe qumështin. Qumështi bën që byreku të mos dalë i thartë dhe si i prerë, pra e ëmbëlson dhe e zbut. Gjellës i shtojmë edhe vaj ullirri.
Fillojmë të hapim kuleçë të vegjël deri në një diametër prej 15 cm.
I vendosim mbi njëri- tjetrin duke i lyer me yndyrë përpara dhe përftojmë dy ose tre petë me kuleçë, të cilat i hapim në varësi të madhësisë së tepsisë.
Shtrojmë petën e fundme në tepsi dhe vendosim mbi të gjellën. Ky është më shumë sesa byrek një lloj lakrori, pasi e bëjmë me dy petë të plota. Tëhollim petën e sipërme. E hapim me kujdes, në mënyrë që të mbulojë thuajse tërësisht gjellën, duke e rrudhosur pak, me qëllim që të fryhet i qetë prej pjekjes dhe krijojmë anët (koriçkat) e lezetshme, duke i njomur me yndyrë para dhe pas kthimit. Koha e përgatitjes së byrekut (pa pjekje dhe në rastin kur spinaqin e kemi larë më parë) është 30 minuta.