Dita e Verës është parë thuajse gjithmonë si një festë e veçantë në Shqipëri, por që dashje pa dashje e kemi lidhur në mënyrë krejt të veçantë e thuajse ekskluzive me qytetin e Elbasanit. Në fakt, ka dhe zona të tjera të Shqipërisë, ku Dita e Verës është po aq e bukur dhe karakteristike. Një prej tyre është qyteti i Përmetit, ku këtë vit “Slow Food Përmet Albania” do të organizojë një festë të veçantë.
Gatime tipike dhe tradita të kësaj feste do ta bëjnë Përmetin, mikpritës të njerëzve të ndryshëm për dy ditë me rradhë, në 13 dhe në 14 mars.  Por cilat janë traditat dhe zakonet e festimit të kësaj feste në qyetin e vogël jugor?

Duke pritur Ditën e Verës
Një ditë më parë, nuset dhe vajzat përmetare zgjohen me harenë e çmuar në shpirt dhe, ndërsa fëmijët vallëzojnë nëpër shtëpi, nisin përgatitjet e gatimeve tipike. Nuk mund të mungojnë vezët e fshatit të ngjyrosura me lëpushkat e qepëve e as kulaçi, byreku me hithra dhe qumështori, kulaçkat e ëmbla me finjë apo byreksheqeret. “Çka mbetet gjithmonë unike në kuzhinën përmetare është mënyra sesi i jepet vlerë shpirtërore çdo gatimi”, komenton Irma Trako, lidere e konviviumit të “Slow Food Përmet Albania”, që tashmë numëron 60 anëtarë.
Ditën e Verës në mëngjes, kulaçi rrokulliset nga kodra dhe bujku i parë që e kap është i bekuar me begati në arat e tij dhe familje. Një tjetër veçanti qëndron te qumështori, që “për nënën natyrë cilësohet si çelësi i ardhjes së pranverës dhe shtimit të qumështit të bagëtisë”. Sipas gojëdhënave, rrezet e marsit ta bëjnë fytyrën me quka por, hithra i mban ato larg dhe kjo është arsyeja pse hahet byreku me hidhrat e para të njoma të stinës.
Në dorë, çdokush vendos një verojkë të bardhë me të kuqe, e cila mbahet deri sa të pikaset dallëndyshja e parë në qiell. Më pas ajo hiqet dhe varet në degën e trëndafilit ose thanës së bashku me një dëshirë të shprehur. Kështu besohet se dallëndyshja do ta gjejë verojkën dhe dëshira do të realizohet.
“Ajo çka të mbush me mall dhe të kthen pas në kohë janë hapat e fëmijëve pasditen e 13 marsit, zërat e tyre nëpër oborret e gurta dhe daljet për ozi-bozi nëpër rrugicat e ngushta me kalldrëm... Me shporta nëpër duar, ecja e tyre valltareske i jep jetë e atmosferë festës dhe në darkë vonë shportat janë mbushur me vezë, arra, ëmbëlsira dhe fruta nga shtëpitë e e pafundme që fëmijët vizitojnë”, shpjegon Trako.

Ritet e 14 marsit
Ditën e Verës, merret një degë thane, me të cilën “goditet” tre herë trupi i pjesëtarëve të familjes, në mënyrë që thana të kalojë fuqinë e saj në trupin e tyre. Gjithashtu futet në shtëpi një tufëz bar i njomë dhe ujë burimi, simbol i mbarësisë dhe pastërtisë. Fëmijët zgjohen herët për ritualin e Ditës së Verës, ngrënien e vezës së lyer me lëpushkat e qepës që t’u skuqen faqet dhe të rriten të shëndetshëm. Me ujin e vezëve, nënat u pastrojnë sytë të vegjëlve, si urim për një zgjim të shpejtë dhe lutje që fëmijët të mos bëhen dembelë, por punëtorë si baballarët e tyre.
Gjatë festës përgatitet një zjarr me degë dëllinje dhe gjyshet thonë se fëmijët duhet ta kapërcejnë zjarrin që t’u largohen të këqiat.
Muzika popullore dhe të gjitha këto festime mirëpresin me dashuri dhe përkushtim dy mikesha të dashura: Pranverën dhe Verën!

Të gjitha këto tradita do të vijnë përmes një menuje të veçantë nga “Slow Food Përmet”, të cilët u bëjnë thirrje të gjithëve që të vallëzojnë dhe të festojnë me ta, duke kontribuar kështu sadopak për agrobiznesin dhe prodhuesit e vegjël të zonës.
Sipas Dhurata Thanasi Danerit, ambasadore e “Food Revolution” në Shqipëri, e cila i kushton vëmendje dhe kërkime të veçanta artit kulinar, nisma të tilla si kjo e “Slow Food Përmet”,  promovojnë kuzhinën e territorit, prodhuesit e vegjël që dersifikojnë prodhimin  dhe që kanë tipologji të tyret të prodhimeve. “Diçka e tillë mbështet prodhuesit e vegjël, agrobiznesin, sigurisht, duke pasur parasysh edhe rregullat e  higjenës. Kjo bën të mundur edhe që fermerët të mos ngelen peng i ndërmarrjeve të mëdha, që veçse e mbulojnë çfarë është organike dhe origjinale e një vendi”, komenton Daneri. Ajo vëren se, vitet e fundit “Slow Food” po merret me ruajtjen e traditave dhe vlerave kultore e etnografike, enët e kuzhinës etj. Ajo çfarë është e veçantë është se në festimet e Ditës së Verës në Përmet, gjithçka që do të gatuhet dhe do të shijohet do të jetë vetëm me perime stinore, që evokojnë dhe promovojnë pikërisht vlerat e zonës dhe traditën. “Në këtë festë përfshihen të gjithë grupmoshat. Është një festë që duhet evokuar. Shumë shqiptarë njohim vetëm ditën e verës së zonës së Elbasanit, por ka shumë zona të tjera, ku festimet janë po aq të veçanta, siç është përshembull dhe zona e Dibrës”, përfundon Daneri.

Menuja e Ditës së Verës në Përmet
(Me çmime simbolike për të ndihmuar organizatorët në realizimin e eventit)
Vezë fshati të ziera në ujë dhe lëpushka qepe – 25 lekë
Tavë me lëpjetë guri dhe lulëkuqe - 50 lekë
Qofte të rrema - 20 lekë (3 qofte)
Kulaç i rrokullisur nga kodra - 20 lekë
Byrek me hithra - 40 lekë
Kole me vezë fshati dhe djathë dhie - 150 lekë (2 vezë)
Këmbë dhie me oriz dhe lakra të egra - 100 lekë
Domate të thara të kaluara në tigan - 20 lekë (4 copë)
Përvlak - 20 lekë
Bobole të ziera në dorje - 20 lekë
Kulaçka të ëmbla me finjë - 10 lekë
Petulla me mjaltë, arra dhe bajame - 50 lekë (2 copë)
Qumështor me kulloshtër - 30 lekë
Gliko arre - 40 lekë (2 kokrra)
Verë e bardhë Debinë - 80 lekë
Verë e kuqe Shesh i Zi - 80 lekë
Raki Moskat - 50 lekë