Një festë për të shijuar mbretin e aromave në receta unike, mes prodhimeve të sezonit ishte ajo e organizuar mbrëmjen e kësaj të shtune në Blerina Farm në Domje, Tiranë.

Për të gjithë vizitorët u ofruan prodhimet e tokës, vaj ulliri Musai, mocarela shqiptare, miell Nela, fara organike me çmimet më të mira.

Arsyeja e organizimit të kësaj feste ishte promovimi i salcës që ne prodhojmë me borzilokun e tokës sonë dhe njohja me disa nga lëndët e para me të cilat kjo salcë bëhet, si përshembull vaji i ullirit Musai (vaj shqiptar i cilësisë më të lartë, i cili renditet ndër vajrat më të mirë në botë), si dhe farat dhe frutat e thatë, të cilët i zgjedhim organikë, shprehet dietologia Blerina Bombaj për shije.al.

Bashkë me shefat e kuzhinës ishte ideuar një banket me kombinime të ndryshme të borzilokut, si përshembull brusketa me salcë dhe rikota, kastraveca me rikota dhe borzilok, fruta me djathë dhe gjethe borziloku, mocarela me domatina dhe borzilok etj.

Gjithçka ishte e freskët dhe asgjë nuk u gatua. Lëngjet e freskët ishin disa lloje, si: shalqi me borzilok dhe limë, mollë, kastravec, borzilok dhe boronica të egra dhe limonatë borziloku me fara chia.

Ndërkohë për të pranishmit u ofrua edhe salca pesto e borzilokut, që siç shpejgon Blerina Bombaj është një recetë e tyre, krejtësisht unike.

Përpara se të iknin, vizitorët ndalonin në këndin e prodhimeve të tokës, të cilat u ofruan në qese me kompozimin e Blerina Diet, duke vendosur gjithçka nga pak nga prodhimet tona. Sipas dietologes Blerina Bombaj: Qëllimi u realizua, njerëzit e shijuan borzilokun në mënyra të ndryshme.

Por mbi të gjitha, të gjithë pjesëmarrësit në festë kaluan një pasdite krejtësisht ndryshe, në natyrë, të veshur sport, të qetësuar dhe të frymëzuar nga jeta në fshat.