Nuk është një nga ato gra që gatimin e ka dashuri dhe pasion të veçantë. Megjithatë, Klaudia Hila e ka pjesë të rëndësishme ushqimin dhe kuzhinën. Kur për herë të parë bëri shefen e kuzhinës sapo ishte martuar dhe ishte shtatzënë, në pritje të vajzës së parë. Që atëherë, rreth 21 vite më parë, kuzhina ka qenë dashje pa dashje vendi ku do të gjendej përditë, për të gatuar ushqime për familjen e saj.
“Duke qenë amvisë prej shumë vitesh, më është dashur që të mësoj të gatuaj. Raportin me gatimin nuk e kam raport dashurie, por gjithçka e kam mësuar për faktin që, personave që ua jap këtë ushqim, personave që i mbledh për t’u kënaqur përmes këtij ushqimi, t’ia jap atë që hanë përmes dashurisë. Gjithmonë gjej rrugën e dashurisë për të shkuar te ushqimi”, shprehet regjisorja Hila.
“Thonë që dashuria kalon nga stomaku. Mendoj se mund të jetë e vërtetë, pavarësisht se nuk e vërtetoj këtë te vetja ime. Por duket ditur që si për Adin, edhe për vajzat e mia, apo për miqtë që i kam të shumtë në shtëpi, mbledhja rreth një tavoline është shumë e rëndësishme, padyshim që ushqimi dhe shija e tij kanë vlerë të jashtëzakonshme”, komenton Hila.

Hera e parë…
E kujton me humor herën e parë kur ka gatuar. Sapo ishte martuar me Adin dhe pranon se ajo çfarë gatoi ishte padiskutim një dështim i vërtetë.
“Pjata ime e parë ka qenë supë dhe ka qenë një rrëzim, dështim i vërtetë. Madje, im shoq me humor thoshte: Nëse dini not, mund të futeni. E tillë ka qenë supa ime e parë”, rrëfen me të qeshur Klaudia.  Edhe pse pranon se e ëma e saj ka qenë tepër e zonja në kuzhinë, madje gati “e fiksuar”, ajo vetë nuk kishte fare interes për kuzhinën. “Ishte motra ajo që rrinte gjithnjë pas mamasë. Ime motër edhe pse jo kuzhiniere në profesion, me dashuri dhe me shije është ekzemplar për pastiçerinë dhe kuzhinën. Unë kam pasur qejfe të tjera. Kam pasur qejf shoqërinë, lëvizjen, daljen, gjëra që nuk kishin lidhje në fakt me gatimin. Ndërkohë që kur bëhesh amvisë gjërat ndryshojnë. Unë isha dhe shtatzënë me gocën e madhe dhe ishte një lloj detyrimi i brendshëm, një ndjesi, që njeriu kërkon vërtet të jetë amvisë shtëpie me të gjithë elementët”. Për Klaudian, ky raport me gatimin dhe kuzhinën ishte shumë i rëndësishëm për një marrëdhënie shumë të mirë jo vetëm me burrin, prindërit apo motrat e tij, “por një marrëdhënie e drejtpërdrejtë me ngrënien e përditshme, me gatimin e përditshëm”.
“E pse jo, edhe me bisedat rreth tavolinës, që i kam vërtet të rëndësishme, sepse në ato biseda njeriu arrin që të ketë komunikimin e përditshëm. Nëse në një gatim të mirë, përveç shijes vendos edhe dashurinë, padyshim që të gjitha gjërat e tjera vijnë po kaq shijshëm.”

Mes Jugut dhe Veriut
E rritur në një familje ku e ëma gatuante jo thjesht shumë mirë, por gatuante edhe tepër, Klaudia e ka dhe sot tepër të rëndësishme gatimin për “t’u mbledhur rreth tavolinës”.
“Nëse do të doja të flisja për një marrëdhënie timen të drejtpërdrejtë me ushqimin, nuk është se kam ndonjë preferencë të caktuar. Pra, nuk jam person që ndikohem e varem shumë nga ushqimi. Kam disa gjëra që më tundojnë, si çokollatë apo ‘Nuttella’ dhe këto të ëmblat, por nuk futem te njerëzit që jam e ndikuar tepër nga ushqimi”, vëren Klaudia.
Me origjinë nga Shkodra, por me të ëmën e lindur në Durrës dhe të rritur në Tiranë, si dhe me babain të rritur në Tiranë, kuzhina e Klaudias ka qenë më tepër se shkodrane, një kuzhinë tradicionale shqiptare, jo me ndonjë specifikë më vete. Ndërsa martesa me kompozitorin Adrian Hila do të bënte që Klaudia të fokusohej paksa edhe tek gatimet me origjinë në Jugun e Shqipërisë. “Adi ka qenë disi i prirur, si tek pjesa e Jugut që dihet, tek mishi. Është ngrënës i mirë i mishit. Duke qenë se kam një jetë me Adin (Unë nuk kisha mbushur ende 19 vjeç dhe ai nuk ishte bërë 21 vjeç kur u njohëm), kam mësuar shumë për kuzhinën e Jugut dhe shijet e tij. Shkonim shumë te shtëpia e Adit dhe duke parë mamanë e Adit si ia servirte mishin djalit të saj, padiskutim që arrita ta shikoj e ta zbatoj dhe unë këtë mënyrë gatimi, kur u bëra amvisë në shtëpinë time”, thotë Klaudia.

Shijet më të dashura
Nëse ka diçka, të cilën Klaudia preferon ta konsumojë përveç ëmbëlsirave, pilafit dhe frutave, që nuk i ndan (mandarinat, qershitë dhe shegët), ato janë supërat dhe sallatat. “Jam amatore e rregullt e sallatave. Supërat dhe sallatat i kam shumë të preferuara. Nuk jam shumë mishngrënëse, se ndoshta edhe preferencat e mia shkojnë te të ëmblat.  I kam më qejf të ëmblat se të kripurat.  Por, megjithatë, duke ditur që preferencat e Adit janë më shumë te mishi, edhe unë normalisht e kam nënvizuar këtë element të mishit në shtëpi”, komenton regjisorja.

Ajo rrëfen se Adi është një natyrë që në tavolinë i pëlqen shumëllojshmëria, gjërat e veçanta dhe tenton me shijet. Ndaj nuk qëllon kurrë që tavolina e tyre të jetë e varfër, as në ditët e zakonshme.
“Gatuaj përditë se Adi ka dëshirën e madhe për të pasur gjëra të shijshme në tavolinë. Ndaj, kësaj blerjeje të madhe që ai u bën ushqimeve, është normale që t’i përgjigjem edhe me gatim. Nuk ndodh ndonjëherë që të vijnë në shtëpinë tonë njerëz dhe të mos e gjejnë tavolinën plot, se e kemi mësuar veten në mënyrë të tillë”, vë në dukje Klaudia, duke shtuar megjithatë se ky gatim i përditshëm, për hir të së vërtetës, i kthehet ndonjëherë edhe në rutinë të mërzitshme.
“Gatimi i përditshëm, në fakt kthehet në një lloj rutine, sa edhe ata që e duan gatimin, deri diku mendoj se mërziten. Ndoshta dikush mund të ketë edhe kohë dhe vërtet e shijon të gatuajë, por duke mos pasur shumë kohë në dispozicion, përveç faktit që nuk është se kam dashuri të madhe për gatimin, ndodh që të më kthehet në rutinë. Megjithatë, jam munduar që shijet e njeërëzve të familjes t’i kem gjithmonë prioritet dhe të arrij t’i realizoj”.
Kështu, edhe pse në shtëpi, të katërt duket se kanë shije të ndryshme, Klaudia përpiqet të bëjë më të mirën për të gjithë. Adi është ai që nuk gatuan kurrë, por që megjithatë është shumë merakli në pjesën e gatimit, ndaj dhe Klaudia i kushton shumë rëndësi ushqimit që përgatit për të. “Jo se nuk u gatuaj me merak vajzave, por vajzat e duan në formë tjetër. Për fat të mirë, vajza e madhe duke qenë se është shumë e dhënë pas ushqimit, e gatuan vetë me shumë dashuri dhe e bën shumë të mirë. Por edhe vajza e vogël ka tendencë të zgjedhë vetë vaktet e veta dhe nëse nuk ka vakt të shëndetshëm, gjë që nuk ndodh shpesh, është e zonja e vetes për t’ia dalë mbanë. Kur vijnë shoqet e saj në shtëpi, bëjnë krepa bashkë dhe kjo më pëlqen, se duke bërë diçka bashkë edhe marrëdhënia bëhet më e ngrohtë”, rrëfen Klaudia.

Vendi i preferuar? Restorantet!
E pranon se pavarësisht se gatuan mirë dhe e bën këtë thuajse përditë, i shijon më shumë momentet kur darkon me Adin dhe miqtë në restorant.  “Kam gatuar për 24 vjet dhe nuk e kam dashur në mënyrë të veçantë gatimin, ndaj mezi presim rastet që të ftojmë apo të na ftojnë miq dhe të shkojmë të hamë në restorante. Është një zgjidhje shumë e mirë që të heq dhe lodhjen nga shpatullat. Personalisht, jam shumëe lumtur kur zgjidhen këto punë me lokalin. Madje dua të shijoj çdo bisedë, çdo debat dhe humor pa lëvizur fare nga vendi.”
E pavarësisht kësaj, ajo e di se dreka është gjithmonë “e shtëpisë”. “Jemi familje tradicionale. Adi i ka shumë më të preferuara ushqimet e shtëpisë, sesa ato që gjen nëpër restorante. Me miqtë lemë darkat, kurse dreka është një vakt domethënës për familjen në shtëpi”, përfundon Klaudia.

Regjimi ushqimor
Mundohet që gatimi i shëndetshëm, duke filluar që nga vajrat të jetë pjesë e regjimit ushqimor të gjithë familjes. Kur është e mundur i eviton të skuqurat, ndaj për këtë arsye në shtëpinë e tyre gjen sobë për gatimin me avull e shumë mjete dhe enë kuzhine për gatim të shëndetshëm. “Por nuk mendoj megjithatë, që kemi kaq shumë edukatë për të qenë kaq strikt në të ngrënin e shëndetshëm. Sallatën e përdorim, por mbase e teprojmë me masën e të ngrënit të të gjithë gjërave në përgjithësi”, vëren Klaudia. Një ndër pjatat që nuk mungon kurrë në tryezën e familjes Hila është rizotoja apo pilafi, të cilin Klaudia thotë se arrin ta përgatisë në perfeksion, pa përdorur asnjë lloj mase. Është edhe një nga pjatat që ajo vetë e do shumë, ashtu si dhe edhe krem karamelin, të cilin thotë se e ka dobësi, si dhe ‘cheesecake’-un.
Por, me shije i ka mbetur edhe një ëmbëlsirë tradicionale e zonës së Shkodrës, tespixhja, që e ëma ia gatuante në rininë e hershme.
Po ashtu edhe pite-pulja, që Klaudia thotë se si tespixhja, është pjesë e kuzhinës tradicionale të Shkodrës, ashtu si edhe e gjithë Veriut.  Ajo e gatuan tepër rrallë këtë recetë, për shkak të kalorive të shumta që ka. Ndërsa herë pas here, gatuan në shtëpi lazanjë, sepse është një nga ushqimet që e do shumë vajza e saj e vogël.

Detajet në tryezë
Për të, detajet dhe zbukurimet në tryezë kanë tepër rëndësi, mbase më tepër se vetë ushqimi. “Më pëlqen një tavolinë e bukur, e dashuroj. Kur shikoj një tavolinë të bukur, mendoj se është mrekulli më vete. Më pëlqen të kaloj shumë kohë në dekorimin e një tavoline dhe më pëlqen shumë që një tavoline mos t’i shikoj ushqimin, por vendosjen e gjërave”, komenton Klaudia, duke shtuar se pikërisht dekorimi i tryezës është pjesa që i krijon më shumë efekt dhe i pëlqen. “Një vendosje e bukur e pjatave, seteve të gotave e kështu me rradhë, më intrigon dhe më tërheq shumë. Babai im, i cili sot nuk jeton më, ka qenë një merakli i jashtëzakonshëm në këtë pikë dhe ndoshta prej tij kam marrë pikërisht elementin e një tavoline të bukur”, shpjegon artistja Hila.

Pijet
Vera është pija që ka më për zemër, ndërsa i vjen pak keq që nuk pi aq ujë sa do të donte. “Në fakt thonë se uji është pija më e mirë, që duhet të përdorim secili. Do të doja të pija më tepër ujë, por nuk jam natyrë që e pi shumë. Një gotë verë me miqtë me pëlqen, por edhe pa miq e pi, sepse më bën mirë për çështje shëndeti dhe e kam kthyer gati- gati në traditë timen, edhe pse nuk kam shoqërues në shtëpi, sespe Adi nuk i ka qejf këto pije, por pi më tepër të gazuarat”, rrëfen Klaudia.
Ndërsa përsa i përket pijes që konsumon më tepër kur është mes miqsh, është çaji. Së fundi, sidomos ka filluar të pijë së shumti çajin e xhenxhefilit, në një bar afër shtëpisë së vet. “Çajrat bio më tërhqin. Shpesh e gjej barin poshtë shtëpisë, si një vend ku çaji i xhinxherit bëhet ndryshe nga gjithë lokalet e tjerë. Pirja e çajit është një lloj kënaqësie kur je në shoqëri dhe jo vetëm kafja. Çaji ma bën dhe më të ëmbël bisedën me shoqërinë”.

Kuzhinat e botës
Rasti e ka sjellë që të udhëtojë shpesh dhe në vende të ndryshme. Vitet e fundit ajo dhe Adi kanë vizituar shpesh Italinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studion për mjekësi edhe vajza e tyre e madhe, por edhe ku kanë një pjesë të mirë të familjarëve.
Edhe pse vende të ndryshme, si vendet sllave, Greqia apo Turqia i kanë bërë ta ndiejnë veten si në shtëpi me kuzhinën e tyre të ngjashme me atë shqiptare, Klaudian e ka bërë për vete kuzhina kineze në SHBA. “Është vërtet një mrekulli përsa u përket asortimenteve që kanë, por të jem shumë e sinqertë nuk tentoj ta bëj timen duke e gatuar. Këto restorante janë në njëfarë mënyrë një pikë, ku shkojmë të gjithë bashkë kur jemi në Amerikë, se dhe njerëzit e Adit janë të gjithë atje. Kështu, bëhemi rreth 20 vetë dhe shkojmë të gjithë në restorantet kineze për t’u kënaqur. Përveç pilafit në këto kuzhina, që dihet se është i mrekullueshëm, mua më pëlqejnë edhe petullat. Për mua, petullat e kinezit përbëjnë një çudi më vete. Është vërtet për të qeshur, por atje e gjej veten më rehat përsa i përket ushqimit.”

Recetat e Klaudias

Pite pulë
Koha e përgatitjes: 40 minuta
Porcionet: 4

Përbërësit
Miell (për të hapur 10-12 petë)
Ujë
Kripë
Vezë- 10 kokrra
Gjalpë
Mish pule

Përgatitja
Me miell, ujë dhe 10 kokrra vezë ziejmë brumin për të hapur me to petët.
Pite pula është e vlefshme kur petët e pjekura janë me brumë të zënë me vezë.
Pasi hapen petët, piqen në një temperaturë 200 gradë Celcius. Në anën tjetër kemi zier pulën, të cilës i kemi shtuar edhe gjalpë. Pas zierjes së pulës, lëngu i ngrohtë hidhet mbi petët e pjekura të ftohura. Ndërsa pula piqet në furrë, tava e petëve mbulohet me një tepsi përsipër, në mënyrë që petët të zbuten nga lëngu.

Pilaf
Koha e përgatitjes: 15 min
Porcionet: 4

Përbërësit
Oriz
Ujë
Mish pule
Kripë

Përgatitja
Ziejmë pulën dhe në varësi të llojit të pilafit fusim pa masë (me sy) një sasi orizi (mbase një gjysmë kg oriz), që të jetë një gisht poshtë lëngut të pulës. Sapo presioni merr valë të fortë e ulim gradimin tek numri 2 dhe e lemë të ziejë për 15 minuta.