Ulliri Kokërrmadh i Elbasanit është një varietet ulliri që rritet pikërisht në rajonin e Elbasanit, në kodrat veriore të kësaj zone. Ky varietet, gjithashtu, kultivohet në fshatrat e Kuqanit, Shirgjanit dhe Bathësit, të Komunës Shirgjan në Elbasan.

Kultivimi i Kokërrmadhit të Elbasanit daton që nga mesjeta. Gjithsesi, kohët e fundit, ky varietet është braktisur për t’u zëvëndësuar nga ata me përfitime më të mëdha ekonomike. Ai është i lidhur ngushtë me këtë zonë dhe nuk mund të gjendet në vende të tjera.

Ky varietet konsiderohet si një varietet miks, i mirë si për konsum ashtu edhe për prodhim vaji. Frutat e tij janë me formë ovale dhe me përmasa mesatare. Bën pjesë në kultivarët lehtësisht të hidhur dhe jo pikantë.

Në 40 vitet e fundit nuk është mbjellë asnjë rrënjë e vetme e këtij varieteti. Pemët nuk kanë nivel të lartë rezistence kundrejt sëmundjeve, që do të thotë se mbijetesa është e ulët, pavarësisht karakteristikave të veçanta të vajit që prodhohet.

Vaji ekstra i virgjër ka viskozitet dhe aciditet të ulët. Ky vaj përdoret gjerësisht tek të gjitha gatimet tradicionale dhe sallatrat. Gjithashtu, ai përdoret edhe në vend të gjalpit tek recetat si: tavë kosi dhe tavë pistili.

Aktualisht, prodhohet rreth 80-90 tonë vaj ulliri në vit për restorantet tradicionale dhe konsum shtëpiak.

Ky produkt është produkt i Arkës së Shijes, një nga projektet e Slow Food International, që ka për qëllim ruajtjen e produkteve autentike vendore. Ju mund ta shijoni këtë produkt bashkë me produkte të tjerë të Arkës së Shijes gjatë eventit Terra Madre Balkans në Tiranë nga data 2-5 qershor në sheshin Nënë Tereza.