Nëse ka një recetë që Andia Xhunga e ka vërtet për zemër dhe që e çon larg në vitet e fëmijërisë, ajo është supa me kos dhe me mish të grirë. Por sot, aktorja do të rrëfejë për “shije.al” të tjera gjëra dhe një tjetër recetë. Xhunga është një njeri që nuk ka një marrëdhënie shumë speciale me gatimin, porse, pavarësisht kësaj, e kalon një pjesë të madhe të ditës në kuzhinë. Nëse ka diçka që ajo e identifikon me gatimin dhe kuzhinën, është padyshim dashuria për familjen. Nëna e dy djemve të vegjël, Andias i pëlqen që fëmijët e saj “të rriten me lugë në dorë”.  Frigoriferin e shtëpisë së saj, ku jeton bashkë me të shoqin, aktorin Indrit Çobani dhe me dy djemtë e gjen gjithmonë plot. Të rrethuar përherë nga miq, në familjen e tyre ekziston një atmosferë, që është bukur ta ndash përmes ushqimit…

-Çfarë të josh më shumë në kuzhinë: aroma, ngjyrat, fantazia që vihet në punë gjatë gatimit?

Sigurisht që të gjitha këto që përmende ti më lart. Të gjitha kanë rëndësinë e vet. Nëse ndien aromë të mirë, gjëja e parë që të lind është të shohësh se çfarë fshihet pas aromës. Nëse më pas ajo që sheh, të pëlqen, të siguroj që nuk do t’i rezistosh dot tundimit për ta provuar. Dhe mendoj që kështu funksionon jo vetëm në kushinë. Le të themi që aroma janë posteri, publiciteti, reklama, jehona e një shfaqjeje. Ngjyrat: autori dhe aktorët. Pastaj shfaqjen do të vijnë ta shohin gjithë. Sa do të të shijojë? Kjo pastaj varet nga sekretet/fantazia e kuzhinierit/ regjisor.

-Po marrëdhënia jote me gatimin, si është?

Me kë? Nuk dashurohemi marrëzisht, por kemi një marrëdhënie korrekte. E respektojmë njëri – tjetrin. Mundohemi të jemi të sinqertë. Por jo gjithmonë ia arrijmë kësaj të dytës.

-Thuhet se gatimi është art, duhet të ketë edhe pasionin brenda, përndryshe nuk mund të jesh kurrë e zonja në kuzhinë. Sa pasion dhe sa detyrë është për ty të gatuarit?

Gatimi për mua, nëse doni që të jem e sinqertë është vetëm detyrë. Por një detyrë sublime aman. Sepse të hash shëndetshëm do të thotë t’i zgjasësh jetën vetes. Ushqyerja e mirë reflekton shëndet dhe shëndeti i mirë reflketon kudo në jetën tënde.

- Kur ke gatuar për herë të parë, çfarë pjate ke përgatitur dhe si ka qenë rezultati?

Më duhet të gërmoj në të shkuarën e largët tani. Ajo që më kujtohet si herë e parë, le të themi ka qenë në adoleshencë. Kam dashur të bëj pastiçe. Dhe gjëja që më pëlqente më shumë kur e gatuante mamaja, ka qenë ajo beshamela që kishte sipër. Ndaj vendosa që tepsia ime të ishte tre fije makarona dhe më shumë se gjysma beshamelë. Dhe mbaj mend që pas shumë mundimesh për ta shpëtuar gatimin nga djegia, në fund, rezultati që doli nuk ishte pastiçe…

-Cila është kuzhina me të cilën je rritur?

Unë jam rritur në Durrës dhe peshkun, në të gjitha gatimet dhe llojet e tij e mbaj mend të përhershëm. Me origjinë, mamaja ime, Yllka është gjysmë përmetare dhe gjysmë gjakovare. Pra, jam rritur në një kuzhinë shumë të larmishme.

-Çfarë të shtyn drejt kuzhinës, çfarë të ngacmon më shumë?

Drejt kuzhinës më shtyn dashuria. Dashuria që kam për familjen time. Sepse dua që fëmijët e mi të rriten me lugë në dorë.  Dua të them me gjellë, me supë dhe jo me fast-food-e, pra me ushqime që mbahen në dorë.

 -Cili është lloji i kuzhinës që preferon më shumë dhe ku e ke shijuar për herë të parë?

Në fakt jam në gjendje të të them se çfarë lloj kuzhine nuk më pëlqen. Pastaj, çdo gjë që më shijon, kujtdo kuzhine që t’i përkasë, unë e ha.  Nuk bëj naze. Hyj tek njerëzit që më shijon shumë ushqimi dhe e frenoj veten me zor, për të mos shtuar shumë në peshë.

 -Si është regjimi yt ushqimor i një dite?

Dita ime nis me qitro, limon, pak ujë të ngrohtë. Për të vazhduar me kos, tërshërë, fruta të thata dhe fruta, të cilat variojnë (sipas rastit, me ato që gjenden në shtëpi) dhe një lugë mjaltë. Dhe në fund, kafe. Mëngjesi im nuk ndryshon kurrë.  Dreka varet ku më zë.  E kushtëzuar nga puna, nuk e di kurrë se në çfarë ore do të ha, ku dhe çfarë dhe ky është vërtetë një problem i madh që kam. Edhe darkën ‘ia jap armikut’. Që e vogël, gjyshi im më thoshte: ‘Mëngjesin haje për vetë, drekën ndaje me shokun, darkën jepja armikut.’

-Sa i ndjek lajmet që flasin për mënyrën e të ushqyerit, produktet që duhen konsumuar më së shumti, kujdesi që duhet të tregojmë? Dhe sa i zbaton në praktikë?

Në përgjithësi i ndjek. Si në televizion edhe në rrjetet sociale. Madje në celular kam një aplikacion, që çdo gjë që ha e shkruaj aty dhe ai më thotë sesa kalori më kanë mbetur për të konsumuar gjatë ditës. Më kujton se duhet të pi ujë, që mos e teproj me ëmbëlsira etj.   

-Cili është raporti yt me dietat? Ndjek dieta të specializuara apo mjaftohesh me kujdes të përditshëm për ushqimin?

Nuk besoj tek dietat, për vetë faktin se janë të përkohshme. Nuk mbaj dieta. Thjesht mundohem të ha mirë dhe shëndetshëm. Pra, kemi të bëjmë më shumë më një lifestyle (diçka që mund ta bësh gjithë jetën), një dietë të balancuar. Sigurisht që në fundjavë e relaksoj veten nga detyrimet e javës dhe këtë e këshillojnë edhe disa nutricionistë.

-Cila marrëdhënie të pëlqen dhe praktikon më shumë: atë me sobën apo me tryezën?

Gjatë javës me sobën, gjatë fundjavës me tryezën.

- Çfarë gjendet me bollëk në frigoriferin tënd?

Kosi, të cilin e zë vetë, lëngu i mishit, zarzavate të ziera, fileto pule, xhinxher i zier, avokado. Këto janë me bollëk dhe përditë. Pastaj ka dhe shumë të tjera, që janë jashtë frigoriferit.

-A të pëlqen të ftosh miq në shtëpi dhe të gatuash për ta? Sa shpesh e bën këtë?

Po, unë hyj tek njerëzit që më pëlqen ta kem shtëpinë plot. Dhe kjo ndodh shpesh, për të mos thënë çdo fundjavë, sepse do të shkojmë dhe ne tek shtëpitë e shokëve. Në të dyja rastet, më shumë sesa të hamë, na pëlqen më shumë të bisedojmë, duke pirë ndonjë gotë verë.

- Sa rëndësi ka për ty estetika në tryezë, apo në plan të parë është ushqimi?

Jam njeri praktik. Nuk e kam shumë luksin e kohës ta bëj këtë gjë përditë. Por kur kemi festa, më pëlqen që me tematikën e festës, të dekoroj dhe tavolinën dhe ambientin ku do të rrimë.

- A e mban mend kur ke hyrë për herë të parë në kuzhinë, që të ndihmosh mamanë apo gjyshen?

Ohhh, po. E mbaj mend shumë mirë në fakt.  Dhe e kam përjetuar shumë keq, më ra edhe tensioni madje. Kam qenë diku tek 10 vjeç. Si fëmijë, ushqimi im i preferuar (se nuk kishim mundësinë ta hanim dhe shpesh) ishin karkalecat. Mamaja sa i kishte blerë dhe i hedh në lavaman për t’i larë dhe për t’i qëruar. Por ata ishin ende të gjallë dhe levzinin të gjithë. Kur mamaja hapi ujin e nxehtë, ata nuk lëvizën më. U ndjeva shumë keq. M’u duk sikur sapo kishim bërë një krim. Atë drekë u mbylla në dhomë dhe nuk hëngra fare.

- A je lloji i vajzës së rritur me këshillat e mamasë për të qenë një amvisë e mirë, një zonjë e mirë shtëpie...?

E cilat vajza nuk i kanë marrë këto këshilla nga mamatë? Por, ajo që mbaj mend më shumë dhe vlerësoj më shumë tek mamaja ime, është se sa herë që në fundjavë ishte kohë me diell, mbaj mend që shëtisnim dhe argëtoheshim buzë detit dhe nuk mbaj mend punët e shtëpisë.

- Cilat receta të ka mësuar mamaja të gatuash?

Do të veçoja njërën, të cilën edhe ajo e ka të trashëguar nga mamaja e saj: supën me kos. (Unë nuk e bëj aq të mirë sa ajo). Supa me kos dhe me mish të grirë është shumë e shijshme dhe e veçantë. Recetën nuk ua jap, mos ma kërko.

- A të kujtohet hera e parë që ke gatuar me mamanë tënde, jo më si ndihmëse kësaj here? Çfarë gatuat?

Ne jemi dy motra. Motra e madhe ka përfituar më shumë nga mamaja në këtë drejtim. Unë isha vajza që rrija me babain, ndaj dhe u bëra artiste.

-A ka ndonjë pjatë të mamasë që do ta veçojë sepse të shijon më shumë?

Jo, nuk ka. Çdo gjë që bën dora e mamasë sime më shijon shumë.

- Çfarë gabimesh bëje më shumë në fillimet e tua në kuzhinë?

Më vjen të qesh kur e kujtoj. Kur nisa të gatuaj, lexoja recetat dhe më dukej ‘pak’ gramatura e ingredientëve. Dhe në vend që të hidhja një qepë dhe një domate, hidhja nga dy, me qëllim që t’i bëja më të shijshme. Dhe jo se rezultati ishte shumë i keq në shije, por në sy le të themi se linin shumë për të dëshiruar. Por këto të mbeten midis nesh, të lutem.

-Cila është receta më e vështirë që ke gatuar?

Kam tentuar njëherë të bëja sushi dhe…më mirë mos ta tregoj.

- Më mirë të kripura apo të ëmbla?

Më mirë të dyja.

-Verë, birrë apo ujë pa gaz?

Uji është dhurata më e bukur që na ka bërë Zoti. Sa herë që e pi, them: ‘Faleminderit Zot’. Ujë pi gjithë ditën. Birrën e pi me qejf, sidomos në verë. Edhe verën e pi me qejf, sepse nuk të fryn si birra.                                                                                                                               

-Cila është ëmbëlsira që nuk do t’i rezitoje kurrë?

Me ëmbëlsirat kam një marrëdhënie dashuri/ urrejtje. Por ajo që e bëj më shpesh është Sallam Toron. E para, sepse më kujton fëmijërinë dhe e dyta, sepse djali im i madh e adhuron, ashtu si unë. Dhe le të themi që e gatuajmë të dy, ashtu si unë dikur me mamamë time.

RECETA E ANDIAS

Sallatë me Panxhar

Koha e përgatitjes: 30 min

Marinimi: 3-4 orë

Përbërësit

3 panxharë mesatarë

4-5 thelpinj hudhër

Rrush i thatë i verdhë (një grusht)

Piper i zi i grirë

Kripë

Vaj ulliri

Uthull molle

PERGATITJA

Lajmë mirë panxharin. E pastrojmë nga bishtat dhe e grijmë me rende. E hedhim në një tas. Qërojmë hudhrat (nuk i presim), i hedhim ashtu siç janë brenda në tas qelqi. Hedhim 4-5 lugë gjelle vaj ulliri, 3-4 lugë gjelle uthull molle, pak kripë, piper dhe rrushin e thatë. I përziejmë me lugë. I vemë një kapak sipër dhe i lemë në frigorifer për 3-4 orë, që të marinohet.