Biskota, byrek, kek, kos, lëng frutash apo sallatë…. Këto janë vetëm disa nga produktet e gatuar nga nxënësit e shkollës “Niket Dardani” dhe gjimnazit “Sami Frashëri” në një aktivitet të mbajtur dje dhe sot (19 dhe 20 maj) në shkollat respektive në kuadër të nismës Food Revolution Day.

E shndërruar tashmë në një traditë nga Food Revolution në bashkëpunim me shkolla të ndryshme në vend, ky aktivitet i ngjashëm më tepër me një festë, që në qendër të vet ka ushqimin dhe të jetuarin shëndetshëm bën bashkë nxënës, mësues, aktivisitë të Food Revolution dhe të botës së ushqimit, si dhe shefa të ndryshëm kuzhine.

“Qasja drejt ushqimit të mirë, të freskët dhe të shëndetshëm duhet të jetë një e drejtë njerëzore e çdo fëmije. Aktualisht ne jemi duke dështuar me fëmijët tanë. Shumë fëmijë në Shqipëri dhe në botë hanë dhe konsumojnë ushqime në mënyrë të gabuar, ndërkohë që shumë fëmijë të tjerë nuk kanë bukë të hanë dhe të plotësojnë nevojat minimale të rritjes dhe zhvillimit të tyre. Të gjithë ne duhet të bashkohemi me një zë të fortë dhe të vetëm, për të detyruar qeveritë dhe bizneset, për të krijuar një botë të shëndetshme, të lumtur për të ardhmen”, vëren mes të tjerash nismëtarja e Food Revolution në Shqipëri, Dhurata Thanasi, duke bërë theksuar kështu qëllimin dhe arsyen e realizimit të një aktiviteti të tillë, i cili mori ngjyra tepër festive mes fëmijëve.

E veçanta e festës së organizuar në shkollën “Niket Dardani” ishte ardhja surprizë e shefit të kuzhinës Renato Mekolli, i cili bashkë me shefa të tjerë të kuzhinës të pranishëm në aktivitet i dha edhe më tepër ngjyra dhe gjallëri aktivitetit.

Për të gjithë fëmijët, të cilët të entuziazmuar dilnin në fotografi dhe përqafoheshin me të dhe me shefat e tjerë të kuzhinës, Mekolli vërejti përmes humorit se kjo ishte në një farë mënyrë prova dhe faza fillestare e garës, për organizimin e një konkursi gatimi mes të rinjve, të quajtur Master Chef Junior.

Ushqim, aktivitet fizik dhe vlerësim përmes çertifikatash

E njëjta atmosferë festive ndjehej edhe në shkollën “Sami Frashëri”, ku i ftuar ishte shef Sokol Prenga, Emre, Milkovan Zeqo, Silvana Pinari, Uan etj.

Sipas nismëtares së Food Revolution Albania, Dhurata Thanasi, “Misioni i FRA është të promovojë një lëvizje gjithëpërshirëse dhe të qëndrueshme të shoqërisë, që ka në fokus edukimin e çdo individi dhe në veçanti të fëmijëve, në lidhje me ushqimin e shëndetshëm, teknikave të gatimit të thjeshtë, produkteve të territorit ku jetojmë, duke i frymëzojë ata për një shoqëri dhe brez të ardhshëm të shëndetshëm”.

“Qëllimi është që t’iu demonstrojmë fëmijëve, prindërve dhe mësuesve, si dhe komunitetit në tërësi, që duke përdorur produkte që i gjejmë në supermarketet që ndodhen pranë nesh, munden të bejnë zgjedhje të shëndetshme dhe  rrjedhimisht të kenë jetë më të mirë.”, vëren mes të tjerash Thanasi.

Ajo theksoi se Food Revolution dhe gjithë grupi i punës së këtij aktiviteti synojnë që kjo fushatë të bëhet më e prekshme edhe për komunitetet e shkollave dhe familjeve, “duke nxitur mirëushqyerjen falë rritjes së aftësimit për të gatuar dhe një zgjedhje të mirë të produkteve në treg.”

Pas fjalës së hyrjes nga presidentja e Food Revolution, një fjale përshëndetëse nga një prej mësueseve të gjimnazit Sami Frashëri dhe prezantimit të të ftuarve, aktiviteti u hap me një këngë nga nxënësit e shkollës.

Për të vënë në pah lidhjen e ushqimit me aktivitetin fizik për të gjithë të pranishmit u demonstrua 10 minuta yoga nga Jimena Lujan.

Nxënësit nga ana e tyre prezantuan projektet e përgatitur për grupin e FRD dhe Chef-at e ftuar. FRD dhe Chef-at e ftuar këshilluan se si mund të përgatitet smoothie (2 lloje) dhe si të bëhet mousse kakaoje me avokado.

Në mbyllje të aktivitetit gjatë dy ditëveve nga Dhurata Thanasi (Food Revolution Albania) dhe nga Altin Bamllari (shije.al) u shpërndanë çertifikata vlerësimi për nxënësit e të dy shkollave.