Shumëkush e sjell ndërmend kompozitorin Aleksandër Vezuli për këngët e njohura “Mos u nxito” apo “Marinari”. Autor i disa veprave klasike, siglave muzikore televizive, filma, etj., ai së fundi është prezantuar edhe si shkrimtar, duke botuar vitin e kaluar autobiografinë e tij “Rrëfimet e një kompozitori shqiptar”. (Për më tepër ndaj këtij kompozitori mund të vizitoni faqen e tij të internetit www.vezulimusic.com).

Por, përtej krijimtarisë së tij artistike, Aleksandër Vezuli ka shumë për të treguar edhe për jetën e tij personale. Sfida e tij më e madhe është kapërcimi me sukses i leuçemisë përmes ushqimit. Në këtë bisedë me shije.al ai rrëfen se si ndryshoi regjimi i tij ushqimor pasi mori vesh që ishte prekur nga kanceri në gjak, si dhe për zakonet e përditshmërisë dhe raportet e tij me ushqimin.

Me sa kemi marë vesh, ju keni kaluar sëmundjen e kancerit në gjak, siç quhet ndryshe leuçemi. Si ja dolët?

U diagnostikova me leuçemi kronike në vitin 2003. Filluan ilaçet e pafund, deri sa i thashë vetes: Stop! Ka diçka tjetër në këtë botë?! I hyra studimit deri në analizat e fundit shkencore të kësaj sëmundjeje. E gjeta! Ngre imunitetin e trupit nëpërmjet ushqimit, sigurisht edhe futjen e disa suplementeve, vitamina, minerale dhe motoja ime e jetës u bë: Evito sa të mundesh të futësh në trupin tënd atë që dora e njeriut e ka prodhuar në fabrikë.

Çfarë për shembull?

Gjithçka që ruhen me perzervativa në kuti kartoni, teneqe, kavanoza, lëngje në shishe, etj.

Po para sëmundjes me çfarë jeni ushqyer?

Unë kam ikur nga Shqipëria në nëntor të vitit 1990 dhe rashë në kontakt me jetën e egër kapitaliste. Më është dashur të jetoj në kampe të ndryshme refugjatësh, si në Francë dhe në Belgjikë, ku ushqimi dhe ambienti linte për të dëshiruar. Në Francë na servirej vetëm mëngjesi dhe darka me ushqime të konservuara. Pas mëngjesit nuk na lejohej të hynim në kamp deri kur vinte darka. Jam detyruar të fle edhe në pyllin e Bulonjës në Paris, pasi qëndrimi në kamp ishte i kufizuar. Jetova kështu vetëm për afro 3 vjet.

Vitet e fundit në Belgjikë, pasi u bashkova me time shoqe dhe djalin 5 vjeç e pasi u largova nga kampi, me ndihmat financiare që na akorduan në Belgjikë, sillnim në tavolinë ushqimet që shiteshin në supermarket. Me pak fjalë, të gjitha ato që hoqa dorë pas sëmundjes, të përmendura më lart, nuk mungonin në tavolinë. Harruam të pinim ujë. Pinim Coca-Cola, lëngje e gjëra të tilla. Ime shoqe gjithmonë thoshte: “Mmm, u jetokërka mirë në kapitalizëm!” Tani unë them me plot gojë: “Na mashtroi kapitalizmi!”

Mendoni se ky ushqim i keq ka qenë një nga arsyet kryesore të sëmundjes tuaj?

Jam pothuajse i bindur që ka ndikuar shumë, pasi leuçemia me të cilën u diagnostikova (CML), është një sëmundje e ngadaltë dhe i duhen vite të tëra që të shpërthejë. Veç kësaj dhe stresi në vend të huaj e ka shpejtuar. Po kështu dua të shtoj se në 10 vitet e para të emigracionit kam bërë 4 operacione dhe në njërin prej tyre u aksidentova nga një makinë kur po kaloja matanë rrugës.

Keni provuar tre spitale në tre shtete të ndryshme. Cili nga ta mendon se ka shërbimin më të mire ndaj pacientit?

Sigurisht Amerika jo, ku pacientin e shikojnë si dollar dhe praktikojnë tek i sëmuri gjëra të panevojshme vetëm për të përfituar. Franca dhe Belgjika, të dyja të mira. Këto ngjarje si dhe të tjerat janë shkruar gjerësisht në librin tim.

Çfarë rregulli ushqimor mbani për të pasur sëmundjen tuaj nën kontroll?

Ime shoqe gatuan çdo ditë me vaj ulliri ushqimin e prindërve tanë, ujin e filtrojmë dhe më pas e zjejmë. Veç ujit asnjë lloj lëngu nuk ndodhet në shtëpi, përveç ujit me limon të shtrydhur pa sheqer.

Sa i përdorni zarzavatet në dietën tuaj? A i përdorni në masë?

Çfarë thua! Jam bërë lopë. Hap frigoriferin, vetëm jeshil shikoj. Nganjëherë më mërziten, po Hipokrati më vjen në ndihmë me shprehjen e tij: “ Haje ushqimin si ilaç” dhe e hap gojën si bebet dhe e fus me zor lugën në gojë. Pa mbaruar akoma drekën, vjen gruaja nga oborri me një tufë radhiqesh të mbledhura nga bari i shtëpisë e thotë: “Këto i ke për darkë” Obobo! - them me vete.

Sa shpesh konsumoni mish dhe peshk?

Mishin me karar, por peshk ha. Kuptohet që peshku i Shqipërisë më mungon.

Po kafe a pini?

Vetëm në mëngjes, pa sheqer, pasi pi një gotë ujë esëll. Pas dite pi çaj jeshil, i cili pastron mëlçinë, organ të cilin po e quaj “fabrika e pastrimit kimik të trupit”.

Po muzika ju ka ndihmuar ndopak?

Sigurisht që muzika është terapi për njeriun, dhe për këtë ndërtova recitalin tim me muzikë të ndryshme nga bota të interpretuar në instrumentat e mi të preferuar kitarë e piano, recital të cilin e kam luajtur aty-këtu në auditore të ndryshme për vite me radhë.

Po me ushtrime fizike a merreni?

Me not dhe gjimnastikë me të cilat jam marrë që në moshë të re, madje në not kam qenë pjesëtar i ekipit të notit “Partizani” për një vit dhe më pas tek “Dinamo” për 3 vite të tjera, not të cilin e vazhdoj dhe sot e kësaj dite gjatë verës në pishinën time dhe pasi mbaroj stërvitjen, shpejt vrapoj të shpëlahem të heq klorin e pishinës. Sa më mungon deti! Tani në këtë moshë ngaqë nuk kam gjunjë të vrapoj, eci pothuaj çdo ditë me time shoqe, pasi jetojmë në periferi të Nju Jorkut, ku për çdo gjë jemi të detyruar të marrim makinën. Në dimër, kur është tepër ftohtë, vij vërdallë në shtëpi, duke u rrotulluar nga kuzhina në dhomën ndenjëse, pasi arkitektura e shtëpisë ma lejon këtë gjë.

Cilët janë favoritët e tu për shëndetin?

Dielli, uji, ajri.

Meqë keni jetuar në Francë, Belgjikë dhe tani në Amerikë, çfarë mendoni për ushqimin e këtyre vendeve?

Po e nis nga fundi. Amerikanët nuk dinë të gatuajnë fare, preferojnë restorantet. E kundërta ndodh në Europë, më shumë gatuajnë, e me raste shkojnë në restorante.

Keni një ushqim të preferuar shqiptar që ju mungon në Nju Jork, apo ushqime shqiptare që “ua prezantoni” të huajve?

Trahanaja, me të vërtetë më mungon. Kur ndonjë i huaj vjen i ftuar në shtëpi, ime shoqe bën byrek të cilin e vlerësojnë shumë, aq sa thonë do të vijmë prapë dhe ime shoqe më thotë: “Kush rri e shtron pecin prapë për ta”. 

Sa pasion e keni gatimin?

Aspak! Për më tepër nuk dua t’ia rrëmbej pasionin e vonuar sime shoqeje.

Cili është ushqimi juaj më i preferuar?

Byreku me presh e qumësht që e bënte nëna ime, ndjesë pastë, e cila ja trashëgoi sime shoqeje, Mimozës.

Çfarë të shtyn drejt kuzhinës?

Instikti për të jetuar.

Më mirë të kripura apo të ëmbla?

Asnjëra.

Verë, birrë, apo ujë me gaz?

Të treja.

Ëmbëlsira që nuk do t’i rezistoje kurrë?

Nuk ha më. Ato kanë mbetur tashmë vetëm në memorjen time, megjithëse kur më jepet rasti e prish nganjëherë dhe më pas e ndiej veten fajtor.

Mund të rrëfeni diçka për karrierën tuaj muzikore në Nju Jork dhe krijimtarinë e viteve të fundit?

Kam pasur dy kontrata muzikore, njëra për një këngë (1999) dhe tjetra për një kuartet fryme (2000). Më pas në 2003 u luajtën në skenë dy valle simfonike shqiptare për orkestër dhome, për të ardhur në 2007 me daljen e albumit tim të parë me këngë të kompozuara me tekstet e mia në anglisht. Ngaqë nuk gjeja dot këngëtarë u detyrova t’i këndoja vetë. Edhe Luçiano Pavaroti do të ma kishte zili! (Qesh). Së fundi, në janar të këtij viti (2016) u luajt në skenë, (premierë botërore), kuarteti im i harqeve me 4 kohë, i cili priste në sirtar qysh prej 30 vjetësh. Më jepet rasti të them, se kam shkruar mbi 20 vepra klasike, nga të cilat asnjë prej tyre nuk pa dritën e skenës gjatë kohës së komunizmit. Tortura muzikore ishte e vetmja arsye që më bëri mua të largohem nga vendi im, duke lënë familjen, të afërmit, të dashurit.

© shije.al/Ndalohet publikimi i paautorizuar i materialeve