Çdokush që ka shkuar, të paktën një herë të vetme, në Berat e di se ky qytet është pafundësisht i bukur. Ashtu i ndarë në dy pjesë nga lumi, duket më mistik e me një nur më të bukur. Është një rrugë e keqe ajo për Berat. Për disa kilometra me radhë makina zvarritet me mundim, mes gropave të thella, “peshqesh” i kohës, gërryerjes nga lagështira, indiferencës. Por fundja, a nuk jemi mësuar edhe me këtë realitet shqiptar, që gjithësesi, për hir të së vërtetës, ka filluar të ndryshojë pak nga pak?! Sidoqoftë, ato pak kilometra ende të pasistemuara nuk janë arsye për t’i thënë jo një udhëtimi turistik në qytetin e një mbi një dritareve ose siç të moçmit e quanin  dikur, qyteti i bardhë.

E ndërsa mendimet përhumben sa andej këndej, herë nga peisazhi që të shoqëron e herë prej ndonjë përgjumjeje, koha ka fluturuar e kemi mbërritur sakaq. Dalëngadalë shfaqet i plotë qyteti më shumë se 2400 vjeçar i vjetër. Një pjesë në të majtë dhe tjetra në të djathtë. Mbizotëron qetësia, nuk ka smog të dendur në rrugë prej trafikut, as zgjim nervoz. Ka një qetësi të bukur në këtë qytet i cili, përveçse i bardhë, duket dhe i paqtë.

Amfiteatri në natyrë, kështu e kanë quajtur Beratin dhe me të drejtë. Sepse në këtë qytet muze me shtëpi e kisha mijëravjeçare, me muzeun e Onufrit në krye, ku mund të humbasësh për orë të tëra, me muzeun Etnografik, por edhe gojëdhënat e tij të bindin se vetëm një vizitë, nuk mjafton për ta shijuar deri në fund

***

E nëse e merr udhën me nge e ngjitesh në kala, syri nuk mund të mos të të shohë ato shtëpizat e vogla karakteristike të lagjes Kala, që vijnë era gëlqere sepse nikoqiret vazhdojnë t’i mbajnë pragjet të bardha si dëbora. Më tej syri të shkon te rrugicat e kalldrëmta që shkëlqejnë. Nuk e di nëse kjo ndodh si pasojë e mjeshtrave që e kanë punuar e skalitur çdo gur me duart e tyre, apo prej pastërtisë që kanë mbajtur ngaherë amvisat beratase! Në hyrje të kalasë takojmë Dritën, një zonjë, e cila jetesën e siguron nëpërmjet tregtisë me turistët: punime grepi, qypa bakri, bizhu, punime të ndryshme me dru. Vera që sapo ka shkuar i ka lenë shenjat në fytyrën e saj, po ashtu edhe ajo e një viti më parë. Edhe i ftohti i dimrit ka gjurmët e veta mbi këtë grua.. Në fytyrën e Dritës është fare e lehtë të dallosh çdo shenjë të jetës së jetuar. Diçka po shqep, një nga ato copat e bukura të punuara në tezgjah, nga punimet e dikurshme qëe tani thuajse nuk ekzistojnë më.

-“Çfarë është kjo”, e pyes. “Ka qenë një perde për dritaren, por meqë askush nuk e blinte, tani po e shqep dhe po e bëj në formën e rrugicave të vogla. Këto preferohen më shumë”, më tregon Drita. E kështu pasi marrim disa informacione nëse duhet të vazhdojmë rrugën lart apo poshtë, largohemi prej saj për ta lënë të qetë në punën e saj me turistët e mbërritur sefte. Ne, duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë.

Është gjithmonë bukur të ecësh nëpër gjurmët që ka lënë historia, të shkelësh po aty ku shkelnin të parët tanë. Imagjinata ngre rrengjet e veta dhe të duket e natyrshme të rikrijosh një peisazh të dymijë e ca vite të shkuara në këto kalldrëme xhanëm, me të parët tanë duke ecur mbi të! dhe ndërsa undohemi të konturojmë fytyrat, veshjet dhe sjelljet e tyre, mbërrijmë në ballkonin e kalasë. Ku tjetër më mirë sesa aty mund të vështrosh Beratin! Tejposhtë kalasë shtrihet lagja Mangalem. Çatitë e shtëpive duken sikur i janë mbivendosur njëra-tjetrës. Më tej, lumi i Osumit, ura e Goricës, lagjia Goricë dhe gjithçka duket përsosmërisht e bukur.

Mangalemi dhe Gorica

Të dyja, së bashku me lagjen Kala, akoma të banuara, përbëjnë tre komplekset më karakteristike të qytetit. Mangalemi ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës ngrihet kalaja. Çdo ndërtesë ka kaq shumë dritare – jo më kot i thonë qyteti i një mbi  një dritareve – por që i rrinë aq bukur njëra-tjetrës sa të lënë pa frymë. Gorica është lagjia që sheh përballë nga Mangalemi, po aq e bukur përsa i përket arkitekturës.

Ura e Goricës

E pamundur të mos e kundrosh me ëndje ndërkohë që hyn Berat. Është një nga objektet më e mrekullueshme që ka qyteti. Përveç peshës së hapave ajo mban mbi vete edhe vetë historinë. Një urë e bukur me shtatë harqe e ndërtuar në vitin 1780 nga Ahmet Kurt Pashai dhe e rindërtuar më vonë, në vitet 1920-1930. Është e gjatë rreth 130 metra.

Kulinaria beratase

Krahas bukurisë së qytetit, ajo që i vë vulën udhëtimit tonë është kulinaria, shija e mirë, ajo që i lezeton të gjitha. Në fakt Beratit nuk i mungon kuzhina e mirë. “Jemi shumë tradicionalë ne nga këto zona, kështu ndodh edhe përsa i përket gatimit. Një recetë e shijshme e jona është “Pula me Rosnica”, që bëhet me thërrime brumi e me pulë fshati; kemi përsheshin me mish gjeldeti në muajt nëntor dhjetor dhe me mish qengji a keci në muajt e tjerë”, na tregon Vladrimir Teta. E veçanta nuk qëndron te receta e përsheshit, pasi gjithë jugu e gatuan këtë specialitet, por mënyra sesi e gatuajnë beratasit e bën unike këtë recetë. Përpara se ta njomin me lëngun e mishit, ata e skuqin kulaçin e thërrmuar në gjalpë dhe më pas shtojnë lëngun e mishit dhe erëzat që kërkon receta, dhe në fund pjata ka një shije të papërsëritshme. “Ndërsa sheshqeku është një recetë shumë e vjetër”, shton Vladimiri, “por që tek ne gatuhet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të kalorive që ka”. Pjata gatuhet me grurë dhe mish dashi. Mishit i dashit ziehet mirë dhe i hiqen kockat. Ndërkohë ziehet gruri dhe më pas bashkohen të dy përbërësit dhe lihen në zjarr derisa nga yndyra, gruri dhe mishi krijojnë një lloj pelteje.

“Një recetë tepër specifike e cila është tepër e shijshme”. Por Berati ka edhe disa receta të tjera specifike. Si për shembull “Anabokshana”, një recetë e përgatitur me mëlçi, oriz dhe erëza. Apo ëmbëlsira unike e që bëhet vetëm në Berat, “Mali i bardhë”, apo siç e pagëzuan turistët, “Mont Blanc”. Të gjitha këto receta mund t’i shijoni vetëm në Berat. Askund tjetër. Mjafton të kërkoni pjatat karakteristike dhe ju sigurojmë se shija e tyre do të jetë unike. Pas ushqimit dhe këtyre recetave të padëgjuara kulinare që na i tregoi Vladimir Teta, administrator i hotel “Tomorri”, largohemi me dëshirën pë tu kthyer sërish...