Ju kujtohet grupi i famshëm kosovar i muzikës alternative “Asgjë sikur dielli”? Nëse po, e keni të pamundur të mos e mbani mend Alban Nimanin, vokalistin e grupit, që me zërin e veçantë, u bë i njohur në Shqipëri në vitin 2003. Dhe meqenëse Albani i ka munguar këtë periudhë daljeve publike, ja ku jua sjellim. Ashtu siç nuk e keni parë: me përparësen e gatimit, duke gatuar Pad Thai.

Një paradite gushti, teksa i drejtohemi shtëpisë së Albanit, në katin e fundit të një pallati shumëkatësh, e dallojmë fare lehtësisht pasionin që ka për ushqimin, për ato erëzat lloje-lloje që i nxjerr mbi tavolinë, për ato koktejet magjike që përgatit me shpejtësi marramendëse… “Gatimi  për mua është antistres, dizajn apo njëfarë meditimi. Më pëlqen shumë të shpenzoj kohë në kuzhinën e shtëpisë sime. E sidomos të gatuaj recetat e shijshme aziatike”,- na tregon Albani duke trazuar salcën e sojës.

Për të thënë të vërtetën, ata burrat që e ndërrojnë një birrë në divanin e sallonit me një tigan në kuzhinë, nuk i has dhe aq shpesh. Prandaj Albani të habit pak! E vendos përparësen dhe nuk pret ndihma nga bashkëshortja Kejda, që kërkon ta ndihmojë vazhdimisht, edhe pse ai ia del i vetëm. Sepse në disa receta specifike e konsideron veten një kuzhinier të mirë. Historia daton rreth vitit 2001, kur në Angli Albani mësoi të gatuante… Gjatë kohës që studionte “Dizajn dhe Multimedia” ai qëndronte në shtëpinë e anglezes Diane Golder, mikeshë e familjes. Diane ishte eksperte në kuzhinë dhe i mësoi Albanit shumë receta gatimi, që ai sot vazhdon t’i përgatisë sapo gjen pakëz kohë dhe i shkëputet impenjimeve që lidhen me shkollën, ku ai jep mësim dhe muzikën. Pjata e parë që gatoi vetë: pulë me perime, gatuar në mënyrën kineze. “Aty u përgatita për një grua të dobishme. Anglezët nuk është se dallohen për ndonjë kuzhinë kushedi se çfarë, por pata fatin të isha pranë një kuzhiniereje të shkëlqyer. Aty mësova edhe çajnizin, që është dhe gjella e parë që i kam mësuar gruas sime, e cila pasi e mësoi shkonte tek shoqet e saj dhe mburrej se dinte të gatuante. Çajnizi përbëhet nga copa pule, speca të ngjyrave të ndryshme, ananas, salcë e oriz. Është shumë e shijshme!”. Që nga çajnizi e deri tek ushqimet e tjera aziatike që ai i shijon me pasion, Albani ka ç’të tregojë…

I fiksuar pas kuzhinës aziatike

Dashuria me ushqimet aziatike e ka burimin, gjithashtu, nga Anglia. Albani ra në dashuri me shikim të parë: sushit e shumëllojshme, shoqëruar me salcat tipike aziatike, shkopinjtë dhe luga karakteristike që përdoren gjatë ngrënies, këto e shumë elemente të tjerë të kuzhinës aziatike e bënë për vete. Aq sa sot, në kuzhinën e shtëpisë së tij, Albani gatuan vazhdimisht pjatat tradicionale të Azisë së Largët. “Më pëlqen shumë kjo kuzhinë. Është njëfarë pikture. Pëlqej sushin, çajnizin dhe tajlandezin. Salcat janë pjesa më e rëndësishme dhe dekorimi po ashtu”,- na tregon ai.

Kuzhinën nga arti e ndan pak rrugë

Për Albanin, gatimi është një paralele e artit. Janë thuajse e njëjta gjë. Dhe ai e ka shpjegimin për këtë. “Edhe pse nuk e mbaj veten për ndonjë kuzhinier të mirë, duhet të them që më pëlqen shumë të gatuaj. Gatimi është si të dizajnosh një poster apo të kompozosh një këngë: melodia është gjella, sound efektet i krahasoj me salcat, ritmi është pija, vera etj”. Prandaj dhe pjatat e tij dalin aq të mira. Sepse gatimi është art dhe Albani është artist!

Artist edhe në të ngrënë

Kur vjen puna për të ngrënë, ai s’para i thotë jo ndonjë ushqimi. Edhe i vogël kështu ka qenë: s’para përdridhej e të bënte naze si pjesa më e madhe e fëmijëve. Tamam djalë “artist”. “Për të ngrënë, ha gjithçka. Ama neps nuk kam. Preferoj shumë mantian (byrek pak pikant, me mish të grirë brenda), byrekun me qepë e me domate apo suxhukun, që detyrohem shpesh ta fsheh, se s’më lë Klejda ta ha, ngaqë vjen erë”. Albani na tregon se ka dëshirë herë pas here të bëjë edhe turizëm kulinar. Së bashku me Klejdën dhe djalin e vogël, ai shkon jo rrallëherë për peshk tek “Lugina e Patokut”, vizitojnë “Mrizin e Zanave” apo qytete të tjera ku mund të hahet mirë. Dhe sa herë që shëtisin brenda apo jashtë vendit, ata kanë dëshirë që të hanë ushqimet tradicionale të zonës. Ai e pëlqen kuzhinën tradicionale shqiptare. Edhe pse e pranon: “Ajo të trash pak”. Dhe ai s’do t’i rikthehet ditëve kur mbante dietë, për të eliminuar pak kilet e tepërta të mbledhura rreth barkut.

Koktejet, shija e preferuar

Edhe për koktejet e mrekullueshëm përsëri Angila i faturohet shkaku. Gjatë kohës që studionte, Albani njëkohësisht punonte, si gjithë studentët nëpër botë. Këtu nis historia pasionante me përzierjet magjike. Albani nisi punën si barman, ku mësoi si t’i bashkonte ingredientët, si mund t’i fuste në blender e të ofronte një shije të përsosur. Ai di të përgatisë shumë lloje koktejesh, ndërsa për veten e vet do të veçonte një “Blody Marry”. Kohët e fundit ai ka zbuluar koktejin “Submarine”, prej të cilit është joshur shumë. Është një koktej më shumë shoc: tek gota e birrës futet një tekila dhe pihet me fund. Megjithë dashurinë që i ka shtënë në kokë “Submarine”, ai nuk mund ta hedhë poshtë për atë të parën: “Blody Marry” është përzierja më e dashur për të!  Është kokteji që nuk do ta refuzonte kurrë.