Ky është një produkt i vjetër i rajonit të Çamërisë i quajtur Tumaca . Është një nga gatesat xhevahire të këtij rajoni e përgatitur gjerësisht gjatë muajit gusht dhe si zahiré dimri.

I njohur me emra të ndryshëm në rajone të tjera si Dibra, i quajtur Jufka dhe Petka në Korçë dhe Ersekë, Tumacat me ca ndryshime në përbërës, përgatiteshin në sasi nga gratë e familjeve (gjyshet, nënat, nuset, mbesat, hallat apo tezet) etj.

Në gojëdhënat krahinore thuhet që vjehrrat vështronin sesi nuset e djemve i përgatitnin zahiretë, duke kaluar në provim teknikën dhe kohën me të cilën arrinin t'i përgatisnin Tumacat. Këto rituale ishin njëlloj festivalesh familjare. Gratë këndonin këngë apostafat duke hedhur romuze të tipit: Çupani, gojën qepur e këmbë e duar lepur!.

Fëmijët, veçanërisht vajzat e vogla nxiteshin në të mësuarit e hapave të gatimit për t'u bërë gati për në shtëpinë e burrit. Po ashtu, vajzat e reja të sapomartuara ishin pjesë e përgatitjes së ushqimit dimëror kur ktheheshin në derën e babait për pushime.

Zahiretë e përgatitura në shtëpinë e nënës i sillnin si dhurata në shtëpinë e burrit, për t’i shijuar gjatë dimrit e për të kujtuar me nostalgji gatimet e krahinave nga ku ishin lindur e rritur.