Tepër e fokusuar pas ushqimit, (edhe për faktin se e ëma ka qenë zyshë biologjie e botanike), shkrimtarja Besa Myftiu vlerëson më shumë se çdo gjë të ngrënin në mënyrë natyrale dhe me produkte bio.

E rritur në një shtëpi me kopsht, me pula që bënin vezë të freskëta dhe për më tepër nën kujdesin e së ëmës të dhënë pas ushqimit të shëndetshëm, nuk kishte si të ndodhte që Besa të mos i kushtonte rëndësi cilësisë së gjithçkaje që fuste në gojë.

Sot ka mënyrën e vet të të ushqyerit, madje krijon edhe receta që i përshtaten kërkesave të veta, një pjesë të të cilave i ndan edhe me lexuesit e revistës Shije.

Sa rëndësi ka ushqyerja e shëndetshme për Besën? Cili është stili juaj i të ushqyerit?

Dhjetë vjet më parë miqtë e mi më shihnin me habi kur fillova të mos bashkoja proteinat me brumërat dhe më thoshin: Ke luajtur mendsh! Por me kohë, ata e kuptuan që kjo metodë ishte tepër e shëndetshme.  Kujdesem shumë për ushqimin, së pari sepse e kam pasur mamanë zysh biologjie dhe botanike. Në shtëpinë ku jam rritur ne kishim kopsht dhe hanim sallatë të freskët, kishim pula prandaj hanim vezë të freskëta. Mamaja gjithmonë i kushtonte rëndësi asaj që fusnim në gojë. Ajo na thoshte: haje supën se është me vitamina, se karota të bën mirë për sytë, se majdanozi të bën mirë për mishin e dhëmbëve, spinaqi ka hekur etj. Të gjitha këto i dija që fëmijë, unë, vëllai dhe gjithë familja. Kjo gjë reflektohet sot edhe te restoranti à la Santé, që e drejton im vëlla dhe ku jam ortake edhe unë. Një arsye tjetër e kujdesit për pjatën është se kam qenë e vështirë në të ngrënë. Gjithmonë e zgjidhja ushqimin: kur nuk ka oreks, njeriu është shumë më i kujdesshëm me atë që ha.

Megjithatë jeni rritur në një periudhë kur Shqipëria kishte mungesa në ushqim. Si ka ndikuar kjo te ju si fëmijë dhe vajzë e atyre viteve?

Shqipëria e kohës së komunizmit kishte diçka pozitive: edhe pse ishim të varfër në të ngrënë, kishim kualitet ushqimesh. Buka e zezë 40-she me grurin e vendit është shumë herë më e mirë se të gjithë bukët që bëhen sot. Vaji i parafinuar ishte shumë i shëndetshëm. Edhe fakti që merrnim vetëm një pako gjalp në javë ndikonte në mbajtjen e një peshe normale. Njerëzit jashtë shtetit japin shumë lekë, që të hanë ashtu siç hanim ne në kohën e komunizmit.  Ishte një dietë e vënë nga mospasja. Gjërat që ishin më të lira atëherë qenë zarzavatet. Njerëzit thoshin: -Me çfarë do ta mbush barkun unë? Me bar?!

Pikërisht, barku i mbushur me bar ishte më i shëndetshmi. Atëherë rrallë mund të dalloje ndonjë nxënës në shkollë që mund të ishte pak i shëndoshë. Nuk kishte mbipeshë siç ka tani. Burrat, tani pas të 30-ave, janë bërë të gjithë me bark.

Në vitet më pas u larguat në Zvicër. Si ndryshuan zakonet tuaja përsa i përket ushqimit?

Kur shkova në Zvicër, ngaqë nuk kisha lekë në fillim, fillova të haja çka hanin të gjithë. U bëra me puçrra, flokët më ndryshuan dhe mu desh kohë ta kuptoj që unë, që vija nga Shqipëria e varfër në Zvicrën e pasur, isha ushqyer më mirë në Shqipëri.  Kjo vlen edhe për kozmetikën. Në Shqipëri përdorja vetëm krem Bukuria apo Shëndeti (që ishin cilësorë). Vezët, kur i provova në Zvicër nuk i haja dot se isha mësuar me vezët e ditës. Në Shqipëri më pëlqente paçja. Shkova të bleja të brendshme dhe u tmerrova kur I hëngra, se mbaja mend gjithmonë shijet e Shqipërisë kur blinim plënca. Kam arritur te ushqimet bio në mënyrë fare intuitive. Djathërat që më pëlqenin ishin ata pa konservatorë, se më kujtonin shijet e fëminisë sime. Tani kam krijuar edhe recetat e mia.

Si janë këto receta? Mund të tregoni më tepër për to?

Kam përpunuar një kuzhinë që nuk merr kohë  dhe i përgjigjet tre kritereve: meqënëse  jam njeri i vështirë në të ngrënë, ushqimi duhet  duhet të jetë i shijshëm, i shëndetshëm dhe duhet të bëhet shpejt.

Por mund të rastisë edhe që të gatuaj qofte për miqtë që duan të zbulojnë kuzhinën shqiptare.

Në përgjithësi, mish përdor shumë rrallë. Përdor peshk, zarzavate me avull dhe oriz të egër, ose kuinoa apo mel e tërshërë. Bukë nuk  blej. Në mëngjes ha fara me fruta dhe me pure bajamesh. Është një pjatë e madhe që e shijoj pasi bëj gjimnastikën dhe më jep shumë energji e më pas nuk kam nevojë për asgjë.

Megjithëse shumë e ngarkuar me punë, ndryshe nga shoqet e mia intelektuale në Zvicër që nuk merren me kuzhinën, gjysmë ore në ditë (por jo më shumë) ia kushtoj gatimit: në avull, në furrë apo diçka të zier. Vëllai im kur erdhi në Zvicër, provoi disa perime në avull që unë i sezonoja me kripëra dhe uthulla të ndryshme dhe i futi në menunë e restorantit à la Santé.  

Megjithatë keni edhe ushqime që i pëlqeni, por që nuk i konsumoni apo i konsumoni tepër rrallë…

Më pëlqen shumë të ha bukë me gjalpë. Përfitoj kur jam në hotele, por pastaj ndjehem si e rëndë dhe e përmbaj veten që të mos e teproj.

Më pëlqen edhe gjella me bamje, por nuk e bëj vetë, se janë gatime që marrin shumë kohë. Peshk në furrë me limon, zarzavate në avull dhe pak oriz të egër është menuja që ha pak më shpesh.

Si mendoni se ndikon ushqimi në raportet e dashurisë që vendos me njerëzit?

Ka shumë njerëz që dalin pasdite për të pirë një gotë, por mua më duket pak humbje kohe. Unë i konsumoj muhabetet në tavolinë dhe mendoj se e ngrënia e shëndetshme dhe e mirë e lezeton shumë muhabetin. Nëse njoh një person që më pëlqen, e ftoj për darkë. Në Zvicër vlerësohet shumë ftesa në shtëpi. Unë mendoj se edhe miqësia, edhe humori, jo vetëm dashuria, kalojnë nga stomaku. Kështu jemi rritur ne. Edhe vëllai, edhe ime bijë, Elina, është rritur me këtë filozofi.

Ushqimi është bërë, të paktën në Zvicër, një mënyrë ndarjeje e klasës sociale të cilës i përket njeriu. Mishi hahet nga njerëzit e varfër. Shtresat e larta, që kanë më tepër lek, konsumojnë peshk dhe fruta deti.

Njeriu bie në dashuri edhe me njerëz që nuk janë të së njëjtës klasë sociale. Por në këtë rast është e vështirë ta shijosh ushqimin bashkarisht, ndaj unë mundohem t’i edukoj njerëzit. 

Më kujtohet që kisha shkuar njëherë në një restorant me një mikun tim të para shumë vitesh dhe ai kërkoi hamburger. Atëhere unë i thashë: nuk mundem të rri këtu. Vetëm ideja që tjetri po hante hamburger, më dukej e llahtarshme. Nëse tani do të takoj njerëz të tillë, prap do mundohem do t’i edukoj, sepse për mua është shumë e rëndësishme ndarja e ushqimit në tavolinë.

Në librin tuaj, Dashuri në kohën e komunizmit, keni një pjesë ku flisni për ushqimin. Ç’pjesë zë ushqimi në krijimtarinë tuaj në përgjithësi?

Nuk kam asnjë libër ku nuk flitet për drekën, për supën me zarzavate, për ushqimin. Kjo është pjesë e mentalitetit tim. Sigurisht, nuk jap receta në roman ! Tregoj përshembull për një shoqe, që më sillte gjellën time të preferuar, japrakë. Dhe sa herë mamaja më dërgonte byrek nga Tirana, i çoja pjesën më të madhe. Është e vërtetë që ushqimi zë mjaft vend në librat e mi sidomos te romani Rrëfime nga vendet e harruara. Përveç pjesës që e shikoj me sytë e fëmijës, sjell gjithë opinionet shkencore të mamasë. Mamaja ime kishte talent dhe gatuante shumë mirë. Ka qenë amvisë e zonja. Ne kemi jetuar në një shtëpi me shumë zhurmë e rrëmujë, por pjata ishte shumë e mirë. Kështu jemi rritur.

Ndërkohë, kam njohur familje të tjera të shoqeve të mia, ku u jepej prioritet kolltukëve, divanëve dhe ku kishte çarçafë për të gjithë miqtë. Ne kishim vetëm pesë pjata në shtëpi, as që bëhej fjalë për mobilje.  Njerëzit atëherë shpesh thoshin: barkut, sa t’i japësh, ha! Kurse mami e kishte shumë të rëndësishëm ushqimin, edhe për shkak të njohjes së bimëve. Kjo duket tani në lëkurën time. Ushqimi është shumë i rëndësishëm për mbajtjen e një lëkure të bukur, të shëndetshme. Mendoj se ushqimi është për trupin si vaji për makinën. Nëse makinës i japim vaj të keq, do të prishet shumë më shpejt dhe do të ketë defekte. Njerëzit,, nëse bëjnë sport dhe hanë mirë, nuk kanë arsye të jenë të sëmurë deri në 90 vjeç. Mamaja ime është në formë fizike të shkëlqyer. Është 82 vjeç dhe duket si 60 vjeç.

Mendoni se një shkrimtar dhe ju vetë krijoni më mirë me barkun plot apo me barkun bosh?

Për krijimtarinë është më i përshtatshëm barku bosh. Dostojevski ka shkruar veprat e tij më të bukura duke qenë i uritur. Unë njëherë kam bërë një agjërim : pasi lashë cigaren, thashë të pastroj organizmin. 

Për një javë nuk hëngra asgjë, vetëm pija lëngje frutash dhe perimesh, por pak. Konsumoja pa hesap çaj, dhe ujë kurse çdo mëngjes haja një lugë fara lini.

Në Francë kam lexuar shumë libra për ushqimin, mbi të gjithë llojet e regjimeve. Njeri nga librat që më ka bërë përshtypje titullohet Mjekësia e tretë. Mjekësia e parë është ajo me ilaçe kimike, e dyta ajo me ilaçe popullore dhe e treta, të ngrënit.

Faktikisht, pas agjërimit shkruajta dhe isha shumë mirë. Mendoj se shkruhet shumë mirë me bark bosh, por jo shumë bosh. Nëse kalon njëfarë kohe mësohesh me gjendjen e boshësisë. Më kujtohet se në ditën e pestë të agjërimit thosha: pas dy ditësh do të ha.

Mendoj se ai ha që ha patate të fërguara me biftek, nuk shkruan njëlloj si ai që ha sallatë me karkaleca deti.

Njerëzit që hanë mirë kanë rezistencë shumë më të madhe ndaj sëmundjeve. Treçereku i sëmundjeve të këtij shekulli janë të lidhura direkt me të ngrënin. Mjeku dhe filozofi grek Hipokrati thoshte: Ushqimi qoftë ilaçi yt dhe ilaçi yt le të gjendet në pjatën tënde.  Kjo është jo vetëm sentenca ime personale, por edhe e restorantit à la Santé që kemi hapur.

Cili është ushqimi juaj i preferuar, nëse keni një të tillë?

Pjata ime e preferuar është sushi me shampanjë. Peshk krudo me shampanjë, të prerë në formën japoneze, për mua është ushqimi më i mirë.

Sa dhe si iu pëlqen t’i kosumoni frutat në dietën tuaj?

Unë konsumoj shumë fruta të kombinuar me fruta të thata, kos dhe fara. Fruti pas buke është vdekjepurës, në kuptimin që lodh, pengon tretjen, fryn.  Fruti duhet të hahet gjithmonë me barkun bosh, një orë para ushqimit. Në mëngjes ose mbasdite, midis drekës dhe darkës, kur është tretur dreka, pa ngrënë akoma darkën. Frutat janë vakt më vete.

 

Receta e Besës

Përbërësit

Kos ose pure bajamesh

Fruta

1 lugë gjelle fara susami

1 lugë gjelle fara kungulli

1 lugë gjelle fara luledielli

1 lugë gjelle fara lini

(Lini ndihmon shumë në pastrimin e zorrëve dhe është antideprsiv i natyrshëm. Një njeri pak i deprimuar, po të marrë çdo mëngjes dy lugë gjelle fara lini dhe të bëjë pak sport, nuk ka nevojë të shkojë të pijë valium për të fjetur.)

Përgatitja

Hedh farat e linit, të lulediellit, të  susamit dhe të kungullit në një tas që përmban tre 3 lugë kos deleje dhe i përziej. I lë të paktën 20 minuta që farat të zbuten. Pastaj  shtoj në tas fruta të prerë (përshembull: gjysmë molle, pak rrush, gjysmë pjeshke, gjysmë banane dhe gysmë kumbulle të madhe, si dhe katër arra). Përdor herë kos dhe herë pure bajamesh.

Kjo pjatë mund të përgatitet edhe pa fruta, vetëm me fara, kos dhe arra. Në këtë rast shtohet pak mjaltë. Frutat mund të hahen si vakt i veçantë mbasdite.

Ushqimi me sytë e një fëmije dhjetë vjeçar

Fragment nga libri Rrëfime nga vendet e harruara

Mami im nuk ka autoritet, por ka shumë fantazi. Ajo na thotë se vaji është më i shëndetshëm se gjalpi, sigurisht sepse gjalpi është i racionuar dhe se asnjë familje s’mund të blerë me shumë se njëqind gram në javë. Mami deklaron bile se vaji i parafinuar është akoma më i mirë se sa i rafinuari – që e kanë trajtuar në makina të presionit të lartë. Sigurisht, meqë i parafinuari është më i lirë. Zarzavatet e stinës nuk kushtojnë fare dhe mami na bën të besojmë se ato janë plot vitamina vetëm e vetëm që të mos na blejë domate të serrës në dimër, shumë të shtrenjta. Për bukën e bardhë, që e hamë vetëm në ditë festash, mami ka një teori të çuditshme: e zeza qenkësh njëmijë herë më e shëndetshme! Po, po, buka e zezë që bëhet me grurë fshati të patrajtuar, buka dyzeçe, më e lira nga të tëra! Dhe mishi, sipas mamit, nuk duhet të serviret çdo ditë. Po shteti na jep vetëm një kile në muaj! Ja se si mami i gjen nga një pretekst shëndetësor çdo kufizimi qeveritar ose ekonomik. Ajo shpik pretekste edhe kur duhet të kursejë punën e vet: megjithëse neve na pëlqejnë shumë patatet e fërguara, mami i bën tavë në furrë, se me demek ashtu qënkan më të mira për shëndetin.

Bujare sa më s’ka kur na blen akullore në fund të muajit me lekët e marra borxh tek komshia, mami bën kursime kur ne sëmuremi: ajo përdor gjithë barërat e këqia të kopshtit për të përgatitur çajra dhe gargarizma dhe nuk i blen në farmaci, megjithëse ilaçet tek ne kushtojnë shumë lirë. Violeta pi ilaçe prej vërteti; kur asaj i dhimbte mishi i dhëmbëve, doktori ia ngjeu gojën me një locion ngjyrë qershie. Mua, mami më dha të përtypja gjithë ditën majdanoz. Shoqet e mia qeshën shumë dhe u tallën me mua. Për të mbrojtur mamin, u shpjegova se ajo ka bërë studime në universitet jo vetëm për zoologji por edhe për botanikë. Unë kam mamanë më të kultivuar të lagjes; ajo është në të njëjtën kohë edhe më pak autoritarja.

Bessa Myftiu është autore e nëntë librave në frëngjisht, prej të cilëve katër janë botuar në shqip: Miq të humbur, (poezi) Rrëfime nga vendet e harruara, (roman) Drejt të pamundurës, (tregime) Dashuri në kohën e komunizmit, (roman).