Në hyrje të Kodrave të Liqnit Artificial në Tiranë janë rreshtuar disa bar-kafe dhe pothuajse prej vitesh nuk të nxë syri pamje tjetër përveç disa tavolinave dhe njerëzve që gjerbin kafen e mëngjesit apo të pasdites. Por prej pak kohësh një hapësirë e shndërruar në kopsht me bimë aromatike dhe perime si dhe 3 mullinj për bluarje të tërheqin vëmendjen…

Tek “Mullixhiu”…
Aromë druri dhe drithi... Këtë nuhat sapo hyn tek restoranti “Mullixhiu”.  Një ambient gjymë i ndriçuar në katin e parë të ndërtesës së fundit që rri ngjitur me Liqenin Artificial, por pa asnjë gjurmë nga “arredimet” moderne; vetëm dru dhe ushqim. Edhe mullinjtë… aty ku bluhet elbi, thekra, misri dhe gruri. Për të bërë bukë për shitje dhe për të furnizuar restorantin. Te dera na pret shefi i kuzhinës, Bledar Kola, i cili pjesën më të madhe të eksperiencës së tij e ka marrë nga restorantet më të mirë në Londër dhe Kopenhagen, “Pied à Terre” dhe “Noma”, secili me nga 2 yje Michelin dhe të cilësuar për disa vite rresht si restoranti më i mirë në botë.
Ashtu si ambienti, i cili të kthen mbrapsht në kohë, me ndjesi fëmijërie dhe gatimi është tërësisht tradicional, me produkte tërësisht vendi, të gjithë të sezonit.
“Ideja jonë kur ngritëm këtë restorant, i cili është pjesë e restorantit “Mrizi i Zanave” në Lezhë, ishte rikthimi te tradita shqiptare, te shijet e harruara, por sigurisht të riprekura dhe më të rafinuara. Ne duhet t’u jemi mirënjohës paraardhësve tanë, të cilët shpeshherë dhe në pamundësi ekonomike për të pasur shumëllojshmëri produktesh na kanë lënë një kuzhinë jashtëzakonisht të pasur. Për më tepër që menuja e restorantit tonë mbështetet vetëm tek produktet vendase.
Furnizmi vjen çdo ditë nga Restoranti “Mrizi i Zanave”, së bashku dhe me drithërat që ne i bluajmë dhe përgatisim bukën për shitje”, thotë Bledari.  Dhe në kuzhinën e “Mullixhiut” asgjë nuk shkon dëm. “Përpiqemi të maksimizojmë përfitimet nga çdo produkt, asgjë nuk hidhet në kosh. Çdo pjesë e ngrënshme përfshihet në gatim”.
Tek “Mullixhiu” menuja nuk është asnjëherë e njëjta, pasi kuzhina kushtëzohet nga sezoni. Klientët kanë mundësi të zgjedhin mes 2 menuve; të parës që quhet “Metamorfoza” e cila përfshin pjata për degustim me 2000 lekë për një person, sigurisht pa pijet dhe menuja klasike.
“Kemi risjellë apo riprekur pjata tradicionale si tava e kosit të cilën e përgatisim me mish keci, i cili është më i lehtë, kimën me vezë dhe shumë pjata të tjera të cilat sigurisht përgatiten në teknika gatimi më specifike se më parë”, tregon shefi i kuzhinës të “Mullixhiut”, Bledar Kola. 
“Kuzhina shqiptare është e ardhmja jonë, prodhimet e tokës dhe nga fermerët tanë janë baza për një ushqyerje të shijshme dhe të shëndetshme”. Sepse siç thotë Bledari; sado ta perfeksionosh përgatitjen e sushit, asnjëherë nuk do ta gatuash si një japonez….
Dhe sa për erëzat dhe barishtet e freskëta, ato rriten në kopshtin para restorantit, një hapësirë mjaft komode për të shtuar tavolina, në një zonë si ajo… “Asnjëherë nuk do t’a përdorim për motive komerciale, ajo pjesë na jep prodhimet më të mira për kuzhinën…”

Pak fjalë për bukën…
Tek “Mullixhiu” shitet dhe bukë për konsum masiv. Drithërat vijnë nga fermerët e zonës së Lezhës, bluhen dhe gatuhen menjëherë. Pa maja, pa ngjyrues dhe pa asnjë shtesë tjetër të panevojshme dhe të dyshimtë. “Brumi për bukë vjen në mënyrë natyrale gjatë gjithë natës, dhe sigurisht nuk ka atë pamjen e bukur, të fryrë dhe krokante që jemi mësuar ta shohim nëpër dyqane. Por është bukë e vërtetë, e shijshme dhe e shëndetshme, pa miell apo grurë që rri me vite apo kalon shumë procese degraduese”, tregon Bledari. Në restorant sapo ka mbërritur dhe Antoni, vëllai i shefit të kuzhinës Altin Prenga. Ka sjellë furnizimin e ditës, drithëra dhe perime.  Ndërsa shton se buka “duhet marrë seriozisht” dhe se i vetmi shpëtim janë fermerët, pjesa më e madhe e të cilëve në zonën e Lezhës e kanë siguruar shitjen.. prej “Mrizit të Zanave” dhe “Mullixhiut”.