A e kërkoni me sy tezgën e perimeve, sidomos kur zgjidhni për domate? Domate për sallatë dhe domate për gjellë; të kuqe, të bukura, por në fakt shumica prej tyre nuk e mbajnë më aromën dhe shijen e dikurshme. Ata që kanë pasur fatin të provojnë domate vendi, e dinë mirë se për çfarë po flasim. Por llojet shqiptare, të kultivuara prej dekadash nuk janë zhdukur, madje disa vazhdojnë të shiten, por larg kërkesës së përditshme. Ndoshta nuk janë aq të bukura sa duhet!
Dhurata Thanasi, themeluesja e Lugës së Argjendtë na e kujton njërën prej tyre në faqen e saj në Facebook:
“Kjo është domatja Sarëke. Për këdo nuk ka njohuri mbi emrin original të saj, si dhe unë para disa muajsh, kjo është ndër të paktët kultivarë shqiptarë domatesh që i ka mbijetuar "invazionit barbar" të farave të importuara nga përtej Shqipërisë! Është një domate që përveçse e bekuar nga natyra për aromën dhe shijen unike, Sarëkja na ofron tulin, lëngun me shumicë si dhe farën e saj. Shpresojmë të mos i "shuhet fara"!”