Vetëm produkte vendase në tregun agroushqimor. Sipas listës së çmimeve të publikuara më datë 28 tetor 2016 nga Tregu Agro-Ushqimor i Tiranës, frutat dhe perimet janë tërësisht nga zona të vendit, të tilla si Lushnja, Berati, Tirana, Kukësi dhe Korça. Si për perimet dhe frutat e stinës, ashtu edhe ato që nuk janë të sezonit, duket se kanë pasur prodhim të bollshëm. Qepa e thatë dhe ajo e njomë është prodhim i Korçës dhe Tiranës, ndërsa domatet dhe domatinat janë tërësisht të zonës së Lushnjës. Madje duket se domatinat kanë pësuar një ulje të çmimit, me 20 lekë për kg, duke u shitur me 180 lekë për kg, në krahasim me 200 lekë për kg, që shiteshin në fillim të këtij muaji. Edhe fasulja e bardhë është tërësisht e vendit, nga zona e Lushnjës, me një çmim shumë të arsyeshëm prej 120 lekë për kg. Në fillim të këtij muaji, çmimi varionte nga 120 deri në 230 lekë për kg, duke konkurruar edhe me fasulen e Egjiptit. Nga Lushnja vijnë në treg një sërë produktesh të tjera si brokoli, karrota, lakra e bardhë, kungulli, panxhari i kuq, ftojtë, mashukra, patate, lakër e kuqe, limoni, pjepri. Nga zona e Korçës vijnë mollët, por edhe qepët e thata, gështenjat, patëllxhanët dhe preshtë. Në vijim gjeni listat e plota të produkteve.