Artikulli i parë shkruar për shef Renato Mekollin, kur ai ende nuk ishte bërë i njohur për publikun e gjerë. Një reportazh realizuar nga revista "Shije" në pranverën e vitit 2012 në Athinë.

Në një nga ditët e fundprillit, kur termometri i Athinës regjistronte 23 gradë celcius, grupi ynë nga Tirana mbërriti në restorant “Vassilenas” në Pire të Athinës. Pikërisht aty, besimet dhe pritshmëritë tona të mëparshme do të shkërrmoqeshin që në çastin e parë.

Renato është ndryshe. I thjeshtë. Me një buzëqeshje që i shtrihet vazhdueshëm në këndet e buzëve. I sjellshëm. Me gjithë fjalët e bukura shqipe: “Mirë se më erdhët! Ç’më keni gëzuar!” I pashëm. Me fytyrë fëminore e flokët përpjetë, alla trendy boy. Patriot. Me një gëzim që i shpërthen syve ngaqë jemi bashkatdhetarët e tij. Ky është prezantimi ynë i parë me Renato Mekollin, top chefin shqiptar, që është nderuar në Athinë me disa çmime kulinarie. Japim duart, shkëmbejmë prezantimin e përzemërt dhe presim djaloshin udhërrëfyes tek na drejton në një tavolinë. Pas këtyre, Renatoja del në identitet, duke na mirëpritur ndryshe, ashtu siç di të bëjë më mirë: Në tavolinën e drunjtë, m’u para nesh, shërben menjëherë disa ëmbëlsira, të përgatitura enkas për ne. “Urdhëroni, dua t’ju ëmbëlsoj”,- buzëqesh ai. Gatesat e sheqerosura, me reçel sipër e mjaltë, gjithëngjyrëshe, servirur me mjeshtëri në pjatat e holla e gjatoshe, e vulosin bindjen tonë: Po. Ky është shqiptari me kapele të artë!

Dje
“Isha 7 vjeç. Një pasdite, kur ishim ende në Shqipëri, seç më lindi dëshira të provoj diçka në kuzhinë. Nuk u mendova dy herë dhe nisa nga puna. I preva patatet në kubikë, shtova në tavë disa kofsha pule dhe e futa atë menjëherë në furrë. Kaq! Po prisja të piqej. E shikoja tavën me një dashuri të ngjashme me atë të piktorit, shkrimtarit, muzikantit, që pas veprës së përfunduar nis të kundrojë me admirim tablonë, vargjet apo pentagramet muzikorë. E aty, me qëndrimin stoik përpara furrës, tek prisja fundin e procesit, mbeta i shtangur. Ngriva! Me gojë hapët… kisha harruar të ndizja furrën!”

Të gjithë qeshim. Renato na e kalon. Më shumë nga ne, ai argëtohet me kujtimet, që i vijnë fotografueshëm ndërmend. Qesh pa ndroje. Si fëmijët! Jemi bërë miq. Pas fillimeve në kuzhinë, Renato nis të tregojë fillimet e emigrimit. Të gjithë përfshihemi! Historia që tregon, nuk është prekëse. Është më shumë. Historia e tij, është ajo e mijëra emigrantëve të tjerë, që në kërkim të mundësive, lanë Shqipërinë e varfër. “Kam nisur si pjatalarës. Erdha në Greqi 17 vite më parë, bashkë me nënën dhe vëllanë. Aso kohe babai punonte këtu. Fillimisht nuk më pëlqeu Greqia! M’u duk një ferr. Më mungonin lojërat, shokët, shakatë e të qeshurat e Shqipërisë. Pak nga pak, u ambientova. Në vitin 1997 nisa punë si pjatalarës në restorantet e Athinës. Njëkohësisht, vazhdoja edhe shkollën. Derisa një ditë, përfundova në spital nga lodhja”. Më shumë se fjalët, flasin sytë e tij. Fjalët e vuajtjes, të ndjera, i shpien ndjesitë tona në një tjetër drejtim. Rrënqethjes dhe shijes së hidhur ia merr vendin vrapueshëm një kënaqësi e justifikueshme: Histori me fillim të vështirë, por ama me happy end… E pse të mos e shohim gotën gjysmë plot?! Renato Mekolli gëzon sot respektin e grekëve. Në portofolin e karrierës së tij numëron tre çmime prestigjioze, dy prej të cilave “Kapelja e artë”, çmim që jepet nga revista “Athinorama”, Bashkia e Athinës dhe Ministria e Turizmit.

Restoranti “Vassilenas” këtë drekë është i qetë. Nuk ka zhurma. Gjendemi vetëm ne. Restoranti punon vetëm me rezervime, darkave. Puna nis në 20:30. Zbrazëtia bën që zëri i protagonistit të kumbojë, në një veprim të ngjashëm me atë të jehonës së maleve, ku zëri kthehet prapa. Renato tregon se gjatë kësaj kohe, një incident do të bëhej shkak për ndryshimin e madh. Në restorantin ku punonte, gjatë punës si pjatalarës, Renato thyen pa dashje gotat e kristalit që kishin ardhur nga Spanja. U bë hataja! Kushtonin shumë. Pronarët e restorantit e kishin pritur kompletin me padurim, për rreth tre muaj. Pritej dënimi... Ç’të ishte?! “Je i përjashtuar nga puna!”  Nuk ishte diçka e paparashikuar.

Por dimri zgjati pak. Pak acar dhe pranvera ia mori fronin. Dënimi nuk u zbatua. Francezi Herve Pronzato, një shef kuzhine tepër i njohur në Greqi, ndikoi në amnistinë e pronarëve. E thërriti në zyrë. E uli në kolltuk, përballë tij, e i tha këto fjalë: “Renato, ti s’bën për të larë pjatat. Mos u mërzit për gotat e kristalta. Duhet të dish që vlen më shumë. Ke shije. Je i veçantë! E kam vënë re. Futu në shkollë turizmi. Do të të ndihmoj edhe unë financiarisht, që ta përballosh koston. Do të mësosh, do të punosh dhe do të bëhesh kuzhinier i zoti!”
“Fjalët e francezit i dëgjoi perëndia”, do të shpreheshin besimtarët, ndërsa më racionalët do të thoshin: “Fati është gjithnjë me më të mirin”. Profecia e francezit rezultoi e suksesshme. Renato sot i thotë faleminderit Herve-së, që e mbolli farën dhe e ujiti për ta parë të çelur…

Sot
Fieraku Mekolli po i shton me shpejtësi fansat e tij- në kontaktet e përditshme, por edhe në ato virtuale. Në dhjetor të 2011-ës, gazetarët dhe publiku i Athinës e cilësuan Renaton përmes rrjetit social Twitter, si shefin më të preferuar. Ai ruan marrëdhënie shumë të mira me pronarët grekë. “Pas çmimeve, rroga më është rritur herë pas here. Ofertat nuk mungojnë, por preferoj të punoj në këtë restorant historik: ‘Vassilenas’ daton që nga viti 1920.”

Restoranti ka mirëpritur personazhe të njohur, si: Sofia Loren, Maria Kalas, Aristotelis Onasis, Antonis Samaras, Konstandinos Karamanlis, Dee Dee Bradgwater etj.
Më shumë se çdo gjë tjetër, Renaton e gëzon fakti që sa herë që gazetat greke shkruajnë për të, restoranti shkon në sold out. E lumturojnë pa masë familjarët krenarë, që përmes gazetave tregojnë të birin e vëllanë e suksesshëm. Këto e shumë detaje të tjera jetësore e gëzojnë Renaton. Por jo rrallëherë edhe trishtohet: Çmimet ia kanë shtuar stresin, përgjegjësinë. Me mish e me shpirt i është dhënë recetave të reja ushqimore. Sa herë që diçka nuk shkon me to, ai shqetësohet dhe nis sërish… Porsi Sizifi!
Renato pëlqen shumë ushqimin tradicional grek. Në praktikën e tij zë hapësirë të madhe edhe kulinaria shqiptare. “Shpesh provoj shumë receta me plënc, mëlçi apo zorrë, që në Shqipëri preferohen shumë. Jo rrallëherë, mbështetem në traditën shqiptare nga ku marr frymëzim. Kemi me ç’të krenohemi edhe ne!”
Momentalisht, ai e ndan shtëpinë dhe jetën me një vajzë greke, që veç dashurisë, shijon edhe gatimet e tij. Ky është sot Renato Mekolli, një shqiptar që u trumbeton 11 milion grekëve : “Ej, jam shqiptar!”

Nesër
Një shprehje thotë: “E kaluara është kujtesë, e tashmja është vetëdije, e ardhmja është pritje…” Por çfarë pret Renato nga e nesërmja? Ai pret shumë: çmime të tjera honorifike (dhe jo vetëm të tilla) që e motivojnë në punën e palodhshme. Pret t’i përsosë recetat që krijon dita-ditës. Pret një ofertë të mirë nga Shqipëria, që të kthehet në atdheun e tij të dashur. Pret të jetë shefi më i mirë në botë...
Ai ka një moto: “Në qoftë se do diçka, ke për t’ia arritur”. Në jetë, ecën mbi shinat simbolike që shtrin kjo shprehje. Është këmbëngulës. Dashuron marrëzisht ushqimet, pijen. Pikturon pjatat, shkruan mbi to imagjinatën. Nuk lodhet pas recetave! Disa prej tyre i gjejmë të shpërndara me kujdes në tavolinë, shkruar në shqip. Në fletët A4, ku gjenden eksperimentet e tij, shkruhet me gërma të mëdha kapitale: RENATO. Nuk ngopet! Historinë di ta shkruajë vetë. Nuk mban kapele në kokë. “Me kanë bërë kritika për këtë fakt, por nuk e kam qejf kapelen kur gatuaj.” Renatoja i ka thënë jo kapeles së kuzhinierit mbi kokë, por i ka thënë po, asaj më të rëndësishmes: kapeles së artë!
Renatoja pret shumë nga e nesërmja. Mbi të gjitha, ai pret “një nuse shqiptare”…

Renato Mekolli, një histori suksesi
-2009-  Renato Mekolli zgjidhet prej një reviste franceze si shefi më i ri i Greqisë.
-2010- Gazeta “THE NEW YORK TIMES” shkruan komentet më të mira dhe e konsideron shqiptarin “Një star të Athinës dhe top chef të vërtetë”.
-2011- Fiton çmimin “Kapelja e artë”, organizuar në Teatrin e Operas dhe të Baletit në Athinë, si dhe trofeun nga gazeta “KIRIAKATIKIS ELEFTHEROTIPIAS”.
-Po në këtë vit, gazeta “TA NEA” e vlerëson si një ndër 10 shefat më të mirë të vitit në Greqi.
-Pjesëmarrës në emisione të ndryshme televizive, si në emisionin “CHEFS ON AIR”; “FOOD AND THE CITY” etj.
-Shtator 2011, Renato renditet në vendin e parë në një konkurs me 50 pjesëmarrës në “ATHENSMENU.GR”
-Renato Mekolli është i vetmi shqiptar me tre çmime prestigjioze në Greqi, dy prej të cilave “Kapelja e artë”.