Kwame Onwuachi është një nga shefat e fundit që është bërë i famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës falë emisioneve televizive. Në Uashington ka hapur një restorant 28-vendësh, ku specialitet do të jetë karavidhja, një ushqim që vetë shefit i shkakton alergji.
“Washington Top News” foli me shefin dhe i shkëputi atij disa sekrete mbi gatimin e karavidhes, një pjatë që nuk ka pse të jetë e ndërlikuar. Sepse, në fakt, ushqimi më i preferuar i verës është i thjeshtë në përgatitje.

Zierja është thelbësore
Një nga mënyrat më të thjeshta për të përgatitur karavidhe është ta ziesh dhe ta shërbesh me gjalpë. “Zieni ujin dhe hidhjani karavidhes së freskët. Ftohtësia e saj do e ndalojë paksa zierjen. Lëreni karavidhen të ziejë për 12-16 minuta, pasi nëse e lini më shumë, mishi i saj do të forcohet dhe do të jetë më i vështirë në ngrënie”, tregon Onwuachi.

Sipas shefit, pasi është zierë, mund ta çani karavidhen dhe ta hani direkt.

Karavidhe për makarona
Nëse karavidhen e gatuani për një pjatë makarona, sipas Kwame Onwuachi, duhet të përdorni metodat që përdorin gjithmonë shefat nëpër restorante. Në vend që ta hidhni të gjithë karavidhen në ujin që valon, nisni duke ndarë darat e saj nga bishti.
“Kjo bëhet pasi karavidhja është njësoj si pula. Mishi i bardhë gatuhet ndryshe nga i kuqi. Darat janë shumë më të holla sesa bishti”, shpjegon Onwuachi.

Vendosini darat në një enë dhe bishtat në një tjetër. Hidhni ujë të valuar në to. Lërini darat në ujë për 3 minuta dhe bishtat për 5. “Kjo gjë bën që mishi të çlirohet nga guaska. Më pas, mund ta thyeni lehtë atë”, thekson shefi, i cili shton se tashmë karavidhja është gati të bashkohet me përbërësit e tjerë të makaronave.