Gështenjat janë mbretëreshat e vjeshtës. Përveçse me aromë të shkëlqyer gjatë pjekjes dhe me vlera të jashtëzakonshme për organizmin, gjithnjë e më të përdoruara në receta të ndryshme kulinare, gështenjat mund të konsiderohen pa frikë si “shporta” magjike, prej së cilës trupi ynë përthith njëherësh kripëra minerale, proteina dhe vitamina. Edhe pse sasia e kalorive që përmbajnë nuk është e vogël, përsëri gështenjat janë një ushqim shumë i rëndësishëm, falë të cilit në mënyrë natyrale trajtojmë dhimbjet muskulare, ato kockore, përmirësojnë mikroqarkullimin, lirojnë rrugët e frymëmarrjes dhe largojnë kollën e lehtë, që nis në mesvjeshtën e çdo viti. Ky frut i tejmbushur me vlera ushqyese, përgjatë gjithë sezonit të tij duhet të jetë i pranishëm në tryezat tona të paktën tri herë në javë, mbi të gjitha kur ndihemi të stresuar apo të lodhur, sepse gjatë ngrënies së gështenjave, të pjekura apo të ziera, nuk marrim vetëm kënaqësinë e shijes, por edhe vlera të shumta energjike, të cilat na “karikojnë” shëndetshëm. Veç kësaj, janë perfekte edhe për kategorinë e sportistëve, gjimnastëve apo për aktivitete të ndryshme sportive që mund të ushtrojmë: noti, danci, ecje në natyrë, fitness etj.

“Buka e të varfërve” ose “Buka-Pemë”
Mos u çudisni nëse në disa qytete franceze, në vend të gështenjave, do të dëgjoni të flitet për “Pemën e Bukës”… Apo nëse në Italinë dhe Greqinë e lashtë, dikur thuhej “buka e të varfërve”. Gjithnjë gështenjat janë kultivuar, mbledhur dhe përpunuar për të përmbushur nevojat ushqimore, jo vetëm të stinës, por edhe të gjithë vitit. Ato ishin ushqimi bazik, kryesisht, i të varfërve, sepse shuanin urinë në stinën e ftohtë të dimrit, ruheshin dhe konservoheshin gjatë për muajt e pranverës dhe verës, deri sezonin e ardhshëm kur njerëzit viheshin në dispozicion të tyre, duke pastruar pyllin, në mënyrë që gështenjat të binin në tokë të  pastër, por edhe që mbledhja e tyre të ishte sa më e lehtë.
Fantazia e përpunimit të gështenjave ishte autentike për çdo popull: disa i konservonin ato në kavanoza qelqi, disa të tjerë bënin miellin e famshëm të gështenjave e disa i thanin dhe i hanin më pas si vakte kryesore. Për të përforcuar rëndësinë e këtij fruti, në ato vite, ia vlen të përmendim disa prej gojëdhënave që na tregojnë se mes familjeve të ndryshme, kokrrat e gështenjave përdoreshin edhe  si monedha shkëmbimi.

Falë përbërësve të shkëlqyer, ky frut ofron bazën e një ushqyerje të shëndetshme. Madje ato i zëvendësojnë denjësisht drithërat, aq të çmuara për trupin tonë. Nga kjo pikëpamje, gështjenjat kanë një përqindje të lartë të proteinave, kripërave minerale (kryesisht kalium, fosfor, magnez, kalcium, hekur) dhe vitamina C, B1, B2. Gjatë pjekjes disa nga vlerat ushqimore të gështjenjave kthehen në sheqerna të thjeshta, gjë që përbën rrezik për të sëmurët me diabet, të cilët këshillohen t’i konsumojnë në mënyrë të moderuar. Por gështenjat janë rekomandimi më i mirë natyror për të gjithë ata që janë anemkë ose vuajnë nga bronkiti dhe diarreja.