Një pyetje që e kemi pasur të varur në çdo portë. Gjithmonë, sa herë kemi hyrë e dalë nën portat e gurta të shtëpive të shqiptarëve, këtë pyetje kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë. Në Veri të vendit, janë porta të rënda guri, që quhen edhe qemerë nga turqishtja, dhe po kështu në jug të vendit ku nga njëra portë te tjetra kalohet përmes sokakëve të gurta...

Gjithmonë, një kalimtar i vëmendshëm, madje aq më shumë një vëzhgues si gazetar, ka bërë me vete pyetjen: “vallë si ushqehemi? Si të varfër apo si princër?”.

Dilemën se mos vallë ushqehemi si të varfër e ka krijuar një klimë e tërë dhe e shtrirë në kohë mbi varfërinë tonë. Madje kemi përjetuar varfëri, sidomos në periudhat e zisë së bukës që na ka kapluar jo vetëm ne shqiptarët. Varfërinë e fundit e përjetuam gjatë periudhës së fundit të socializmit, kur çdo familje ishte e detyruar të jetonte me një kile mish, me dhjetë vezë dhe një kile djathë në javë. Pastaj u liruam nga zinxhirët e varfërisë, të paktën ata që donin të liroheshin. Të tjerët vazhdojnë të thonë “të varfër, të varfër”, gjë që i ngacmon disa njerëz të dyshojnë përsëri “a jemi të varfër apo jo?”

Ndërsa jetën fisnike dhe mbretërore e dëshmojnë shtëpitë me harqe të mëdha guri, me sofra e sini të mëdha prej argjendi, me çardakë dhe me enë të lara në flori... Më në fund me mikpritjen dhe mjeshtërinë tradicionale të gatimit... Por një pyetje për vete dhe me veten të bën të mendosh se më shumë shqiptarët janë ushqyer në fisnikëri se në varfëri. Pyetja është: Vallë si mund të laheshin në flori a si mund të derdheshin në argjend enët e darkave dhe të drekave në një familje që nuk kishte lumturinë e të ushqyerit në mënyrë të lartë?

Nuk mund të ndodhë që në një varfëri njeriu të rrinte të gdhendte sofra e voza, bute e vegsha? E pamundur! Në qoftë se nuk do të kishte fisnikëri për t’u shtruar në sofër, pse vallë duhej gdhendur sofra fisnikërisht?

Ja, këtu jemi, duke arsyetuar përditë mbi kualitetin e jetës sonë.

Ngado që kam shkuar nëpër atdheun tim (nuk besoj se ka mbetur ndonjë fshat pa e shkelur gjatë punës sime si gazetar), i kam parë si janë përplasur dilema për varfëri dhe shkëlqimi i fisnikërisë.

Një natë me borë në malet e Munellës

Ishte dimër. Ishim ngjitur në malin e Munellës, mes Mirditës, Kukësit e Pukës, në lartësinë 1990 metra mbi nivelin e detit. Atje ndodheshin ekspeditat e gjeologëve ku bëheshin kërkime për minerale, që nga bakri, etj. Ishim bashkë me disa inxhinierë “të qendrës”, siç quheshin inxhinierët nga Tirana, një kafshar (dmth., një punëtor me mushka që sillte poshtë kampione të mineralit dhe drejtori i gjeologjisë, Preng Pepa. Kur u nisëm nga ekspedita, diku afër majës së Munellës, qielli kishte vetëm katër a pesë re të përhapura si në një ditë vere dhe po binte nata. Por nuk kaluan as dy orë dhe nisi bora, një borë e dendur që u ngjit rreth një metër për një orë. Poshtë, drejt këmbëve të Munellës ndodheshin tre a katër fshatra që i përkasin Pukës. Ishte Kimëza më afër, pastaj Kodra e Zabelit, Kalivare, Mushta e më në fund Tuçi.

Shtëpinë më të afërt e “kapëm” pa e ditur në cilin fshat ishim. Nisën të lehnin qentë dhe dalluam siluetën e kullës prej guri; atëherë kuptuam se mund të ndaleshim për të kaluar atë natë.

I zoti i shtëpisë u shfaq nën dritën e një kandili me vajguri, që mbante në dorë nën harkun e gurtë të kullës dhe shfaqej si një zot që po na shpëtonte jetën në atë borë të pashoqe. Na priu drejt katit të tretë të kullës, përmes shkallëve të drunjta që kërcisnin sikur nuk kishin parë kurrë borë me sy. Para nesh u shfaq një dhomë e madhe, me oxhak të nxirë pak nga zjarri me dry pishe, mure të trasha dhe dritare gati si në formën e qemerit të kullës. Njëri nga djemtë ndezi një zjarr të madh, i zoti i shtëpisë vuri një litar nga njëri cep në tjetrin të dhomës, dhe ne hoqëm palltot. Palltot tona zbardhur nga bora nisën të lëshojnë avull si mjegull.

I zoti i shtëpisë solli një bute të vogël vere, gota të mëdha; solli arra dhe gështenja. U shtruam rreth zjarrit me verë e me arra e gështenja të pjekura, duke pritur të piqej qengji që kishin therur burrat e asaj shtëpie...

Të nesërmen gjithçka dukej e bardhë që nga dritaret në formë qemeri. Edhe muret e shtëpisë të bardha, veçse shumë të ngrohta....

... Kishin kaluar tre a katër vjet. Drejtori i gjeologjisë, Preng Pepa me të cilin kaluam mbrëmjen, ishte bërë zëvendësministër i Ushqimit. Kishte pritur një delegacion të FAO dhe natën e fundit kishin vendosur të kalonin një darkë të lirë. Njëri nga Finlanda, tjetri nga Italia dhe i treti nga Spanja. Prenga, shqiptar. Vendosën të bënin një konkurs të vogël duke treguar secili rreth një darke tradicionale nga vendi i secilit. Prenga kishte treguar ngjarjen e Munellës... Në atë moment miqtë i kishin thënë: “Aaa! Po ne nuk thamë të tregojmë darka princërore”.

Në Vermosh s’kishte nevojë për verë

Vermoshi është zona ekstreme veriore e Shqipërisë zyrtare. Në mes të fshatit shtrihet lëndina më e bukur e botës dhe kalon një lumë i kulluar. Fshati duket si një punë-dore e zonjave fisnike të zonës. Ndërtuar me gur e me dru, të hijshme e të shëndetshme si për verë e për dimër.

Kur thashë se këtu nuk ka nevojë për verë, nuk thashë për verën që pihet, por për stinën. Verë po them për atë verën e nxehtë këndej ku piqet domatja, fiku, mani, sallata jeshile, borziloku...

Në Vermosh nuk piqet as domatja, as kungulli, as bostani, as sallata. Megjithatë darka dhe mëngjesi që të  shtrojnë në Vermosh është e tillë që asgjë nuk mungon në tavolinë. Jo se dikush zbret apo zbriste për të blerë perime a fruta deri në Shkodër...

Kam qenë në Vermosh që nga viti 1970 dhe kam bujtur si në një parajsë. Aty miku fle në dhomën e vet të veçantë, shtrihet në çarçafë të bardhë e të hekurosur; aty miku dhe të tjerët e hanë darkën a mëngjesin në dhomën e ngrënies, ndërsa kuzhina është kuzhina ku vetëm gatuhet.

Në Vermosh nuk kishe e nuk ke nevojë kurrë për verën e nxehtë që pjek perimet dhe frutat delikate. Darka a dreka në Vermosh shtrohet me produkte dhe nënprodukte të qumështit. Shtatë lloje djathi të shtron amvisa në tavolinë, aq të ndryshëm nga njëri-tjetri sa ti mendon se të janë shtruar shtatë pjata me shtatë lloje ushqimi. Edhe kosi vjen në gjashtë a shtatë mënyra dhe shije: Kosi për lugë, kosi me kajmak, kajmaku, kosi për bukën e misrit, dhallë e parë, e dytë dhe e tretë...

Nuk është e lehtë të shkosh në Vermosh, sepse matet durimi si mund të rrish pa shkuar shpejt përsëri.

Mjalti varej në shkëmbin Nus

Para se të mbërrinim në një nga restorantet më të shëndetshëm dhe të mrekullueshëm të Shqipërisë e më gjerë, kisha treguar me miqtë shumë ngjarje nga pjesa më e parë e jetës. Iu kisha treguar si i shtronim darkat dhe çfarë dëgjoja pa pushim. Restoranti për të cilin flas ndodhet në Zadrimë, në kufi me Mirditën....

Dëgjoja se njerëzit ishin të varfër. Një mbrëmje në shtëpinë e prindërve kishte ardhur nënë-daja (gjyshja nga nëna, siç thuhet në Mirditë). Po, ishte një festë e vërtetë. Ishte ndezur zjarri në të dy oxhakët e shtëpisë. Kishin therur një bagëti dhe pihej raki. Gjyshja ime pinte edhe duhan, njësoj si burrat dhe bisedonte.

Atë paradite, bashkë me tim vëlla, të gëzuar se po vinte gjyshja, kishim shkuar për të gjuajtur peshk në lumë. Kishim kapur nja njëqind peshq, peshk lumi në Fanin e Madh. Mirëpo ata të shtëpisë na thanë që të mos i sillnim në shtëpi se “nuk ka hije me peshk lumi kur vjen gjyshja”. Kishim gjuajtur edhe mëllenja, se dimër ishte. Por edhe për zogjtë na thanë se “nuk kishte lezet”.

Sa shpesh jam menduar pse quheshim të varfër atëherë. Edhe me miqtë kam folur kështu. Madje iu kisha treguar se veç të tjerave, veç peshkut pa fund në lumin poshtë arës, mëllenjave e thëllëzave, në malin Nus shkëlqente gjithnjë mjalti. Bletët që rriteshin në zgjojë prej guri atje lart e bënin malin të kullonte mjaltë. Edhe pemë kishim pa fund. Madje, arrat i merrte shiu i vjeshtës dhe i dërgonte në lumë si guralecë të vegjël...

Përsëri quheshim të varfër. Askush nuk kuptonte. Vetëm ditën e parë kur arrita tek restoranti, bashkë me të afërm e miq, atëherë iu thashë: “E ndjeni aromën e bukës, aromën e lakrës dhe të gjellës?... E shijoni gatimin?... Është fiks ai ushqim që më ka rritur mua. Ja kështu jam rritur!”

Dhe tashmë thuajse e kam zgjidhur me veten enigmën mes varfërisë dhe Fisnikërisë sonë.