Ndalesa jonë e parë është Fieri. Aty takojmë Guri Rrokaj. Për krejt udhëtimin tonë ai do të bëjë ciceronin, si një njohës i mirë i zonës. Me të hyrë në makinën me të cilën i jemi drejtuar Mallakastrës, pas përshëndetjes fillestare Guri nuk e zgjat shumë. “Tani, merreni këtë disk që të dëgjojmë”. Në kopertinën e tij shkruhet: Guri Rrokaj: Njëzet e gjashtë këngë. Pasi e lëmë pas Fierin e zhurmshëm, rrugën drejt Aranitasit që do ta vizitojmë më vonë e bëjmë duke dëgjuar në sfond këngë polifonike të cilat thonë: “Mallakastër, brigje-brigje; Aranitas je me vlerë...”. Guri është vjershëtar e këngëtar i polifonisë, asaj perle që është pjesë e trashëgimisë botërore të Unesco-s. Është një burrë i madh në moshë, ndonëse nuk ka thinja që ta dëshmojnë këtë.  Flokët i mungojnë krejt. “Epo Mallakastra është trevë e polifonisë, rrethinë e Labërisë”,- na thotë Guri si për të treguar që jo më kot e ka sjellë atë disk. Pak minuta heshtje dhe biseda drejtohet menjëherë nga ngjarja që ka mbushur gazetat dhe që ka zënë hapësirat mediatike atë ditë: jo më larg se disa orë më parë, në mëngjesin e herët, këngëtarja e mirënjohur e skenës shqiptare Vaçe Zela ka humbur jetën. “Dëgjova që shtëpinë e Vaçes do ta bëjnë muze, po pse s’e bënë që dje ata, apo duhet të vdesësh njëherë…”,- është përsëri Guri. “Që të flasim drejt, Vaçe Zela nuk u nderua pak sa ishte gjallë”,- shton njëri prej grupit tone. Është lushnjar: “Është e para femër e vlerësuar si nderi i kombit sa qe gjallë, dhe e dyta pas Nënë Terezës. Përsëri heshtje. Dhe duke u kujtuar shpejt për funksionin e tij atë ditë, Guri nis të na shpjegojë gjithë ç’i del para. “Ja, fshati Mbyet. Nga këtu arrini t’i shihni ato kodrat, ajo është Mallakastra. A e dini çfarë do të thotë Mallakastër: kështjella e keqe, vjen nga Jul Çezari. Përfshin një territor gjeografikisht 520 km në katror. Kodrat e saj variojnë nga 300-1000 metra. Është zonë kodrinore, paramalore. Ka një popullsi rreth 150 mijë banorë”. Por “Shije” më shumë se për planin historik, gjeografik e qoftë kulturor interesohet për ushqimet dhe pijen. Ndaj pyetja e parë që i bëjmë është e hapur dhe ka këtë karakter: “Po gatimet mallakastiote, ato tradicionalet, cilat janë?”. Përgjigja nuk vonon. Ai nis e na bën një listë të gjatë, që po sipas tij, shfaq gjithë gatesat tradicionale…  Njihuni me to!

Tradita mallakastriote:

1.Gjeli i detit (ose pula e detit) me dollëm (përshesh)
2. Pula shqirake në tavë me oriz në saç
3. Rosnica me zog fushe, shqirak
4. Mish i pjekur në saç
5. Mish i pjekur në hell
6. Mish i mbyllur në bidon
7. Mish me jani
8. Kukurec i pjekur.

LLOJET E BYREKUT: 

1. Byrek me gjizë
2. Byrek me oriz
3. Byrek me lakror
4. Byrek me vezë
5. Petanik
6. Qumështor
7. Byrek me kungull
8. Yshmer (Ngasër) etj. 

LLOJET E BUKËS: 

1. Bukë gruri
2. Kulaç gruri në tepsi në saç
3. Bukë vale me miell të mistërt
4. Bukë Ponice
5. Mbrushtull
6. Pedulla
7. Harapash
8. Qull
9. Trahana. 

ËMBËLSIRA: 

1. Revani në tepsi
2. Katmarë
3. Dible
4. Llokume vendi. 

REÇELRA: 

1. Qershie
2. Ftoi
3. Fiku
4. Molle
5. Rrushi. 

PIJE: 

1. Raki rrushi
2. Koçimare
3. Manaferre
4. Kumbulle
5. Uthull rrushi.

Në Aranitas

Pas listës së gjatë të Gurit nuk na ngelet veçse të provojmë. Në mos të gjitha, disa prej tyre të paktën. Ky është mendimi që zë kohën më të madhe gjatë rrugës për në Aranitas. Ja ku jemi, në një fshat të qetë dhe të pastër. Ndodhemi 8 kilometra larg kryeqendrës së Mallakastrës, Ballshit. Në hyrje të tij, në baret ndanë rrugës disa djem vegjetojnë duke marrë rrezet e diellit. Makinën tonë, që në fshat nuk është parë ndonjëherë, e shoqërojnë me sy derisa ne marrim tatëpjetën dhe i drejtohemi shtëpisë së mikpritësit të radhës: Ali Shametaj. E takojmë Aliun në oborrin e shtëpisë së rrethuar me një gardh druri. Shtëpia e tij e gurtë, nga jashtë duket se ka dalë prej kartolinave. E futur mes gjelbërimit, pamja e saj është tejet atraktive. Aliu është 48 vjeç dhe punon në Qendrën Kulturore të Ballshit. Më parë ka qenë drejtor i artit dhe i kulturës, ndërsa tanimë punon si specialist i tashëgimisë kulturore. E duke qenë se i njeh mirë kësi vlerash, ai e ka kthyer shtëpinë e tij së bashku me të vëllanë në një muze të vërtetë. Sarajet e gjyshit ata i kanë kthyer në një shtëpi joshëse, që është rikonstruktuar në vitin 2008. Kudo mbizotëron guri dhe druri. Në njërin kënd të saj, oxhaku i gurtë flakëron ndërsa një tenxhere me ujë është duke zierë. Kanë nisur ndërkohë përgatitjet për përsheshin tradicional të zonës, gatim me të cilin pjesëtarët e familjes së Aliut na prezantojnë më vonë. Në shtëpi na mirëpresin Tajane Rrokaj, 90 vjeç dhe adashja e saj Tajane Shametaj, po në të njëjtën moshë. Pak më vonë duket dhe Majlinda Shametaj, kunata e Aliut. Gratë kanë vetëm pak kohë për t’u përshëndetur: po merren ndërkohë me përgatitjen e recetave. Kush thërrmon kulaçin, e kush merret me pjekjen e gjelit. Në pjesën tjetër të dhomës ndërkohë ia nis biseda për fshatin. “Është një fshat me histori arkeologjike, politike dhe kulturore. Pak më poshtë, në lagjen Bakiaj gjenden varrezat prehistorike. Fshati ka afro 300 shtëpi”,- është Aliu që na tregon më shumë për Aranitasin. Guri, nuk mund të mos futet në bisedë e të mos flasë për pjesën tjetër të krenarisë së fshatit. “Fshati mbahet mend edhe për patriotizmin, atdhedashurinë. Ndaj që nga viti 1847 e deri në vazhdim nga këtu kanë dalë disa figura të shquara. Në ngritjen e flamurit, në vitin 1912, nga ky fshat kanë marrë pjesë rreth 12 burra”. E si vjershëtar e këngëtar që është, Guri na tregon disa nga vargjet e këngëve që ata jo rrallëherë i këndojnë jashtë Shqipërisë, në aktivitete të huaja ku ftohen si këngëtarë të polifonisë. Vargjet sublimojnë fshatin dhe burrat e tij:

“Aranitas je me vlerë,

Ke nxjerrë burra, djem levenë,

Kapedanë mbi kadilerë”

***

“Ç’u zu dyfeku te ura,

Tunde Zenel Xhafua tunde,

Vetëtin palla mbi supe,

Tunde Zenel Xhafua tunde”.

 

Por fokusi ynë ngelen ushqimet. Ndaj pas do bisedash mbi partizanët apo vlerat tradicionale folklorike të krahinës, radha u vjen grave të shtëpisë për të folur. Nënat po thërrmojnë ndërkohë kulaçin dhe na rrëfejnë pak për kohërat e hershme, kur ato erdhën nuse. “Sot ka ndryshuar gjithçka. Asokohe, kur gatuanin vjehrrat ne si nuse të reja përpiqeshim t’u vilnim marifetet. Nuk dinim shumë të gatuanim kur kemi ardhur nuse. Por mësuam shpejt. Nëse s’do ta bënim këtë, atëherë mund të kishte edhe sanksione apo probleme të tjera. S’të mbante burri në shtëpi nëse nuk dije të gatuaje. Tjetër kohë ajo, tjetër tani”,- e teksa thotë këto fjalë Tajane Rrokaj, Tajania tjetër ndërhyn me fjalët: “Bëje të vogël ti moj!”. E ka fjalën për kulaçin. “Ushqimi ishte shumë më i shijshëm vazhdon Nëne Tajania. Haheshin të gjitha se ishin bio. E ngaqë piqeshin në saç ishin akoma edhe më të shijshme pasi yndyrat qëndronin aty. Gatuanim me zjarr, sepse buhari (oxhaku), nuk mungonte në asnjë shtëpi. Në çengel, brenda oxhakut, varnim një gjym me ujë dhe për çdo gatim e kishim gati. Gatuanim me jamake, jo si sot me tenxhere”. Ka ardhur koha që përsheshit të thërrmuar t’i hidhen erëzat, arrat e thyera dhe çervishi. Pas gati 10 minutash, pritet kaposhi dhe ne kemi fatin ta provojmë. Shumë shpejt të gjithë biem dakord në një pikë: është krejt ndryshe nga ai që kemi shijuar në shtëpi mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Në shtëpinë e Aliut, në sofër, ia nisin trokitjet e gotave me rakinë e bërë vetë… Gëzuar! Ta gëzosh!.. Mallakastriotët dinë ta presin mikun. E meqenëse biseda jonë për krahinën qysh në fillim nisi me krahasimin me labët për shkak të këngëve polifonike që dëgjuam, nuk mund të mungonte kjo batutë: “E meqë ishim tek ta ja ku po jua them, labët mikun duan ta dehin, ndërsa mallakastriotët jo!”. Pas batutash e fjalimesh me gjithfarë temash radha i vjen vizitës në një restorant të njohur nga ato anë… Ndahemi me nënat dhe Aliun e kthehemi mbrapsht. Pas një ndalese rrugës, në rafineritë e naftës, mbërrijmë tek restorant “Tradita”.

Nuk gatuhet vetëm në shtëpi tradita mallakastriote. Ka edhe restorante që kanë menduar për ta përçuar atë ndër breza. Restoranti me emrin “Tradita” është njëri prej tyre. Gjendet në zemër të Ballshit dhe është hapur në vitin 2000. Xha Tahiri, i ati i Bukurosh Liçajt, pronarit të këtij restoranti na tregon se menuja që ofrohet aty është vetëm tradicionale. Në kuzhinën e restorantit takojmë pak më vonë 46 vjeçaren Merita Llaka, e cila mban funksionin e shefes së kuzhinës që prej 14 vjetësh. Në përparësen e saj të bardhë është qendisur “Tradita”. E për ta përligjur emrin e restorantit ajo nis të na përgatisë 3 receta të tilla: rosnicat, tavë zogu me oriz dhe hasude. “Kjo e fundit është një recetë e shpejtë, emergjente. Përgatitet brenda 7-8 minutave. Përdoret për miqtë e ka qenë traditë për një sofër me pak veta”,- na tregon  Merita. Dhe puna nis…

Rreth mbrëmjes, nga Ballshi largohemi me qiellzën e provokuar nga gjithfarë gatimesh tradicionale. Në qendër të tij shohim edhe rrapin, që sipas Gurit është mbjellë në vitin 1946. Ai qëndron si një dëshmi e e gjallë, si për t’i thënë të gjithëve që edhe e shkuara mund të bashkëjetojë me të sotmen fare mirë. I njëjti parim, nëse mund ta quajmë kështu, vlen edhe për kuzhinën…