22 marsi shënon në Shqipëri Ditën e Novruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Novruzit. Fillimi i vitit të ri, sipas sektit bektashian, përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe dhe festohet me rite të veçanta, që veç të tjerash shoqërohen me gatime specifike në këtë ditë.

Në “shije.al” ne do të tregojmë jo thjesht për gatimet e ditës së Sulltan Novruzit, por edhe për domethënien e tyre përmes një bisede që kemi pasur me nënën dhe motrën e kreut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondit (Haxhi Baba Edmond Brahimaj).
Dy “gratë e jetës” së Baba Mondit (Haxhi Baba Edmond Brahimaj), e ëma e tij, Merushe Brahimaj dhe e motra, Dallëndyshe Bardha (Brahimaj) vijnë në këtë rrëfim dhe ndërsa gatuajnë për ne, zbulojnë edhe ca ‘sekrete’ lidhur me mënyrën e të ushqyerit të kreut shpirtëror të bektashinjve.

Ritet në komunizëm dhe tani
Të lindur në Bratanj të Vlorës, prindërit e Baba Mondit kanë gjithmonë praktikues të riteve fetare të bektazhizmit. Edhe në periudhën e komunizmit, kur diçka e tillë dukej e pamundur në familjen e tyre nuk do të kalonte asnjëherë pa u festuar Sulltan Novruzi apo festa të ngjashme.  Kështu, Merushja dhe vajza e saj, kujtojnë se në shtëpinë e tyre nuk ka kaluar asnjë vit pa therrur gjelin, që është në njëfarë mënyre simbol i kësaj dite ndër bektashinj. 
“Në Sulltan Novruz therret qengj ose gjel fushe. Ne bëjmë syltjash, që të pritet me ëmbëlsi Imam Aliu që fluturon dhe lindja e tij. Tre ditë përpara pastrojmë shtëpitë, rregullojmë, hekurosim, vendosim perde të reja dhe u veshim rroba të reja fëmijëve. Këndohen edhe këngë. Ne bëjmë edhe darkën nëpër shtëpi dhe në teqe. E kemi pasur këtë traditë edhe pa qenë Baba Mondi. E kemi në fis besimin dhe këto tradita. Gjatë kohës së komunizmit i kemi bërë pak fshehurazi gjëra të tilla, por kurrë nuk i kemi lënë pa bërë.”, thotë Merushe Brahimaj, ndërsa tregon për ritet e kësaj feste në familjen e tyre.

Tre vaktet e Sulltan Novruzit
Në mëngjesin e ditës së Sulltan Novruzit sipas asaj që na tregon nëna dhe motra e Baba Mondit, duhet patjetër të pihet sherbet dhe qumështi i ëmëbl me sheqer. Duhet të serviren dy gota rakie dhe njëra prej tyre është me sherbet dhe tjetra me qumësht me sheqer. 
Sherbeti dhe qumështi me sheqer serviren për të nisur ëmbël fillimin e pranverës. Ndërsa qumështi me sheqer serviret për të simbolizuar begatinë e prodhimeve blegtorale, ashtu siç konsumohen edhe 12 barishtet në këtë ditë, që nga ana e tyre veç të tjerash janë simbol  begatie për bujqësinë. Të njëjtin kuptim, pra atë të ëmbëlsisë dhe të begatisë e ka edhe përgatitja e syltjashit apo e ashures.
Byreku me lakra apo me barishte është një simbol shumë i rëndësishëm i kësaj dite. Ai përgatitet me 12 lloje barishtesh, thuajse të gjitha barishtet që lulëzojnë në fillim të pranverës: me lulëkuqe, me spinaq, me pazzi, me labovë, me lëpjetë, nenexhik, kopër e majdanoz etj. “ Duhet të bëhen 12 lloje barishtesh. Tani është edhe stina që ato dalin. Janë të parat që lulëzojnë dhe është fillimi i tyre. Ne bëjmë byrekun me to. Duhen 12 barishte sepse 12 janë muajt e vitit, 12 janë imamët, i pari prej të cilëve është Imam Aliu”, shpjegon motra e Baba Mondit, Dallëndyshe Bardha (Brahimaj).
Ajo sjell ndërmend se kur ishte e vogël ky byrek nuk mungonte asnjëherë në shtëpinë e tyre me rastin e festës. Ashtu si dhe gjeli që ishte një domosdoshmëri.
“Byreku me lek gjithmonë do të bëhej me 12 barishtet. Kurse gjelin, mami e ruante gjithë vitin dhe e therrte më 22 mars. Edhe qingjin në fakt e kemi therrur gjithmonë, se gjyshërit e mi kanë qenë dhe muipë, pra e respektonin traditën me fanatizëm. Por 22 marsi e do gjelin se s’bën”, thotë Dushka, siç e thërrasin familjarët.
Sipas Dushkës, ushqime të tjera që këshillohet të gatuhen për Novruz janë edhe byreku me qunmësht me petë të pjekura, me gjalpë dhe me vezë, syltjashi apo keku me sherbet.
“Mund të bëhen edhe gurabije me qumësht të ëmbël për të qerasur njerëzit, kurse në drekë është mirë të therrësh një gjel mbi një vjeç, që gatuhet në mënyra të ndryshme sipas zonave ku ka bektashinj.”

Regjimi ushqimor i Baba Mondit
Tashmë ajo është gruaja që kujdeset drejtpërdrejt për ushqimin e Baba Mondit, madje më tepër se e ëma, e cila për shkak të moshës nuk mund të gatuajë ashtu si më parë. Gatimi është shndërruar në një profesion për Dushkën (Dallëndyshen), e cila bashkë me bashkëshortin e saj kanë një restorant në afërsi të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, afër zonës së Ali Demit. Edhe nëna e Baba Mondit dhe Dushës, Merushja, jeton po ashtu afër Kryegjyshatës dhe të dy gratë kujdesen drejtpërdrejt për djalin e shtëpisë.
“I gatuaj vetëm zarzavate dhe mish pule ose peshk”, rrëfen Dushka, ndërsa shton se i vëllai (ato në fakt i thërrasin gjatë gjithë kohës Baba Mondi) nuk e tepron kurrë me ushqimin.  “Mishin e viçit dhe të dashit ia bëj shumë rrallë, por zarzavatet i konsumond përditë.  Në mëngjes, Baba Mondi ha trahana të athët me bukë misri. Trahananë ia bën mamaja me vaj iulliri dhe me kos, që e zë vetë me qumësht fshati.  Trahananë e zë me miell gruri, me miell vendi, të cilin e merr tek fshatarët që e bluajnë vetë dhe jo të blerë në market”, rrëfen e motra e Baba Mondit.
Sipas dy grave, trahanaja është një nga ushqimet e preferuara të Baba Mondit, që nga fëmijëria, ashtu si edhe përsheshi me gjeldeti apo me lëngun e mishit të qingjit, që sipas së ëmës, ka qenë pjata e preferuar e tij kur ishte i vogël.
“Nuk ka qenë hamës. Ka qenë shumë nazeli në të ngrënë. Edhe kur kishte dëshirë të hante diçka nuk kërkonte. Ka qenë i heshtur. Më delikate në të ngrënë kam pasur vajzën”, rrëfen Merushja ndërsa kthehet pas në vite.
Përveç trahanasë, me raste, mëngjesi i Baba Mondit mund të jenë edhe të bardhat e vezëve, një gotë qumështi ose djathi pa kripë.
Ndërsa dreka është gjithmonë një pjatë me perime, e gatuar në mënyra nga më të ndryshmet: spinaq, turli, patate, speca ose patëllxhanë të mbushur, ose qull me pulë.
Për t’ia lënë më pas vendin darkës, që është zakonisht shumë e thjeshtë: kos dhe supë e thjeshtë makaronash. Këto makarona janë jufka të përgatitura me dorë nga e ëma e Baba Mondit, Merushja. “Ia zë me qumësht dhe me vezë. I ruaj në një tas me beze. I mbaj si zahire dhe ia bëj baba Mondit në darkë”, tregon ajo.

Dushka: Pjata e parë me mamin
E kujton shumë qartë ditën e parë kur gatoi me të ëmën. Ishte vetëm 14 vjeç, por kuzhina ishte një “punë”, që e ëma kërkonte t’ia mësonte doemos.
“Mbaj mend që hera e parë që kam gatuar ka qenë byreku. Nuk e kam bërë shumë të mirë. Unë isha 14 vjeç.  Mami më thoshte: -‘Ku do të shkosh moj, që nuk di të gatuash! Po nuk dite të gatuash, nuk je nikoqire për shtëpi.’ Byrekun e dytë e bëra pa qenë mamaja në shtëpi, që edhe po ta bëja keq, të mos më thoshte gjë. Por byreku që bëra vetë, ma pëlqyen të gjithë dhe më thanë: ti do të na e bësh gjithmonë.”, kujton Dushka, e cila në fakt që prej asaj kohe filloi të gatuajë shumë, sigurisht, duke pasur si mësuese të ëmën.

Merushe Brahimaj: Kabunanë më mësoi ta gatuaj Dede Ahmeti
Një ndër pjatat e saj më të pëlqyera është kabunia. Padyshim që di të gatuajë shumë gjëra, që nga byrekët e ndryshëm, hallva, ashurja e kështu me rradhë, por me kabuninë e lidh edhe një kujtim i veçantë.
“Kabuninë nuk e mbaja mend kur isha e re, se kam ikur shumë e vogël nga shtëpia, por ma mësoi Dede Ahmeti.  Ai gatuante mbi 100 lloje ëmbëlsirash. Edhe baba Reshati gatuante. Janë rritur në teqe ndaj e dinin çfarë ishte gatimi. Gatuante ëmbëlsira dhe petë. Ai ishte fenomen. Ai gatuante kur ishte dervish dhe i mësonte dervishët. Në kohën e komunizmit, Dede Ahmeti erdhi në shtëpi te ne dhe më mësoi të bëja kabuni, si dhe ashuren, që ta bëja tamam siç duhet, apo qoftet e shtëpisë me bukë dhe qepë”.

Kabunia
Orizi kaurdist me gjalpë. E qëron dhe e zien qafën e dashit veç. I hedh rrush dhe çfarë të kesh. I hedh pak ujë dhe I vë kapak tenxeheres dhe e lë. Kruja e bën shumë mirë Kabunia me oriz dhe qafën e dashit. E ëmbël.

Recetat e Merushes dhe Dallëndyshes

Byrek me barishte për Sulltan Novruz
Koha e përgatitjes: 90 minuta
Porcionet: 6

Përbërësit
12 lloje barishtesh (labotë, spinaq, lulëkuqe, hithra etj).
Një copë djathë
3 kokrra vezë
Një lugë gjelle oriz
Vaj ulliri (ose gjalpë)
Miell, ujë, kripë (për të përgatitur petët për byrek, ose petë të gatshme)

Përgatitja
I grijmë barishtet dhe iu hedhim një dorë oriz, djathë, vezë. I përziejmë mirë dhe i shtypim fort të gjithë barishtet, derisa të shtypen mirë të gjitha, pasi jo të gjitha janë njëlloj të forta. (Pazzia përshembull është më e fortë se hithra). I hedhim përzierjes pak kos dhe i shtrojmë petët (numri i petëve është sipas dëshirës, por në recetën e dhënë është llogaritur të shtrohen rreth 5 petë). Pasi petët e para janë gati, shtrojmë harxhin dhe përgatisim petët e tjera, të cilat i mbulojmë dhe sipër tyre hedhim vaj ulliri. Midis petëve fusim lekun dhe byrekun e futim në furrë për t’u pjekur.

Byrek me qumësht dhe vezë
Koha e përgatitjes: 90 min
Porcionet: 6

Përbërësit
Petë të gatshme ose të bëra vetë (rreth 20 petë)
1 kg qumësht
5 kokrra vezë
Gjysmë kilogram gjalpë

Përgatitja
Skuqim gjalpin. Tretim së bashku vezët dhe qumështin në një tepsi të madhe, ku zhysim petët. Zhytim petët dhe sipër çdo pete shtrojmë gjalp. Kështu veprojme me rradhë me çdo petë, derisa të mbarohen të gjitha. Edhe këtij byreku mund t’i futet lek. Më pas byreku piqet, duke e futur në furrë ose nëse keni mundësi në saç për pjekje.

Syltjash
Koha: 120 min
Porcionet: 6

Përbërësit
½ kg oriz
1.5 litër qumësht
½ kg sheqer
Ujë

Përgatitja
E ziejmë orizin shumë mirë. Ziejmë qumështin dhe ia hedhim brenda. Ky lloj sultjashi nuk përmban niseshte. Është e rëndësishme që masa e orizit dhe e qumështi të jetë e njëjtë. Duhet të kemi kujdes që orizi të ziejë mirë, në mënyrë që orizi të mos ndahet veçmas.

Dita e Sulltan Novruzit në Shqipëri
Nevruzi vjen nga persishtja dhe do të thotë Dita e re, ndërsa Sulltan është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Dita e Novruzit festohet edhe ne vende te tjera të botës myslimane, në ditë që variojnë nga 20 deri më 26 mars.