Anne Sophie Pic është ndër të paktat chef-e kuzhine me 3 yje Michelin, një kuzhiniere profesioniste që ka gjetur balancën mes suksesit, pasionit e jetës personale. Ajo është trashëgimtarja e Maison Pic, një restorant i ndodhur në Valence të Francës dhe me një histori 120 vjeçare. Në vitin 1939 fitoi yllin e parë Michelin me punën e Andre Pic, gjyshi i Anne-Sophie. I ati, Jaqcues u trajnua me trashëgiminë e stilit të punës, fitoi yllin e dytë në 1959 dhe të tretin në 1973, por kohë më vonë ai e humbi nje yll, duke ia lënë restorantin Anne-Sophie, e cila u gjend para sfidës për ta fituar sërish atë.

Përtej çmimeve dhe viteve, a mundet një zonjë të trashëgojë një restorant me tre tituj domethënës dhe të ketë fuqinë, për të ruajtur standardet dhe punën 100 vjeçare të ngritur brez pas brezi nga burrat e familjes?

“Unë jam një kuzhiniere, jam një nënë, që është gjëja më e rëndësishme në botë dhe jam franceze”. Ky është përshkrimi që Madame Pic i bën vetes, në një intervistë për website-in “the worlds 50 best.com” në vitin 2012.

Kuzhina profesionale e standardeve gourmet është një botë e egër me konkurrencë të fortë dhe me tension të madh, aspak një ambient i lehtë për femra, ku Anne-Sophie Pic ka ruajtur një imazh të fortë përmes vlerave. Ajo është e veçantë, modeste dhe shumë punëtore. Përherë e pakënaqur, e paduruar dhe në kërkim të përsosmërisë, ajo e rifitoi yllin e tretë Michelin në vitin 2007. Ndërkohë hapi edhe dy restorante të tjerë të stilit gourmet: Anne-Sophie Pic në Lozanë të Zvicrës dhe La Dame de Pic në Paris, Francë.

“Kuzhina është një alkimi e shijes ose kombinim i tyre. Teknika është e rëndësishme sigurisht, edhe njohuritë, por mishërimi i kuzhinës është kombinimi i mirë i shijeve. Për mua qiellza është arsimimi. Im atë më ka mësuar me aroma”. Teksa sheh një pjatë të sajën, e gjithë filozofia e saj e gatimit përmblidhet me fjalët: delikatesë, fantazi, pasion dhe mbi të gjitha balancë.

Anne-Sophie është e diplomuar për menaxhim dhe për vite me rradhë ka punuar për kompani ndërkombëtare prestigjioze, përpara se t'i kthehej restorantit Maison Pic, aty ku e priste i ati Jaqcues dhe pasioni, që do t'i kthente trashëgiminë në profesion. Ajo në fakt nuk ka shkollim profesional kulinarie. I ati ndërroi jetë 3 muaj pasi ajo filloi të punonte në restorant dhe arritjet e saj përkthehen me punën e palodhur, përkushtimin dhe pasionin e saj të pashtershëm. E vendosur përballë pyetjes standarde për femrat dhe meshkujt në kuzhinë, ajo është realiste: teknika vlen për të dy palët, përdoret dhe zbatohet njësoj. Ajo thotë se ka nje problem në vendosjen e urave të komunikimit mes dy sekseve. Femrat kanë qenë pothuaj të papranuara në një kuzhinë gourmet, sepse meshkujt mendojnë se janë më teknike dhe se janë ata që vendosin t’i pranojnë ose jo femrat në këtë ambient. Shumë pak chef-a që tërhiqen nga kuzhina, - tregon ajo, do të donin t’ia kalonin restorantin vajzës së tyre. Por, në fakt kuzhina duhet të jetë e hapur. Kuzhina është dashuri dhe për njerëzit. Ajo duhet t’u japë lumturi të tjerëve.