Orgesa, sapo të hap derën e shtëpisë me një buzëqeshje fëminore të drejton tek kuzhina. Një hapësirë e madhe po aq sa dhe pjesa tjetër e ndjenjes. “Është projektuar dhe mobiluar e gjithë shtëpia, veçanërisht kuzhina, nga Mentori”, tregon Orgesa dhe shton duke qeshur: “Pavarësisht se më rastis mua të qëndroj më tepër”. E gjithë hapësira e kuzhinës, por jo vetëm ka shumë ngjyra, jo vetëm mbi tavolinë ku sheh tabelën e vogël me emrat e pjesëtarëve të familjes të shkruar sipër, detajet e mobilimit prekur gjithandej me mjaft dashuri. Orgesa Zaimi, këngëtarja me stil mjaft të veçantë dhe të personalizuar ka pranuar të gatuajë dhe të rrëfejë për Shije. al rutinën e ditës së saj, shijet në të ngrënë dhe angazhimin si nënë e 2 fëmijëve të vegjël.

Si është rutina juaj e ditës?
Tashmë jeta jonë ka një ritëm shumë të shpejtë sepse kemi dy fëmijë për të cilët jemi tërësisht të dedikuar, të dy bashkë në mënyrë të barabartë. Mëngjesi është më i vrullshmi nga të gjithë, sepse është zgjimi, përgatitja për kopsht, për punë. Por në përgjithësi mund të them që tashmë ky vrull është bërë pjesë e ditës dhe më duket sikur e kam edhe të domosdoshëm në një farë mënyre, është një lloj adrenaline.

Si organizohesh për ushqimin e fëmijëve?
Duke qenë se i kam akoma të vegjël jam shumë e kujdesshme. Unë jam rritur me një kujdes maksimal nga ime më dhe im atë, që nga gatimet pa kripëra dhe pa shumë yndyrna. Tashmë vajza ime, Bora 3 vjeç e gjysmë, ha çfarë gatuajmë për vete, ndërsa djalin e kam akoma në fazën e ushqimeve të vitit të parë, supat e grira me perime, drithërat frutat dhe qumështi. Jam goxha e vëmendshme, por kam një lloj rregulli që nëse nuk u hahet mos ua jep me pahir apo siç thonin dikur “të mbarosh pjatën”. Supat i bëj vetë, madje me shumë qejf, dhe pjesën tjetër të gatimeve i bëj përgjithësisht pasditeve, sepse atëhere jemi të gjithë në shtëpi.

Sa kohë shpenzon në kuzhinë?
Më shumë kohë kuzhina më merr në fundjavë, kohë kur jam tërësisht e dedikuar dhe e detyruar të gatuaj për familjen sepse mblidhemi të gjithë. Ndërsa gjatë javës mami është “arma ime sekrete”, pasi kur jam në punë kujdeset për djalin tim dhe gatimin. Është një fat dhe lehtësi e madhe të kthehesh nga puna dhe të gjesh për të ngrënë gatime nga duart e mamit.

Ke gatuar më përpara?
Në krahasim me motrën time kam qenë më debele, sidomos me ushqimet që përgatiten me brum, problem të cilin vazhdoj ta kem pasi kam “ngecur” tek hapja e petëve. Kam provuar të gatuaj në kohën e gjimnazit dhe më pas gatuaja me qejf gatimet kryesisht në tavë si speca të mbushur me oriz, mish, fërgesat, tavë kosi dhe veçanërisht imam bajalldinë, e cila dhe sot është pjata ime e preferuar. Më pas kur nisa bashkëjetesën me tim shoq provova të gatuaja pastat, orizin dhe zbulova dashurinë time për penet “arrabiata” me suxhuk, një pjatë aq pikante dhe aq larg mënyrës time të dikurshme të ushqyerit. Por çuditërisht më pëlqejnë ushqimet e kësaj natyre. Për më tepër më duket se i kam kultivuar pasi im shoq, Mentori është nga Kukësi dhe në atë zonë i kanë specialitet ushqimet si gjizë me speca djegës apo turshitë me spec. Tani më mbetet veçse të mësoj si bëhet flija dhe sarma, 2 gatime të tjera shumë të shijshme të kësaj zone.

Çfarë të pëlqen të shijosh thuajse çdo ditë?
Unë jam një njeri që mund të ngopem edhe me një sallatë që ka brenda sallatë jeshile, lakër, karrota, misër apo dhe ton. Më pëlqejnë shumë brusketat që i bëj vet me domate të freskëta dhe djath të bardhë, vaj ulliri dhe majdanoz. Më pëlqen të gatuaj edhe pulën me vaj ulliri, (e kam shumë merak gatimin me vaj ulliri) dhe erëza jo shumë pikante sepse tashmë që Bora ha njësoj si ne, kujdesem që gatimet të jenë të përshtatshme edhe për të.

Si po ua kultivon shijet në të ushqyer të vegjëlve?
Që në momentin që ata filluan të hanin ushqime më të forta kam provuar t’u jap të shijojnë çdo lloj ushqimi (kuptohet në përshtatje me moshën). Mendoj se kjo është mënyra më e mirë në lidhje me ushqyerjen e një fëmije. Patjetër që zgjedhja se çfarë u pëlqen më shumë do të vijë më vonë, por kam menduar që t’u jap mundësinë të shijojnë çdo gjë të ngrënshme. Dhe besoj se ia kam arritur deri tani pasi Bora ha çdo ushqim, përveç rasteve ku pjata nuk “ia mbush syrin” dhe me sa duket dhe ajo e ka kuptuar që dashuria për ushqimin fillon që nga syri.

Po vetë a e ke ndryshuar regjimin ushqimor?
Patjetër që po, para dhe gjatë shtatzënive ishte regjim i rreptë ushqimor me një dietë të pasur. Edhe pas lindjes së fëmijëve isha mjaft e vëmendshme pasi i kam ushqyer të dy me qumësht gjiri. Kam vetëm pak kohë që kam rikthyer vëmendjen tek trupi im, po ha më pak për të ruajtur linjat, për më tepër që ndjehem me fat pasi ngjaj nga im atë, i cili ka pothuajse të njëjtat linja si 40 vjet më parë. Por përmbi të gjitha jam e bindur që çelësi i një jetese të lumtur është kujdesi me ushqimin dhe e besoj fort këtë.

A kanë këngëtarët një regjim të caktuar ushqimor, ti vetë a  ndjek një regjim?
Nuk e di për të tjerët po unë për veten time kujdesem gjithnjë që të ha ushqimet e duhura, që do të thotë proteinat e nevojshme ose ato ushqime që të lejojnë jo vetëm të jesh në formë, por edhe që kujdesen për qëndrueshmërinë fizike. Patjetër që e prish ndonjëherë regjimin kur më hahet ushqim fast-food-i po pastaj e rregulloj duke qenë se konsumoj shumë lëngje, ujë dhe përzierje detox si uji me limon në mëngjes përshembull.

Je tip që lexon mbi kuzhinën, recetat apo ia le në dorë më shumë fantazisë dhe eksperimentimit?
Nuk u besoj shumë recetave që lexoj sepse dua ta kem afër  personin që gatuan, ose të shoh një video ne internet si e realizon pjatën etj.

Çfarë recete ke për të bindur Borën, Kronin (apo edhe Mentorin) për të ngrënë një ushqim të caktuar?
Mentorin nuk e bind dot kurrë, po me fëmijët dihet: përralla ose me lojën e famshme të avionit, megjithatë deri tani s’ka qenë dhe aq e vështirë. Mendoj se kam krijuar një regjim të mirë me fëmijët që nga oraret e deri tek ushqimet e tjera. Unë kam qenë gjithnjë për kuzhinën e pasur, por sidomos kuzhinën tonë tradicionale, patjetër që më pëlqejnë receta të ndryshme, por jam përsëri për kuzhinën tonë dhe vlerat e saj.

Patëllxhanë të mbushur

Përbërësit
6 patëllxhanë
500 gram mish  grirë
3 speca jeshilë
1 karrotë
Domate
Qepë
Majdanoz                                                          
HUdhra

Pasi të qërosh patëllxhanët nga brenda i lë të marrin një valë dhe pastaj i pjek në tavë. Pjesa e brendshme ruhet, grihet dhe kavardiset bashkë me qepët dhe specat. Më vonë hidhen domatet dhe mishi i grirë që është bërë më vete ose mund të hidhet në përzierjen e cila gatuhet për rreth 25 minuta në nxehtësi jo shumë të lartë. Tani fillon mbushja e patëllxhanëve që i kemi skuqur më vete. I vendosim në tavë, mbushen dhe u hidhet ujë, tashmë edhe majdanozi i grirë dhe 6-7 thelpinj hurdhër dhe kripë sipas dëshirës. Mua personalisht, më pëlqen që ta lë në furrë derisa të thahet disi mos te ketë shumë lëng.

Sallata shumëngjyrëshe

Përbërësit:
Sallatë jeshile
Lakër e kuqe
Karota
Misër
Mocarela                                                          
Vaj ulliri
Limon
Kripë                                                           

Përgatitja
Shtrohet baza me sallatë jeshile dhe të gjith përbërësit shtrohen në maë sipas dëshirës apo personave që do ta konsumojnë. Në fund i hidhet vaj ulliri, lëng limoni dhe kripë.