Cili është materiali më i mirë

Në kuzhinë do të prisni ushqimet, do të mbështesni tiganët e nxehur ose do të përgatisni gatesat. Të gjitha këto janë veprime që mund ta dëmtojnë planin e punës në kuzhinë. Pikërisht për këtë, materiali i përdorur duhet të jetë rezistent, i përshtatshëm për përdorimin e përditshëm dhe i lehtë për t’u pastruar. Duhet privilegjuar rezistenca, estetika, faktori ekonomik apo higjiena në kuzhinë?
Më poshtë janë materialet më të rëndësishme për planin e punës së kuzhinave tuaja, vlerat e tyre, por edhe defektet e mundshme për gjithsecilin rast.

1-Druri masiv

Një plan kuzhine me dru masiv është mjaft i kushtueshëm. E megjithatë është shumë i preferuar sidomos nga ata njerëz që janë të kujdesshëm në aspektin ekologjik. Është shumë i bukur dhe ofron një pamje unike.
Nga ana tjetër druri është një material tepër i ndjeshëm, që kërkon shumë kujdes edhe nëse është i trajtuar paraprakisht.
Ta dini: Nuk ka rezistencë ndaj gërvishtjeve, lagështirës dhe nxehtësisë. Për më tepër, gërvishtjet që mund t’i bëhen planit të punës prej druri, mund të shndërrohen në çerdhe të përkryera për bakteret.

2-Laminatë

Plani i punës në lamitatë është zgjidhja më ekonomike dhe më e përshtatshme njëkohësisht. Është mjaft rezistent ndaj goditjeve, gërvishtjeve dhe gërryerjeve. Mund të imitojë drurin, gurin natyral dhe mund të jetë në ngjyra nga më të ndryshmet. Por kujdes: Nëse zgjidhni një plan pune në këtë material, nuk duhet të mbështesni direkt në to tiganët apo tenxheret, që sapo i keni hequr nga zjarri.

3-Çelik ose inoks

Duket se kjo zgjedhje është ndër më të mirat. Është materiali më higjenik që mund të gjendet, dhe veç të tjerash, është rezistent ndaj nxehtësisë, goditjeve dhe njollave. Ka edhe përparësinë që lavapjata dhe plani i furnelës mund të jenë të ngjitura, pa krijuar kanale bashkimi, të cilat mund të grumbullojnë papastërti dhe baktere.
Plani i kuzhinës në çelik dhe inoks preferohet veçanërisht për të veshur kuzhinat moderne dhe ato të stilit minimalist. Defekti i vetëm janë gërvishtjet. Ta dini: do t’ju mundojë me pastrimin, duhet të jeni skrupulozë dhe të përdorini produktet e posaçme të pastrimit në mënyrë që të mos lenë vija të dukshme që larg.

4-Guri natyror

Mes gurëve natyrorë, më të përdorur për planet e punës së kuzhinave janë graniti dhe mermeri. Që të dy mjaft të kushtueshëm, por mermeri me variante e tij kromatike është akoma edhe më i kushtueshëm. Pika e fortë e këtij plani pune, sidomos te mermeri, është estetika. Kjo është arsyeja kryesore pse zgjidhet.
Sa i përket karakteristikave të tjera, gurët natyralë janë të disavantazhuar krahasuar me materialet e tjera: janë porozë, mund të depërtojnë lehtësisht lagështirën dhe bëhen me njolla.
Graniti dallohet për rezistencë më të madhe ndaj lagështisë krahasuar me mermerin. Kujdes! Nëse keni një plan pune prej mermeri ose graniti, duhet të shmangni mbi to derdhjen e lëngjeve acide sikurse kafeja, limoni dhe cola - cola. Nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë solucione pastrimi agresivë.

5-Kuarci

Plani i kuzhinës në kuarc është i përbërë nga 95% kuarc natyror dhe pjesa tjetër është rezinë. Kjo bën që materiali të mos jetë poroz dhe prandaj nuk i paraqet disavantazhet e mermerit dhe granitit. Është mjaft rezistent ndaj gërryerjes dhe njollave madje edhe ndaj agjenteve acidë. Ta dini: ashtu sikurse të gjitha materialet natyrore, me kalimin e kohës, edhe kuarci mund të ndryshojë ngjyrën, për shkak të ekspozimit në diell dhe lagështisë.

6-Çimento

Çimentoja është një material në tendencë që po përdoret gjithnjë e më shumë në arredimet e brendshme, tani edhe në kuzhinë. Dallohet për rezistencën e lartë: ndaj goditjeve, njollave, lagështisë, gërvishtjeve dhe nxehtësisë.
Fakti që çimentoja derdhet e bën të mundshëm përdorimin e formave të veçanta dhe origjinale në kuzhinë. I vetmi problem: Me kalimin e kohës edhe ajo mund ta ndryshojë ngjyrën. Për ta pastruar një plan të tillë kuzhine mjafton një leckë e lagur.

7-OKITI

Okiti është një material i përbërë nga 90% kuarc dhe 10% rezinë, një përzierje tashmë e komercializuar.
Një plan i tillë është ultra rezistent ndaj njollave, gërvishtjeve, gërryerjeve, acideve, nxehtësisë, lagështisë, madje është edhe shumë higjenik. Pastrohet me mjaft lehtësi dhe gjendet në shumë ngjyra dhe efekte të ndryshe sikurse ai i gurit ose drurit.