Përgjatë gjithë ditës së premte është organizuar Panairi i Vajit të Ullirit Shqiptar ku rreth 20 shoqëri përpunuese të ullirit për vaj kanë ekspozuar prodhimet e tyre, ku pjesa më e madhe eksportohen dhe jashtë vendit, deri në SHBA dhe Kinë. Ky aktivitet u organizua nga USAID, Bashkia e Tiranës, Shoqata e Vajit të Ullirit Shqiptar dhe AAC-Lushnja dhe në fund të tij u ndanë dhe çmimet për konkursin e 12-të të vajit të ullirit Shqiptar Ektsra të Virgjër. Fitues i çmimit të parë ishte Kompania Musaj Olive Oil, çmimi i dytë iu dha Kompanisë “Shkalla”, ndërsa çmimi i tretë ishte për Kompaninën “Delvina” .
Një nga organizatorët e këtij aktiviteti, Silvana Subashi Pinari, presidente e Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit, tha se ky panair zhvillohet për të mbajtur dhe ruajtur traditën e përpunimit të ullirit për vaj ekstra të virgjër në vendin tonë.
Shqipëria ka mbi 10 milionë pemë ulliri dhe rreth 150 punishte për përpunimin e ullirit për vaj. USAID dhe AAC-Lushnja po punojnë me fermerë dhe përpunues për të rritur sasinë e vajit për konsumatorët e brendshëm dhe për eksport.