Trendi i “smoothie” dhe “milkshake” duket se nuk ndalet. Përdoret si një vakt, për të humbur peshë, për të marrë vitamina dhe si një formë e parandalimit të shumë sëmundjeve. “Smoothie”-t dhe frutat me perime të përziera janë me të vërtetë ushqimi më në modë i momentit.

Por, pyetja që shtrohet është: kë duhet të zgjedhim mikserin, centrifugën apo shtrydhësen e frutave dhe perimeve? Lexoni artikullin deri në fund dhe do të orientoheni në zgjedhjen e duhur.

Mikseri
Tradicionalisht, lloji më i zakonshëm për shtrydhjen e frutave dhe perimeve është mikseri. Në sajë të një thike metalike që lëviz me shpejtësi, ajo është e aftë për të “thyer” edhe fibrat më të vështira, duke i kthyer frutat dhe perimet në një masë homogjene. Ky rezultat është shumë i mirë dhe ideal për një “smoothie” me fruta dhe perime krejtësisht natyrale dhe 100% të shëndetshëm. Pra, pse ta zëvendësojmë atë me një centrifugë apo një shtrydhëse? Për të eliminuar tulin dhe për të marrë vetëm lëngun, pa fibrat e vështira për t’u tretur.

Centrifuga
Me centrifugë, lëngu dhe tuli janë të ndara në kontejnerë të ndryshëm. Prandaj, nga centrifuga merret një lëng me shumë vitamina që mund të pihet pa asimiluar pjesën solide të frutave apo perimeve. Problemi i centrifugës është se tehu metalik që lëviz me shpejtësi prodhon nxehtësi, e cila shkatërron disa enzima të pranishme te frutat dhe perimet. Nxehtësia gjithashtu oksidon ushqyesit, duke e bërë lëngun me më pak vlera ushqyese. Përveç kësaj, të dyja, si centrifuga, si shtrydhësja e frutave lejojnë që ajri të hyjë në përzierje përfundimtare dhe rrjedhimisht edhe në barkun tonë. Për të marrë një rezultat të mirë nga një centrifugë është më mirë të mos e përdorin atë në shpejtësinë e saj maksimale.

Shtrydhëse frutash
Risia që sjell një shtrydhëse frutash apo perimesh është se këto mjete eliminojnë fibrat e forta dhe ajrin, duke e bërë atë të përshtatshëm për ata që kanë probleme me tretjen, ezofagun dhe fryrjen e barkut. Lëvizja shtypëse është e ngadalshme dhe nuk prodhon nxehtësi, duke mbajtur të paprekur të gjithë përbërësit ushqyes të lëngut. Lëngu i shtrydhur është i rekomanduar sidomos për ata që duan "lëngun e gjelbër", të bërë nga perimet me gjethe jeshile. Shtrydhësja heq ajrin nga lëngu final, duke zvogëluar rrezikun e oksidimit të lëndëve ushqyese. Lëngjet e fituara nga një shtrydhëse janë më të qëndrueshme dhe mbajnë integritetin ushqyes për rreth 48-72 orë pas nxjerrjes. Në të kundërt, lëngu nga centrifuga duhet të konsumohet menjëherë. Një tjetër avantazh i shtrydhëses është aftësia e saj për të prodhuar qumësht bajameje ose orizi. E meta e saj është se edhe në këtë proces eliminon shumë nga fibrat e rëndësishme për të asimiluar të gjitha vitaminat e dobishme për trupin, sidomos në një dietë të ekuilibruar.

Ideale është që t’i përdorni të tre pajisjet në mënyra të ndryshme dhe në varësi të nevojave të ndryshme gjatë ditës.