Jeta moderne i shtrëngon njerëzit jo vetëm të qëndrojnë jashtë shtëpisë në pjesën më të madhe të ditës, por të reduktojnë edhe kohën e pushimit apo të argëtimit në fundjavë. Kjo ka ndikuar shumë në dëmtimin e marrëdhënieve njerëzore. Mirëpo, vitet e fundit vihet re që shumë njerëz kanë rifilluar të shijojnë kënaqësinë e organizimit të piknikëve, si dëshirë në rritje për të përjetuar disa momente çlodhjeje, kënaqësie të ushqimit, pozitivitetin e oazeve larg syve të botës, shpesh armiqësore, si dhe disa çaste intimiteti familjar e shoqëror, në të cilat mund të ndihen të ripërtëritur dhe të përkëdhelur.

Pritjet në fshat dhe pikniku janë gjithnjë më joformale nga ato të qytetit. “Në piknik lejohet një liri më e madhe”, - thonë specialistët e ushqimit dhe shpesh ushqimet shërbehen mbi bar, nën hijen e freskët të një pylli. Është detyra e një gruaje me shije dhe e një burri të mirëedukuar të sillen sikur të ishin në shtëpinë e tyre. Ndonjëherë, mund të hahet edhe pa servis. Këto pikniqe janë moment rigjetjeje, ballafaqimi dhe bisedimi, janë momente të duhura për të transmetuar gjithë ëndrrat, projektet, përkujdesin dhe dashurinë. “Janë çastet, - thosh Lasgush Poradeci, - kur takohemi me gjithësinë, sepse e gjithë gjithësia është shpirt e dashuri.”

“Do vemi posi sot

N’atë kodrinë,

Ku ngopet zemra plot

Me dashurinë.
 

Dhe zbritmë e bëmë fli

Të madhen shije

Nektar e Ambrozi

Prej gjithësije.

(Lasgush Poradeci)

 

Në rrugën e jetës së tij, ai eci i heshtur, i vetmuar, i mbështjellë si ato malet e larta me mjegullën e krenarisë së tij, e na la një thesar të paçmuar me jetën dhe veprën që krijoi. Askush më shumë se ai, nuk u ndje më lart se bashkëkohësit e vet, askush nuk e vuri veten aq lart përmbi ta…

Pata fatin ta shoh sa ishte gjallë. Ishte vera e vitit 1986, hera e parë që shkonim me familjen për pushime në Pogradec, në qytetin që frymon buzë liqenit të moçëm, i rrethuar nga male të larta e të buta, e që të flladit me ujërat këndonjës të “liqerit pa kufi…” Një ditë pasdite, në shëtitjet e zakonshme diku afër Turizmit të Vjetër, shquaj qartë një burrë të veçantë, me kostum të zi, kapele republike, me bastun në dorë, i shoqëruar nga qeni i tij. Ishte Lasgush Poradeci. Asnjëherë nuk kam për ta harruar shkëlqimin mbreslënës të syve të tij, kur u ndesha përballë me të, shkëlqim të cilin e shoh ende sot, në sytë e të bijave, Maries e Kostandinës.

Lasgushi shëtiste shpesh buzë liqenit, organizonte pikniqe, dreka në natyrë me familjen e tij, me miqtë, ndonëse jo të shumtë, por të veçantë. Ishte i papërtuar, i papërsëritshëm, mjaft ta ngacmonin dhe ai  hapte portat e digës, që mbante rezervuarin kolosal të kulturës së tij…

“Kur shkonim për pushime në Pogradec, - rrëfen Maria, - im atë, Lasgushi, na organizonte shpesh piknikë. Këto ishin momentet më të bukura të jetës sonë. Shpesh, shkonim pranë lumit të Trahanit, ose siç e njohin në Pogradec, tek çezma e paput. Aty bënim plazhin. Ishte një vend plot me shelgjishta. Im atë kishte bërë një guvë të madhe, ku rrinim nën hije e vështronim valët lozonjare që plluquriteshin pas zallit. Babai, unë dhe motra e madhe shkonim gjithnjë më herët, ndërsa mamaja, Nafija, përgatiste me shumë dashuri tavën me peshk, vinte më vonë, për të kaluar më pas një ditë të bukur në shoqërinë e njëri-tjetrit.”

“Një ditë tjetër shkonim tek “Najazma”, më pas tek “Qoshku”, tek kaskadat, apo nga “gështenjat”. Tek kjo e fundit rrinim gjatë pa folur, nën hijen e gështenjave të harlisura, duke dëgjuar cinxërimin e gjinkallave kengëtore…”

“Shkonim gjithnjë larg. Vetëm aty mund të flasim më perëndinë, - thosh im atë. E tërë gjithësia është shpirt e dashuri. Merrnim me vete ushqime, birrë e shalqi, për të cilat kujdesej gjithnjë babai, i fuste në ujë të ftohtë për t’u freskuar dhe pastaj na i shërbente ne të dyjave. Kur ulej, gjithnjë na rrëfente detaje nga kultura e tij.”

“Çfarë nuk bënte Lasgushi të kënaqte të bijat”, - shkruan në kujtimet e tij prof. Nasho Jorgaqi.

Për këtë mrekulli lasgushiane, rrëfejnë po aq sa vajzat, edhe miqtë e tij. Sipas tyre, Lasgushi e kishte art dhe në të njëjtën kohë cilësi qytetërimi dhe bujarie organizimin e drekave në natyrë dhe respektin që tregonte ndaj miqve. Një prej personaliteteve të kulturës shqiptare, Vedat Kokona, njëherësh dhe mik i Lasgushit, do ta ruante si një prej kujtimeve më të bukura drekën në lirishtë që i ofroi ai. Bukurinë e asaj dite, po e risjellim për lexuesit e “Shijes”.

Pesëmbëdhjetëditshin e pushimeve të vitit 1951, kishim vendosur ta kalonim në Pogradec për arsyen e liqenit të bukur dhe sepse atje ishte Lasgushi, miku im i vjetër. Një incident i mbrapsht aty, u venit nga shkëlqimi i asaj dreke të mahnitshme që na shtroi Lasgushi në burimin e pyllit të gështenjave. Me sinqeritetin e tij, që e njihja mirë prej shumë vitesh, më tha se priste mikun e tij të ngushtë, Eqeremin (Prof. Eqerem Çabejn- shën.im), për të cilin do të shtronte një drekë te burimi, duke therur gjelin që kishte ruajtur për të.

Si ecëm nja gjysëm ore mes pyllit të gështenjave, arritëm në një vend me pjerrësi të butë ku këndonte ujët e një burimi. Aty u ndalëm. Nafija me Lasgushin shkarkuan ushqimet dhe pastaj u shtruan nën hije përtokë mbi një shkorsë. Lasgushi ishte ai që merrej me rregullin e sofrës: puna e parë që bëri ishte të shtinte shishet e birrës edhe atë të rakisë në ujët e akullt të burimit, pastaj shtroi mbi një cilore të pastër pjatat prej biluri, të stolisura me lule rreth e qark, gotat, kupat, lugët, pirunjtë, thikat, koranin që ishte pjekur në tjegull dhe në fund gjelin.

            -Këtë gjel e kisha ruajtur për mikun e dashur Eqeremin, por meqë ai nuk erdhi, e paskeni pasur fat ju. Hani dhe ju bëftë mirë!

            -Mirë gjelin e kishe ruajtur për Eqeremin, - i thashë unë, - po këtë koran që po na bën me sy, për kë e kishe ruajtur?

            -Koranin e peshkova te gjoli dhe e poqa në tjegull për një tjetër gjirokastrit, se ne, poradecarët, s’jemi nga ata që, siç kam dëgjuar, e lidhin macen kur hanë bukë….

            U ngrit dhe mori nga burimi shishen e rakisë dhe ato të birrës, i hapi dhe, në fillim mbushi kupat me rakinë që kishte bërë vetë.

            -Hajde, mirë se na erdhët, sot e mot gëzuarshi!...

            Shumë dreka e darka kam ngrënë në jetën time, në shtëpi dhe në sallone, me verëra famëmadhe dhe me shampanjë, me pjata porcelani dhe me kupa të kristalta, me lugë dhe pirunj argjendi, me gjellë menush nga më të pasurat, por drekë si ajo që na shtroi Lasgushi, atje, në pyllin e gështenjave atë ditë korriku, atje, pranë burimit që nanuriste me murmurimin e tij të kumbimshëm, besoj nuk kam ngrënë.

            Dreka e pyllit të gështenjave ndrit në kujtimet e mia si një rreze e bukur dielli në një lirishtë.

Ky është një shembull qytetarie dhe bujarie që na përçon sot Lasgush Poradeci. Ata që e kanë njohur mirë e dinë, se përbrenda zhguallit të ashpër e me gjemba të “gështenjës”, ishte buka e butë dhe e bardhë e shpirtit të tij. “Babai ynë, Lasgushi, - thonë të bijat, - ishte njeri i dritës, i asaj drite që rrezaton edhe kur largohen vetëm fizikisht nga kjo botë…”