Është mëngjes herët, jemi nisur për rrugë. Nuk jemi zgjuar plotësisht e ndonjë dremitje t’i kaplon sytë pothuajse në mënyrë të pavullnetshme. Por nuk vazhdon gjatë kjo lloj ndjesie. Rrezet e para të diellit që shfaqen pas afro 30 minutash të japin një ndjesi të bukur fëmijërore, të cilat nuk ta prishin gjumin, por të zgjojnë butësisht. Kështu... nis rruga për Prishtinë. Një vend që ka gjithmonë diçka të re për të treguar. Rruga është e bukur me një gjelbërim gati të pazakontë për stinën e vjeshtës. Pak më tej shtëpitë të mbledhura si një, trup i vetëm. Me të njëjtën lartësi, me të njëjtën ngjyrë çatie dhe thuajse dritare identike. Të bukura dhe aspak të lodhshme për syrin. Suharekë… më tej Prizren dhe pak minuta e mbërrijmë në Prishtinë.

***

E gjetëm qytetin ende të përgjumur, nga jeta e natës së mëparshme. Por edhe pse i përgjumur nuk nguron të na mirëpresë ashtu siç priten mysafirët. Me zemër bujare dhe fjalën e mirë. Të dyja këto cilësi i gjejmë te çdo shqiptar i Kosovës që na ndodh ta takojmë për punë, por edhe  rastësisht… Pak nga pak shfaqet shëtitorja kryesore. Më tej monumenti Skënderbeut, ngritur pas luftës. Vendasit, sjelljen e statujës së Skënderbeut e konsideruan në mënyrë simbolike, si  ardhjen e lirisë. Përballë këtij monumenti sheh Teatrin Kombëtar, një vend me jetë të ngjeshur artistike. Kulla e Sahatit apo, apo siç i thonë prishtinalinjtë Sahat kulla, përkrah ka Xhanimë Mbret dhe Hamamin, monumente këto kryesisht të periudhës Otomane. Pak më tej kemi dhe Bibliotekën Universitare, e cila ta tërheq vëmendjen nga përmbajtja arkitekturore krejtësisht origjinale. Ndërsa vëzhgojmë të gjitha këto monumente, qyteti ka filluar të “lëvizë” edhe kafet fillojnë të kenë vizitorët e tyre. Kështu fillon rituali i gjerbjes së kafes apo të çajit mëngjesor.
 

N’foto kafe

Nëse sapo keni mbërritur në Prishtinë dhe ende nuk e keni pirë kafen e mëngjesit, një vend i bukur ku ju mund të bëni ndalesën është “Foto kafe”. Dikur një studio e njohur fotografish, sot është shndërruar në një kafe të vogël dhe aq të këndshme. Në këtë vend të bukur e plot stil ju jo vetëm që do të keni mundësi të shijoni lloje të ndryshme kafesh, përfshirë dhe atë turke, por do të keni mundësi të shihni dhe ekspozitën e fotografit të radhës, punët e të cilit janë të ekspozuara në muret e barit. Në këtë mënyrë ju do të mund të pini një kafe ndryshe. Një kafe me pak art brenda.

***

Por, udhëtimi ynë në kryeqytetin e dytë të shqiptarëve e ka një motiv të vetëm, atë kulinar. Me dëshirën për të sjellë te ju një shije të mirë, “Prishtine”. E meqë jeni pikërisht te shija, te ajo që fillimisht kënaq qiellzën e më pas të gjitha ndjesitë e tjera “shijore”, nuk mund të lëmë pa përmendur bukën Kosovare. Së paku duhet t’ia fillojmë nga ajo por pa harruar të themi se përmban rrezikun që ta teproni.... mmmm, aq e shijshme është. Më e mira që mund të keni ngrënë ndonjëherë. Ata e zotërojnë magjinë e bukës. Nuk di sesi, por ama e kanë. Në miell shtojnë ata përbërësit e padukshëm që e bëjnë bukën aq speciale, me atë shijen e papërsëritshme.

 

Në oazin e “Vila Gërmia”

Pas kafes së parë, drejtohemi në veri-lindje të kryeqytetit, drejt parkut Gërmia, 62 km2 gjelbërim. “Mushkëria” e gjelbër e Prishtinës është vendi më ideal për të kaluar fundjavat ndryshe. Vila Gërmia është një sugjerim për ju. I pozicionuar në mes të gjelbërimit dhe ajrit të pastër. Do t’jua tërheqë vëmendjen që për së largu. Krejt magjik në verë aq sa edhe në dimër ku prishtinalinjtë e kanë bërë zakon të shkojnë me familjen bashke me slitate e vogla me të cilat rrëshqasin në dëborë. Por dimri është ende larg e megjithatë natyra atje lart në Gërmie është si një magnet me fuqi të madhe thithëse. E ndërsa keni vendosur të shkoni në VILA GERMIA, jo vetëm që do kënaqni mushkërinë tuaj me oksigjen, por do të mund të shijoni aperitivët dhe gatimet karakteristike të zonës. Speca në Kajmak, Muskuj në furrë, vetëm t’i dëgjosh, nuk iu reziston dot.

 

Një shije ndryshe Restorant “Collection “

Jemi drejt një tjetër, destinacioni gastronomik, për të zbuluar më shumë rreth asaj se çfarë shijohet në këto zona. “Restorant Collection”, i cili ndodhet diku në afërsi të stacionit të autobusëve. Fillimisht na shfaqet para syve një kopsht i gjelbëruar dhe i qetë. Ideal për të ngrënë një drekë mes miqsh a familjarësh. E ndërsa hyjmë brenda në restorant nuk mund të mos e pëlqesh. Përkrenarja e Skënderbeut, mure gjigande, të punuara me gurë pothuajse 100 vjeçarë. Çdo gjë e bërë me shumë durim. Nuk ka gur që nuk është lëmuar e “thepuar”  nga dalta, në mënyrë artizanale. Por le të kalojmë te shija. Shefi i restorantit, Mensori na përgatiti ca pjata të lehta e plot shije. Dhe në fund mbetemi të mahnitur nga era që është përhapur. Mensori e kupton habinë tonë dhe na shpjegon se, biftekun e ka pjekur në një lloj druri të rrallë që quhet Sibir e është 600 vjeçar. Kaq mjafton për të na mrekulluar.

 

Shpija e vjetër, shpija e shijes...

Aty diku te kafet e vogla, veç pak hapa larg shëtitores, ndodhet “Shpija e vjetër”, një shtëpi erëmirë sa prej bukës e pogaçes së ngrohtë aq edhe prej gatimeve të tjera. Emri nuk i është vënë me qëllim, por sepse nuk mund të kishte emër tjetër: është vërtetë një shtëpi e vjetër, më shumë sesa 200 vjeçare e kthyer në bar- restorant prej shumë vitesh tanimë, por pa i ndryshuar asgjë shtëpisë së dikurshme. Nga pjesët e rrezuara të murit mund të dallosh tullat prej balte e plot detaje të së shkuarës. Të gjithë e njohin këtë vend këtë vend në Prishtinë. Është ideali për të pirë një kafe një koktej apo për të ngrënë diçka të veçantë e me shumë shije. Madje edhe nëse kërkoni diçka jashtë menysë, ata djemtë e talentuar që punojnë në kuzhinë do ta përgatisnin për ju.

Largohemi nga Prishtina me zemër të ngrohtë, e me ndjesinë e shijes së mirë.